Që në fillim himnizohet figura e Mujit dhe bëhet e ditur që e gjithë ngjarja sillet rreth tij – të një burri që është gati dhe e ka fuqinë të luftojë me këdo. Anekënd skenës dëgjohet emri i tij. Personazhet e jetësuar prej aktorëve të Teatrit të Gjilanit kanë zbërthyer edhe në Ferizaj shfaqjen “Viganët”, nën regji të Ilir Bokshit e dramaturgji të Visar Krushës
Salla është në mjegull. Kur shfaqja nis, bëhet e ditur që publiku duhet të lëvizë në një periudhë të mjegulluar mitologjike. Të veshur me veshje tradicionale, aktorët nisin lojën në dritën e hënës vezulluese, e cila ndërron ngjyrat varësisht nga situatat. Hëna bëhet dëshmitarja e vetme e shumë skenave me një skenografi të thjeshtë që lëviz nëpërmjet ndriçimit. Aty aktorët kanë goxha peshë mbi supe për t’i bartur ngjarjet e një kohe të largët. Me këngë majëkrahut, ku personazhet vendosin duart prapa veshit, shpesh kumtojnë lajmet më të mëdha. Që në fillim himnizohet figura e Mujit dhe bëhet e ditur që e gjithë ngjarja sillet rreth tij – të një burri që është gati dhe e ka fuqinë të luftojë me këdo.
Anekënd skenës dëgjohet emri i tij. Personazhet e jetësuar prej aktorëve të Teatrit të Gjilanit kanë zbërthyer edhe në Ferizaj shfaqjen “Viganët”, nën regji të Ilir Bokshit e dramaturgji të Visar Krushës. Me kapelat që janë pjesë e skenografisë ata dalin në skenë. Aktorët personifikojnë burrat e gratë malësorë të një kohë të largët. Shfaqja nxjerr në skenë mes dialogëve ciklin e Eposit të Kreshnikëve apo, siç quhet ndryshe, cikli i Mujit dhe Halilit, që konsiderohet pasuri e folklorit shqiptar, në të cilin shpaloset bota shqiptare. Kur zanat dialogojnë me Mujin, skenat vishen edhe më shumë me botën mitologjike që përshkruhet në Eposin e Kreshnikëve. Zanat zakonisht flasin e këndojnë në refren e i kundërvihen vazhdimisht fatit të Mujit. Për aktorët gjilanas skena e teatrit të Ferizajt dhe publiku në Festival janë një festë më vete.
“Ferizaji e ka një publik shumë të mirë dhe ne çdo vit kthehemi këtu me shfaqje të ndryshme. Çdo festival këtu është festë. Përkundër që skena në Gjilan është krejtësisht ndryshe, puna jonë është që të adaptohemi”, ka thënë aktorja Aurita Agushi. Shfaqja luhet nga aktorët Alban Shahiqi, Ali Demi, Artan Selimi, Aurita Agushi, Ernest Zymberi, Fitore Jashari, Gani Rrahmani, Kushtrim Qerimi, Lavdije Idirizi, Patriot Osmani, Safete Mustafa- Baftiu dhe Tringa Hasani.
Për rreth një orë nga atmosfera gjithë festë, vjen e bëhet më dramatike. Nga skenat që janë gazmore, te ndërhyrja e zanave në rrjedhshmërinë e jetës së malësorëve, shfaqja lëviz në kacafytje, në vdekje e ringjallje, duke elaboruar fatin e Mujit në këngë. Duke e vlerësuar rëndësinë e këngëve kreshnike si një vlerë shpirtërore dhe një burim të pasur të fabulave dramatike të kreshnikëve, regjisori Ilir Bokshi e dramaturgu Visar Krusha kanë zgjedhur pikërisht këto këngë për të përçuar njëkohësisht vlera universale dhe moderne të këtyre këngëve.
Këngët që janë përdorur si bazë janë “Fuqia e Mujit”, “Gjeto Basho Muji” dhe “Bani Zadrilli”. Këto këngë, sipas dramaturgut Visar Krusha, janë përdorur pasi që funksionojnë së bashku si tërësi dramaturgjike.
“Kemi përdorur këto këngë si bazë, pasi që e paraqesin lindjen e Mujit si hero, jetën dhe trimëritë e tij, lidhjen e tij me zanat, vdekjen dhe në fund edhe ringjalljen e tij, natyrisht me synimin që sa më shumë m’i paraqitë para publikut vlerat e teatrit antik të këtyre këngëve, gjë që besoj që shfaqja ‘Viganët’ ia ka arritë”, ka shpjeguar Krusha për KOHËN. Për Krushën është kënaqësi gjithmonë të punojë me trupën e Teatrit të Gjilanit. Ka thënë se përkundër sfidave teknike, për shkak se skena e Teatrit të Gjilanit është më madhe se e Ferizajt, aktorët ia kanë dalë mirë në adaptimin e lojës dhe mirëmbajtjen e spektaklit për publikun e Ferizajt.
“Viganët” ishte dhënë premierë në fillim të vitit në Teatrin e Gjilanit në kuadër të Festivalit të Dramës Shqipe, “Talia e Flakës”. Aty kjo shfaqje ishte shpërblyer për shfaqjen më të mirë, regjinë më të mirë, kostumografinë dhe skenografinë më të mirë.
Sipas drejtorit të Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, fuqia e teatrit qëndron pikërisht në fuqinë e lëvizjes te publiku në skena të ndryshme.
“Ajo çfarë e bën më interesant është që teatri është i gjallë dhe mund të lëvizë në vende të ndryshme në formatin dhe kohën kur ti e ndërron hapësirën, si në këtë rast dhe kur ndryshon edhe publiku. Ajo që e bën interesante këtë punë është pikërisht adaptimi dhe gjithçka tjetër sepse teatri ekziston për publikun”, ka thënë Zymberi për KOHËN.
Shfaqja kalon në skena ku edhe duhet të ndeshen shpatat në dyluftim. Nga këngë në dasma e deri te vajtimi i nënës, zanat njëzëri janë ato që ua shtojnë dramaticitetin këngëve që interpretohen. Aktorët të mërkurën mbrëma janë vlerësuar edhe për sinkronizimin e plotë me publikun.
“Kënaqësi ta shoh ‘Viganët’ në këtë skenë, ku publiku ishe gjatë gjithë kohës i përfshirë brenda shfaqjes dhe kjo na bën të ndihemi edhe më mirë. Aktorët ishin në një emocion që i shkon shfaqjes, me plot energji”, ka thënë koreografi i shfaqjes, Robert Nuha.
Festivali i Teatrove në Ferizaj do të vazhdojë deri më 7 tetor, kur do të ndahen edhe çmimet për shfaqjet në garë.