Sarajeva është ngritur në këmbë pak orë para se në skenën e Teatrit Kombëtar të ngjitet shfaqja nga Kosova “Të gjashtët kundër Turqisë”, të cilën autoritetet turke me ngulm kërkojnë ta anulojnë, duke e konsideruar si “propagandë kundër këtij shteti dhe presidentit të saj”.
Tash, kundër saj kanë dalë edhe veteranët e luftës në BH, që kanë kërkuar “urgjentisht anulimin e saj”, përderisa janë kërcënuar edhe me “protesta masive”. Teatri Kombëtar i Sarajevës është i vendosur që shfaqje me tekst të Jeton Nezirajt e me regji të Blerta Nezirajt, të jepet ashtu siç është paraparë. Ekipi i Kosovës tashmë ka arritur atje.
Por ajo që njihet si Koordinimi i Shoqatave të Veteranëve të Ushtrisë së Republikës së Bosnjë-Hercegovinës ka dalë me një komunikatë për media, në të cilën thekson se u drejtohet opinionit dhe institucioneve përgjegjëse, Qeverisë së Kantonit të Sarajevës dhe Ministrisë së Kulturës me një kërkesë të qartë: që këtë shfaqje ta largojë menjëherë nga repertori i Teatrit Kombëtar të Sarajevës.
Në komunikatë shkruhet se në notën diplomatike të dërguar nga Ambasada e Republikës së Turqisë në Sarajevë thuhej qartë se shfaqja “është ofenduese për Republikën e Turqisë, sepse përmban 'propagandë në favor të organizatës terroriste FETO kundër Turqisë dhe presidentit të saj të zgjedhur ligjërisht’. Për Koordinimin e Shoqatave të Veteranëve të Ushtrisë së Republikës së Bosnjë-Hercegovinës, ky akt “është jo vetëm i papranueshëm politikisht, por edhe i dëmshëm kulturor, sepse BH-ja, siç shkruhet në komunikatë, nuk duhet të jetë vend për promovimin e jotolerancës dhe të pavërtetave, veçmas në marrëdhëniet me miqtë tanë që na kanë ofruar mbështetje vetëmohuese gjatë historisë”.
“Edhe pse organizatorët e kësaj shfaqjeje bazohen në ‘liri artistike’, konsiderojmë se ky rast nuk ka të bëjë me artin që kontribuon në ngritjen kulturore dhe kohezionin social, por më tepër me një përpjekje për të manipuluar opinionin publik për qëllime politike. Arti, edhe pse i lirë, nuk guxon të shërbejë si mjet për nxitjen e urrejtjes, përçarjes dhe përçarjeve politike, veçanërisht në kohën kur Bosnjë-Hercegovina duhet të ruajë kredibilitetin dhe stabilitetin e saj ndërkombëtar”, thuhet në komunikatën e Koordinimit të Shoqatave të Veteranëve të Ushtrisë së Republikës së Bosnje-Hercegovinës.
Sipas veteranëve, lidhjet me Republikën e Turqisë janë historike, vëllazërore dhe të pathyeshme.
“Turqia na mbështeti me krenari në momentet më të vështira të luftës sonë për mbijetesë dhe nuk duhet ta harrojmë kurrë atë solidaritet të jashtëzakonshëm. Sot, teksa Bosnjë-Hercegovina përballet me kërcënimet e destabilizimit të brendshëm, Turqia mbetet një partner kyç në skenën ndërkombëtare, me të cilin ndajmë interesa, vlera dhe lidhje historike. Këto lidhje nuk duhet të cenohen në asnjë mënyrë dhe një shfaqje që përmban elemente të propagandës politike kundër popullit vëllazëror në Turqi është absolutisht e papranueshme”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë thuhet se kërkesa është e qartë dhe urgjente.
“Duam të themi qartë dhe pa mëdyshje se nuk do të lejojmë që lufta e Ushtrisë së Republikës së BH-së të relativizohet e të mohohet roli i presidentit të parë të ndjerë Alija Izetbegoviq, i cili ishte lideri kryesor në luftën tonë për lirinë dhe mbijetesën e Bosnjë-Hercegovinës. Përpjekje të tilla kanë vetëm një qëllim: të përçajnë popullin tonë dhe ta bëjnë të pakuptimtë luftën e tij për liri. Tendencat e tilla duhet të ndalen në çdo hap”, shkruhet aty.
Koordinimi i Shoqatave të Veteranëve të Ushtrisë së Republikës së Bosnjë-Hercegovinës u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve kompetente që urgjentisht të marrin masa dhe ta largojnë këtë shfaqje nga repertori i Teatrit Kombëtar.
“Nëse autoritetet përgjegjëse nuk ndërmarrin hapa konkretë, u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të shoqatave të veteranëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, luftëtarëve të demobilizuar dhe të gjithë patriotëve të Bosnjë-Hercegovinës që t’iu bashkohen protestave masive, të cilat do të organizohen në ditët në vijim. Bosnjë-Hercegovina është atdheu ynë dhe ne do ta mbrojmë atë me të gjitha mjetet, sepse liria që na dhanë mbi të gjitha dëshmorët tanë dhe luftëtarët e Ushtrisë së Republikës së Bosnjë-Hercegovinës është jashtëzakonisht e vlefshme”, thuhet në komunikatë.
Thirrjet për anulim e ato në mbështetje të shfaqjes e të lirisë artistike kanë shpërthyer prej të premtes së kaluar, kur Ambasada e Turqisë në Bosnjë-Hercegovinë doli me notën “urgjente” diplomatike.
Sot në orën 14:30 është paraparë të mbahet një konferencë për media në Teatër sa i përket produksionit të qendrës “Multimedia”, që do të jepet në kuadër të programit “Teatri regjional”.
“Ne natyrisht jemi të gatshëm për ta dhënë shfaqjen. Me gjithë kundërshtitë e pakënaqësinë e një pjese të politikës atje, shfaqja do të jepet”, kishte thënë dramaturgu Jeton Neziraj me të mbërritur në Sarajevë të dielën vonë. Sipas tij, më shumë se kundërshti ka pasur mbështetje.
“Vërtet ka qenë inkurajuese mbështetja e parezervë e Teatrit Kombëtar të Sarajevës, e komunitetit artistik, intelektualëve dhe e një pjese të madhe të mediave”, ka thënë autori i tekstit të shfaqjes, i cili po ashtu është edhe udhëheqës i qendrës “Multimedia”.
Zërat e disa politikanëve kundër dhënies së shfaqjes kanë vazhduar. Anëtari i Kuvendit të Kantonit të Sarajevës, Jasmin Shaljiq, u ka bërë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës që, si themelues dhe financues, të ndikojnë te menaxhmenti i Teatrit Kombëtar të Sarajevës që të anulohet shfaqja “e kësaj vepre fyese për autoritetet turke, e cila po arsyetohet me pretendimin se është liri artistike”.
“Çfarë lirie artistike është kjo që të ofendojmë mbi 80 milionë turq, të ofendojmë udhëheqjen e Republikës mike të Turqisë dhe presidentin e saj me ndikim, Erdogan, dhe këtë në një situatë politike të tillë, kur ndihma dhe ndikimi i Turqisë në skenën rajonale dhe botërore janë tejet të nevojshme – për shkak të një shfaqjeje së paku kontroverse nga Kosova....”, kishte deklaruar ai.
Të shtunën për këtë çështje ishte deklaruar edhe ministri i Mbrojtjes i Bosnjë-Hercegovinës, Zukan Helez. Ai kishte porositur se “në kontekstin e informacionit që në Sarajevë do të jepet shfaqja drejtuar kundër Turqisë dhe me elemente të përkrahjes së organizatës terroriste FETO, të gjithë ata të cilët veprojnë në hapësirën publike duhet të kenë kujdes që të mos cenojnë raportet me këtë vend mik”.
Por menaxhmenti i Teatrit ka qenë i prerë. Një ditë pasi u bë publike nota, drejtori i Teatrit, regjisori Dino Mustafiq, në një deklaratë zyrtare ka shkruar se institucioni që ai udhëheq “nuk njeh asnjë formë të censurës ideologjike”.
“Artistët, mysafirë e vendorë mund të shqyrtojnë në mënyrë kritike rrethanat shoqërore dhe kohët në të cilat jetojmë. Arti në shoqëritë e lira dhe demokratike, vlera që ne i mbrojmë, nuk njeh kufizime tematike për lirinë e mendimit dhe të shprehjes. Kemi luftuar për vlera të tilla në çdo kohë dhe rrethana dhe kjo nuk mund të shembet me asnjë presion politik”, shkruhej në deklaratën e Mustafiqit.
Në fakt shfaqjen “Të gjashtët kundër Turqisë” janë autoritetet turke që e cilësojnë si propagandë kundër këtij shteti dhe presidentit të saj. E kanë cilësuar kësisoj tërthorazi qysh në premierë në tetorin e vitit të kaluar në Prishtinë, e tash zyrtarisht edhe me notën diplomatike drejtuar BH-së. Ambasada e Turqisë nëpërmjet notës shpreh “kundërshtimin e ashpër” për këtë shfaqje, duke konstatuar se ajo është “propagandë në favor të FETO-s, organizatës terroriste kundër Turqisë dhe presidentit të saj”.