Pesha e veshjes së Hasit nuk qëndron vetëm tek estetika e trashëgimia kulturore. Ajo zbërthen historinë, anën sociale të një rajoni të tërë. Në tryezën në kuadër të projektit “Tradicionale e Gruas Hasjane 3”, implementuar nga sociologia Gentione Gigollaj-Shalaj, e cila përditë e më shumë po i jep tjetër dimension kësaj veshjeje. Në tryezë, veshja e Hasit është cilësuar si një prej veshjeve më unike jo vetëm në regjion, por edhe në botë dhe për këtë duhet t’u bartet edhe gjeneratave
Veshja tradicionale e gruas hasjane është pasuri kombëtare që duhet ruajtur dhe bartur te brezat e ardhshëm, e për këtë janë numëruar disa arsye, të premten në Prizren gjatë një tryeze të mbajtur në këtë temë. Me këtë rast është prezantuar puna në vazhdimësi e hulumtueses, Gentione Gigollaj-Shalaj, në mbledhjen dhe kompletimin e veshjes tradicionale të këtij rajoni.
“Veshja Tradicionale e Gruas Hasjane 3”, sipas saj, do t’i dhurohet Muzeut në Gjakovë, pas përvojave të mëparshme me muzetë përkatëse në Prizren dhe në Prishtinë.
“Qëllimi i këtij projekti është i thjeshtë dhe i qartë: mbledhja e një kostumi tradicional të gruas hasjane e pastaj bëhet dorëzimi në muze, aty ku më së miri ruhen këto vlera kombëtare dhe kulturore, pra në përgjithësi promovohet dhe ruhet trashëgimia kulturore e vendit tonë”, ka thënë Gentione Gigollaj-Shalaj, teksa ka pohuar se projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Sipas saj, mbledhja e kostumit të tillë nuk është një ndërmarrje e lehtë, pasi që faktori kohë dhe zhvillimet bashkëkohore kanë sjellë një mori sfidash në këtë drejtim.
“Në fakt, nuk është edhe lehtë për shkak se veshja tradicionale hasjane ka pësuar shumë ndryshime dhe ajo veshje e mëhershme që ka pasur funksione të tjera, që ka paraqitur motive të ndryshme dhe pastaj është punuar me një llojshmëri të ngjyrave të shumta, ajo veshje më nuk mund të gjendet lehtë. Ndërsa kjo veshja e re sot që e ka funksionin më shumë ceremonial dhe përdoret për ditë festive ajo mund të gjendet lehtë”, ka deklaruar ajo.

Në të njëjtën kohë ka sqaruar se informatat dhe pjesët e veshjeve të Hasit i ka mbledhur falë dhjetë grave hasjane në fshatrat e Prizrenit dhe të Gjakovës, disa prej të cilave edhe i kanë dhuruar kostumet që më pastaj do t’i dhurohen Muzeut në Gjakovë.
Gigollaj-Shalaj ka vlerësuar se kjo pasuri kombëtare duhet të ruhet meqë traditat popullore dhe veshjet tradicionale më së miri e tregojnë identitetin kombëtar, kulturor dhe përfaqësojnë trashëgiminë kulturore të kësaj ane.
Ndërkaq, aktivisti kulturor e politik nga treva e Hasit, Haziz Hodaj, ka pohuar se është me rëndësi që të diskutohen problemet që sfidojnë ruajtjen e kësaj tradite sikurse edhe për gjetjen e mënyrave të bartjes te gjeneratat e reja të kësaj veshjeje unike që, sipas tij, shquhet me shumë karakteristika.
është e rëndësishme, sepse është njëra prej veshjeve më unike jo vetëm në regjion, por do të thosha në botë. Shquhet edhe për koloritin e jashtëzakonshëm, edhe për estetikën e jashtëzakonshme, por edhe për vlerat e trashëgimisë sonë. Është njëra ndër veshjet më të vjetra, njëra ndër veshjet që për fat të mirë ende ruhet dhe përdoret në regjionin e Hasit”, ishte shprehur Hodaj, që drejton shoqërinë kulturo-artistike “Malësori” dhe festivalin “Hasi Jehon”.
Në anën tjetër, historiani Parim Kosova ka theksuar se duhet shtuar kujdesin drejt ruajtjes së veshjeve të të gjitha krahinave etnografike shqiptare, e në veçanti të arealit të Kosovës.
“Veshja e Hasit ka karakteristikat e veta, krahina etnografike e Hasit ka pësuar edhe fate jo fort të mira, të ndarjes së padrejtë, ku gjysma e territorit të Hasit mbeti në Shqipëri e gjysma këndej, dhe sikurse krahinat e tjera etnografike edhe krahina e Hasit i ka disa specifika të veshjeve”, ka thënë Kosova, duke shtuar se te to dallohen elementet florale, gjeometrike, e të tjera. Sipas tij, treva e Hasit ka pësuar shkatërrime nga forcat serbe që kanë pasur efekt negativ edhe në veshjet tradicionale. Ai ka propozuar që në Gjonaj të Hasit të themelohet një muze ku do të prezantoheshin jeta dhe veshja tradicionale e kësaj ane.

Në shkurt të vitit të kaluar, Gentione Gigollaj-Shalaj pasuroi me veshjen e Hasit Muzeun Etnologjik në Prishtinë, në kuadër të “Veshja Tradicionale e Gruas Hasjane 2”. Në ceremoninë e pranim-dorëzimit dhe hulumtimit, ajo kishte treguar se ka realizuar disa intervista me gratë e këtij rajoni e të cilat i kishin thënë se në të kaluarën vajzat, para se të martoheshin, kanë punuar deri në 17 veshje me kollanë, si parapërgatitje për jetën e re martesore. I kanë punuar duke i klasifi¬kuar në bazë të destinacionit, stinëve, punëve, gjendjes emocionale. Seria përbëhej nga veshjet e përditshme, për ditë festive, dasma, veshje për të punuar arat e fushat, për të bartur ujin, veshje për shëtitje e udhëtime. Gigollaj-Shalaj, gjatë procesit hulumtues, kishte parë se si kjo veshje ka pësuar ndryshime sa u përket funksionit dhe motiveve, andaj në Muzeun Etnologjik kishte dashur që të ekspozojnë një veshje që mbledh motivet e veshjeve që janë përdorur në të kaluarën në mënyrë që ta bartin historinë e saj te gjeneratat e reja.
“Vjetërsia e veshjes në tërësi është diku rreth 50 vjet. Kjo veshje që e kemi dërguar përdoret për ditë festive nga gratë që kanë qenë më të reja në moshë. Ka ndryshuar edhe sa u përket motiveve. Në të kaluarën, i ka paraqitur motivet floreale, gjeometrike dhe zomorfve përmes dizajnit që është paraqitur në pjesët përbërëse të veshjes, ndërsa sot forma e veshjes për ditë festive më së shumti i paraqet motivet floreale. E kemi dorëzuar që një pasuri e tillë të ekspozohet dhe të shihet edhe nga gjeneratat e reja”, kishte treguar Gigollaj- Shalaj.
Jetesa e vështirë e grave në trevat e Hasit përgjatë kohësh ka bërë që ato të gjejnë mënyra për të shprehur pakënaqësinë apo lumturinë, por edhe gjendjen martesore dhe statusin social. Të gjendura në një rreth të fortë patriarkal, shprehja e ndjenjave të ndrydhura për gratë e kësaj ane ishte mundësuar në saje të punës në përgatitjen e veshjeve. Vite më parë studiuesi i etnografisë së Hasit, Nexhat Çoçaj, për “Kohën Ditore” kishte shpjeguar se si vlerat dhe motivet artistike në veshjen e grave të Hasit më së miri mund të hetohen në grykat e këmishëve, në qemerët e kanacëve, në mshtjellakët, në sylykët e maramave të grave, në shputa, meste e çorapë, por edhe në qilima, këllëfë të jastëkëve e të dyshekëve.
“Gjuha artistike e veshjeve tradicionale të Hasit vjen dhe bëhet gjuhë e komunikimit masiv, sa më tepër që përpiqesh të futesh në esencën e një morie ornamentesh të qëndisura apo edhe të endura me vek...Kostumet tradicionale të Hasit janë të pasura me larmi të ornamenteve që secila në mënyrën e saj e bën prezantimin e një pjese të botës emocionale, që e rrethon jo vetëm artisten (gruan hasjane) që i prezanton këto ornamente përmes punës së saj, por edhe botën me dobësitë dhe përparësitë që e rrethon shoqërinë e këtij mjedisi”, kishte thënë Çoçaj për “Kohën Ditore”. Sipas tij, veshja tradicionale e Hasit është e lidhur ngushtë me veprimtarinë ekonomike të banorëve të kësaj treve, por edhe me gjendjen e tyre sociale, me ç’rast përmes punimit të veshjes janë vënë në spikamë dallimet e zhvillimit të shoqërisë në këtë rajon, derisa mënyra dhe shprehja e motiveve në veshje ka pasqyruar emocionet e brendshme shpirtërore.