Fotografia, filmi dhe “DokuFesti” janë fjalët kyç që lidhin dekadat e punës së Veton Nurkollarit. Dhe në qendër të gjithë tregimit të tij është kinemaja “Lumbardhi”. Pikërisht nga ky vend nis rrëfimin e tij prej një qytetari që asnjëherë s’është shkëputur nga vendlindja – Prizreni. Aty u lind në vitin 1962. Gjatë fëmijërisë së tij kujton se qyteti ishte krejtësisht ndryshe. Thotë se ka qenë dyfish më i vogël, e Nurkollari kujton se jeta e tij kishte qenë dinamike brenda një familjeje të madhe.
“Qyteti ishte më i vogël dhe më intim. Ka qenë interesant të rritem në këtë qytet, për shkak të asaj se çfarë ka nënkuptuar jeta në këtë qytet. I vogël, i afërt, i këndshëm me shumë njerëz që i njeh”, tregon ai në fillim të rrëfimit të tij për “Pro X” të KTV-së. Si fëmijë anonte nga një natyrë kureshtare. Kureshtja e tij kishte mbërritur deri te yjet. Këtë e kishte bërë të ditur edhe në intervistën e parë që e kishte dhënë si fëmijë. “Më interesonte astronomia. Në intervistën e parë pata thënë që kur të rritem dua të bëhem astronom”, ka rrëfyer Nurkollari. Kështu zgjodhi drejtimin e shkencave natyrore në gjimnaz. Aty Nurkollari filloi transformimin e tij dhe hapjen ndaj botës. “Katër vjetët e gjimnazit janë të paharrueshëm, janë vite të formimit të njeriut”, rrëfen ai. Koha për t’iu nënshtruar ushtrisë Nurkollarit ia prishi rendin e studimeve. Ai dëshironte të studionte drejtimin e turizmit, që atëkohë ishte si drejtim vetëm në Rjekë dhe në Ohër. Megjithatë, para ushtrisë zgjodhi fakultetin ekonomik sa për sy e faqe. I dha disa provime, por Nurkollari nuk e ndiente këtë drejtim. Më vonë në Prizren e studioi gjuhën dhe letërsisë angleze, por as aty nuk e gjente veten. Jetën studentore e ka transformuar duke e matur me punën që e ka bërë më pas. “Atë që desha ta studioja nuk munda, e atë që e studiova nuk më pëlqente dhe kështu kurrë nuk kam studiuar. Mua mu ka bërë jeta fakultet”, tregon ai.
Fotografia si nismë
Shumë herët filloi të udhëtojë nëpër vende të ndryshme. Si i ri filloi t’i përkushtohet zanatit të fotografisë në studion e babait të tij në qendër të Prizrenit. Këtë e filloi si obligim moral që mos ta lërë babanë të vetëm, e më pas iu zhvillua në një pasion goxha të madh. “Kjo zeje ngadalë u bë një formë e artit dhe shprehjes nëpërmjet fotografisë dhe njëfarë dashurie që edhe sot e kësaj dite e kam për artin e fotografisë dhe filmit”, ka treguar ai. Duke u zhytur më shumë në studion e fotografisë së babait të tij, Nurkollari filloi të interesohej edhe më thellë për këtë fushë të artit pamor. Më pas interesohej më shumë për fotografët e njohur dhe që t’i vizitojë ekspozitat që hapeshin. “Ka qenë një lloj alkimie që të krijoj diçka të mos them nga asgjë, por nga diçka që nuk shihet në diçka që shihet. Ai proces është i jashtëzakonshëm, sot e kësaj dite është një prej gëzimeve më të mëdha të mia, fillimisht më u njoftu e më pas ta përvetësoj atë art”, ka theksuar ai. Studio e babait të tij ishte shumë afër kinemasë. Nurkollari i ulur në një prej ulëseve të kino “Bahçes”, pranë kinemasë “Lumbardhi” thotë se dashuria e tij për filmin buron pikërisht nga ky vend. Gjatë shkollimit fillor thotë se shpesh kanë shkuar për të parë filma në kinema. Që atëherë kinemaja “Lumbardhi” u bë vendi i tij i preferuar, e mendja nuk i kishte shkuar që vite më pas nga aty do të organizohej diçka e përmasave ndërkombëtare. Thotë se nuk i interesonte zhanri i filmave që jepeshin. Aty vinte për ta parë secilin prej tyre. Kishte një repertor të pasur të filmave. E Nurkollari programin e asokoshëm e krahason me “Netflixin” e tashëm
“Pa këtë kinema dhe pa atë repertor, unë jam i bindur se nuk do të kishte as ‘Dokufest’ , as asgjë”, ka treguar ai. Kinemaja “Lumbardhi” u krijua në vitin 1952 në Prizren, atëbotë, në Jugosllavinë Socialiste. E hapur si pjesë e një ndërtimi modern kulturor në një shtet të sapokrijuar, fillimisht funksionoi si një kinema e brendshme. Në vitin 1959, kinemaja në ambient të hapur u vu në dispozicion të publikut. Deri në ndërhyrjen ushtarake më 1999, “Lumbardhi” funksiononte si një kinema e cila qeverisej si institucion publik i vetëmenaxhuar. Pas luftës në 1999, dhe për shkak të vështirësive financiare dhe logjistike, ajo nuk mundi të rifunksionalizohej, dhe kështu u shndërrua në një pasuri për t’u likuiduar nga Agjencia e Privatizimit.
Kthimi i shkëlqimit
Përkundër fatit të trishtuar institucional në situatën e re të pasluftës, kinemaja ruajti kuptimin e saj kolektiv si një vend kujtimi, tubimesh dhe festivalesh joformale. Nisma e festivalit “DokuFest” në vitin 2002 ia ktheu asaj shkëlqimin. Gjithçka nisi si një iniciativë për ta funksionalizuar kinemanë dhe për lidhur gjeneratat e ndryshme me dashurinë për filmin. “Ne mendonim se kur fillon diçka të bëhet këtu, ajo vetvetiu aktivizohet. Aq ishin ambiciet tona në atë fillim”, kujton Nurkollari edicionin e parë treditor ku u shfaqën një seri filmash. Ai është drejtor artistik i “DokuFestit”, festivalit më të rëndësishëm të filmit dokumentar dhe të shkurtër në Kosovë, të cilin e ka bashkëthemeluar me bashkëpunëtorë. Ai është gjithashtu një nga kuratorët e “DokuPhoto”, një ekspozitë vjetore e fotografisë dokumentare që zhvillohet krahas Festivalit.
“Ne menduam që pak a shumë aty përfundoi derisa filluan njerëzit të na ngacmonin dhe na thanë ‘Çfarë jeni duke bërë?. Mirë ishte ajo, a do ta bëni prapë?”, ka rrëfyer Nurkollari. Ai kujton se pas edicionit të parë miqtë e pjesëmarrësit u ishin adresuar me shumë udhëzime dhe propozime të reja që i shtynë drejt edicionit të dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, i cili sivjet me temën “How to survave” ka shënuar edicionin e 21-të me radhë. Rruga drejt edicionit të radhës pas të parit ishte një kthesë për jetën kulturore në Prizren. Në edicionin e dytë ishin të bindur që t’i rrekeshin një organizimi më serioz. Deri atëherë asnjëri prej organizatorëve të këtij festivali nuk ia kishte idenë për rrugën në të cilën ishin futur, madje as ata vetë nuk kishin qenë më parë në ndonjë festival filmi. “Tentuam ta bënim më mirë dhe filluam të shkojmë në festivale. Pas dy vjetësh filluam të mësohem”, ka treguar ai.
Dritarja me botën
Gjatë dy dekadave festivali është rritur me një ritëm shumë të shpejtë. Organizatorët para gati dy dekadash nuk e paramendonin se “DokuFesti” do të arrinte të ishte një dritare e Kosovës me botën dhe anasjelltas. Por përkrahja për ta Nurkollari pohon se ka qenë e vështirë. Kujton se pas katër edicioneve kishin arritur ta bindnin Komunën e Prizrenit që ta përkrahte këtë festival. “Në fakt, Komuna e Prizrenit atëherë dhe sot është një ndër përfituesit më të mëdhenj të festivalit. Me njëfarë logjike do të duhej të ishte mbështetësi kryesor, por me vite kjo përkrahje është përcjellë me rritje e ulje, herë mirë e herë me konflikt”, ka shpjeguar ai.
Nurkollari rregullisht kuron programe filmike dhe juri në festivale të ndryshme të filmit dhe është i përfshirë në mentorimin e filmbërësve dokumentarë të rinj nga Kosova. Ai thotë se tendenca kryesore e Festivalit është që të jenë promotorë kryesor të filmit kosovar në botë dhe që në Kosovë të sjellin njerëz të zotë të kësaj fushe në Prizren. Rrugëtimin e përshkruan si shumë sfidues, por për një gjë është i bindur se po të mos kishte sfida nuk do të ishin kaq këmbëngulës. “Buxheti i Festivalit krahasuar me atë të Sarajvës është dhjetë herë më i vogël dhe këto janë sfidat, nuk është lehtë, por në anën tjetër neve na pëlqejnë sfidat”, ka thënë ai.
Nurkollari thotë se i pëlqen puna me të rinjtë. Dhe e gjithë dita e tij është e përqendruar te filmat që i kontribuojnë një edicioni më të suksesshëm secilit vit. Por thotë se planet e tij janë të tërhiqet nga qendra për në periferi të festivalit “DokuFest”.
“Natyrisht nuk është lehtë, sepse unë i kam shpenzuar 20 vjetët e mi në këtë festival dhe organizim, dhe jam i lumtur për arritjet dhe atë çfarë ka ndodhur me Festivalin dhe me një shtytje që u ka dhënë të rinjve që të merren me film”, ka thënë ai.
Për të suksesi i të rinjve është shpagimi i gjithë punës së tij me “Dokufestin”. Inkurajimi i të rinjve është në qendër të planeve të tij edhe në të ardhmen.
Veton Nurkollari thotë se i pëlqen puna me të rinjtë. Dhe e gjithë dita e tij është e përqendruar te filmat që i kontribuojnë një edicioni më të suksesshëm secilit vit. Por thotë se planet e tij janë të tërhiqet nga qendra për në periferi të festivalit “DokuFest”. “Natyrisht, nuk është lehtë sepse unë i kam shpenzuar 20 vjetët e mi në këtë festival dhe organizim, dhe jam i lumtur për arritjet dhe atë çfarë ka ndodhur me Festivalin dhe me një shtytje që u ka dhënë të rinjve që të merren me film”, tregon ai