Kulturë

Vinçenc Gjini – kompozitori i harmonisë së muzikës shqipe dhe klasike

“Harmonia” është titulli i njërës prej veprave të tij, por si krijues i muzikës ai gjeti harmoninë midis tingujve shqip dhe muzikës klasike. Vinçenc Gjini i cili vdiq të enjten në Kroaci, u vlerësua si kompozitor kozmopolit dhe i shumanshëm e në esencë kishte identitetin. “Identiteti (përveç dijenisë muzikore) është esencial dhe i vetmi parakusht i ekzistencës shpirtërore (morale) jo vetëm në këto troje, por edhe më gjerë. Krijoj për dashuri ndaj popullit tim dhe veproj pa pritur shpërblim. Në veti i kam shenjat e temperamentit jugor, karakteristike të mendjemprehtësisë kosovare, që muzikës sime u japin rëndësi tipareve shprehëse të muzikës sonë shqiptare”, do të thoshte ai

Pas Luftës së Dytë Botërore, kur Kosova kishte nevojë për kuadro të profileve të ndryshme, Vinçenc Gjini do t’ia mësynte të studionte për muzikë. Do të bëhej një prej kompozitorëve të shquar e profesorëve që edukuan shumë breza duke e çuar në tjetër nivel jetën shoqërore në Kosovë.

Arti i Kosovës e sidomos muzika, ka mbetur pa kompozitorin që stil krijues kishte romantizmin e vonshëm të shekullit XIX. Vinçenc Gjini vdiq të enjten në Istër të Kroacisë ku jetonte prej vitit 1992. Ishte 87 vjeç.

Veçohet si punëtor i zellshëm, kompozitor stili i të cilit prek neoklasicizmin me trajtim të gjerë tonaliteti e me aplikim të intonacioneve të muzikës popullore. Gjatë jetës është vlerësuar shumë. Madje edhe me çmimin më të lartë që ndan Kosova në fushën e muzikës, atë kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani”.

Gjini u lind në Ferizaj më 22 janar të vitit 1935 në Ferizaj. Shkollimin fillor e kishte përfunduar në vendlindje dhe do të binte në sy për talentin e tij në muzikë. Më pas ishte zhvendosur në Prizren për të vijuar Shkollën e Mesme të Muzikës. Studimet do t’i kryente në Beograd ku edhe diplomoi në Akademinë e Muzikës më 1958 në drejtimin teoriko-pedagogjik. Po aty, sipas të dhënave të Fjalorit Enciklopedik të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, do të ndiqte studimet pasuniversitare për harmoni e kontrapunkt. I kishte përfunduar ato më 1961. Por nuk mjaftohej me kaq. Gjini, më pas do të përfundonte studimet e kompozimit në Shkollën e Lartë të Muzikës në Shkup. Ishte producent në Radio-Prishtinë dhe pedagog i harmonisë në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë prej vitit 1963 deri më 1975. Pas hapjes së Degës së Muzikës në Fakultetin e Arte më 1975 ishte profesor deri më 1991. E prej vitit 1992 ka jetuar në Istër të Kroacisë. Krijimtaria e tij përfshin përpunimin e këngëve popullore e deri te veprat simfonike.

Gjini është autor i kantatave si “Vatra e urtësisë” (1980), “Të duam liri” (1981), “Baladë në gur” (1981), “Udhëkryqet e jetës” (1985), “Dallëndyshja mirandjellëse” (1998). Sa i përket këngëve korale, midis të tjerash veçohen “Blegëron delja” (1971), “Vajta në Elbasan” (1971) dhe “Hijet” (1972). Te veprat orkestrale të Gjinit hyjnë “Simfonieta në D”, katër simfonitë e kompozuara në vitet 1979-1985, Vallja orkestrale, (1980) dhe Suita (1980). Gjini po ashtu është autor i dy vëllimeve të këngëve që hyjnë te veprat sakrale, njëri me 119 këngë e tjetri me 193. Më 1984 kishte publikuar po ashtu librin universitar “Harmonia”.

Profesionisti i shumanshëm

Muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica, ka thënë se Gjini ka qenë pedagog e kompozitor, përfaqësues i gjeneratës së dytë të kompozitorëve të Kosovës, njëkohësisht gjeneratë kjo e cila jetoi në periudhën kur tashmë ishin krijuar kushtet bazë për formim dhe zhvillim të mëtutjeshëm profesional.

“I shkolluar në Beograd si një numër i konsiderueshëm i kompozitoreve të kësaj gjenerate dhe asaj pasuese, në krijimtarinë e Vinçenc Gjinit, arrijmë të kuptojmë lehtë influencën stilistike ruse në të cilën mbështetej shkolla kompozuese e ish-Jugosllavisë. Me këtë kuptojmë aplikimin e intonacioneve të muzikës popullore si orientimi i vetëm e i domosdoshëm stilistik i kohës”, ka thënë Kryeziu-Breznica.

Kryeziu-Breznica ka thënë se Gjini, ashtu siç e kujtojnë edhe në rininë e tij bashkëkohësit, kolegët, ishte një studiues pedant i pashoq. Sipas saj, ekuilibri i cili e shoqëronte vetë personalitetin e tij, pasqyrohet edhe në mes të formës e përmbajtjes së kompozimeve të tij.

“Kompozitori i veprës me rëndësi antologjike në muzikën korale kosovare ‘Hijet’, i ciklit të parë dhe shumë të veçantë të këngëve të titulluara ‘Letrat’, i simfonive e kantatave, i obliguar nga rrethanat e papërshtatshme në vend, pjesën e dyte e deri në fund të jetës do ta kalojë në Kroaci, duke krijuar kështu një distancim e shkëputje nga aktiviteti muzikor e shkolla kompozuese ne Kosovë”, ka thënë Kryeziu-Breznica. Sipas saj, Gjini disa herë kishte tendencë për kthim me anë të krijimtarisë, por ajo me anë të së cilës la gjurme të pashlyeshme është libri i tij me karakter pedagogjik “Harmonia”, botim në shërbim të studentëve, muzicientëve të rinj profesionalë në formim.

“Distanca fizike shpesh edhe pa dëshirën e krijuesve rezulton me harresë për këto personalitete që nëse jo në të tashmen, në kohë të pazakonshme kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm”, ka thënë Kryeziu-Breznica.

Për kontributin e tij gjysmëshekullor në muzikë, Gjini ishte nderuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me çmimin kombëtar për vepër jetësore, “Niketë Dardani”. Në vitin 2020 juria në përbërje të Vasil Toles, Rafet Rudit e Baki Jasharit e kishte vlerësuar Gjinin për elemente të folklorit shqiptar që në veprat e tij ishin të gërshetuara me tendenca të reja stilistike.

Në qershorin e atij viti, qe mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve. Atë do ta pranonte motra e tij, Maria Gjini-Kurti.

“Profesionist i shumanshëm dhe me kontribute të shquara gjysmëshekullore në muzikë, me vështrim kozmopolit”, do ta vlerësonte juria, laureatin e Çmimit.

“Krijoj për dashuri ndaj popullit tim...”

Krijimtaria e Gjinit është studiuar edhe nga kolegu i tij, Akil Koci. Madje Koci ka botuar edhe monografinë “Krijimtaria emblematike e V. Gjinit”. Po në këtë vepër Koci nxjerr përfundime se arti krijues i Gjinit konsiston në krijimin e shumë parametrave artistikë si vizion i veçantë dhe kjo krijimtari shquhet, para së gjithash, me kompleksin e realitetit, duke kërkuar gjithnjë koncepte të reja brenda një universi muzikor shumështresor, si faktor i rëndësishëm. Sipas Kocit krejt kjo vinte “si përpjekje e frytshme për të plotësuar figurën e tij njerëzore nga shumë aspekte krijuese: morale, estetike, artistike, pse jo edhe filozofike, dhe kështu futemi në rrethin vicioz të tij duke vërejtur eksperiencën krijuese dhe jetësore, si rezultat të imazheve të tij muzikore brenda kufijve të realizimit metafizik”.

Gjini shquhet si krijues që nëpërmjet muzikës prekte pikat identitare të kulturës shqiptare. Këtë e kishte përmendur edhe në monografinë e Kocit.

“Identiteti (përveç dijenisë muzikore) është esencial dhe i vetmi parakusht i ekzistencës shpirtërore (morale) jo vetëm në këto troje, por edhe më gjerë”, citohet të ketë thënë ai. Thoshte se muzika është jeta e tij dhe ajo e bënte të lumtur e të kënaqur.

“Krijoj për dashuri ndaj popullit tim dhe veproj pa pritur shpërblim. Në veti i kam shenjat e temperamentit jugor, karakteristike të mendjemprehtësisë kosovare, që muzikës sime u japin rëndësi tipareve shprehëse të muzikës sonë shqiptare”, thoshte ai.

Në vitin 2008, Koci shkruante se Vinçenc Gjini ishte i veçantë jo vetëm për kah rezultatet e arritura gjatë studimeve, por edhe për nga krijimtaria e tij e madhe, e kompozuar me një profesionalizëm dhe me një imagjinatë, ku akti estetik ravijëzon formën, konceptin metafizik.

Sipas Kocit, krijimtaria e tij madhe bazohet në sintagmën se “artin për ta shijuar me ndjenja, duhet ta perceptojmë me shqisa”.

Sipas Kocit, kompozimet e Gjinit emitoheshin rregullisht përmes valëve të Radio-Prishtinës, të cilat lënë mbresa të thella, sepse me sukses e lidh të bukurën me formën klasike në kuptime të gjera, së cilës me aq përpikëri jo vetëm që e respekton, por edhe i përmbahet gati në të gjitha kompozimet e krijuara, dhe të cilat shquhen me melodikë të pasur, ritëm të gjallë dhe harmoni të bujshme.

“Kështu krijon një muzikalitet të spikatur që përcaktohet herë nga lirizmi i gjerë e herë edhe nga drama e thellë, duke shprehur dhe ngritur karakterin emocional si shkrirje e ndjenjave individuale të këtij krijuesi, të ndërthurura me lirizmin dhe introspeksionin si forcë shprehëse”, shkruante Koci. Sipas tij, kjo ka qenë ndihmesë e madhe për ta parë, përcjellë dhe analizuar krijimtarinë e pasur të Gjinit.

Sipas njoftimit të familjes, Vinçenc Gjini do të varroset të shtunën në varrezat e Istrës në Kroaci.

Folegjenda: Vinçenc Gjini (22 janar 1935 – 22 shtator 2022)