Kulturë

Veshja e Hasit pasuron Muzeun Etnologjik me kolorit, traditë e mjeshtri

Koleksioni i veshjeve i Muzeut Etnologjik prej së premtes është pasuruar me një tjetër veshje tradicionale. Është ajo e gruas së Hasit, që në këtë institucion zë vend si dëshmi e mjeshtërisë, traditës e jo vetëm. Edhe ekspozimi i saj në ditën e pranim-dorëzimit ka përçuar koloritin që e karakterizon, e secili prej detajeve të saj është rrëfim më vete. Hulumtimi dhe pranim-dorëzimi i saj u bënë në kuadër të projektit “Veshja Tradicionale e Gruas Hasjane 2”

Prishtinë, 26 shkurt – Elemente të veshjeve të Hasit që janë veshur nga gratë të cilat e plakin ditën atje, sot kanë krijuar një mozaik ngjyrash e historish në një veshje të vetme. Dikur e përdorur në përditshmëri, ka kohë që tash shihet rrallë, rëndom për festa.

Një veshje e tillë tradicionale e gruas hasjane të premten i është dhuruar Muzeut Etnologjik të Kosovës. Është ekspozuar në mes të dhomës së madhe në shtëpinë e zjarrit të shekullit XVIII, në kompleksin “Emingjiku”. Elementet e shumta që e përbëjnë atë dëshmojnë se kjo veshje do goxha kohë për t’u veshur, e detajet shumëngjyrëshe se do edhe më shumë kohë për t’u punuar. Por përveç funksionit, sot ka ndërruar edhe mënyra se si punohet. Ndryshe njihet edhe si veshja e grave me kollanë e që veçohet për veçantitë për nga pamja, funksioni, mënyra se si punohet dhe historia. E merr emërtimin e saj nga brezi, i cili quhet kollan në të folurit e rajonit të Hasit. Kollani shoqërohet me pjesët e tjera, por, meqenëse ai vendoset në bel dhe i lidh rrobat në pjesën e sipërme dhe të poshtme të veshjes, konsiderohet si pjesa kryesore ose baza e veshjes.

Hulumtimi dhe pranim-dorëzimi i saj u bënë në kuadër të projektit “Veshja Tradicionale e Gruas Hasjane 2”, implementuar nga sociologia Gentionë Gigollaj-Shalaj, e cila ka realizuar disa intervista me gratë e këtij rajoni e të cilat thonë se në të kaluarën vajzat, para se të martoheshin, kanë punuar deri në 17 veshje me kollanë, si parapërgatitje për jetën e re martesore. I kanë punuar duke i klasifi­kuar në bazë të destinacionit, stinëve, punëve, gjendjes emocionale. Seria përbëhej nga veshjet e përditshme, për ditë festive, dasma, veshje për të punuar arat e fushat, për të bartur ujin, veshje për shëtitje e udhëtime.

Gigollaj- Shalaj gjatë procesit hulumtues ka parë se si kjo veshje ka pësuar ndryshime sa u përket funksionit dhe motiveve, andaj në Muzeun Etnologjik kanë dashur që të ekspozojnë një veshje që mbledh motivet e veshjeve që janë përdorur në të kaluarën në mënyrë që ta bartin historinë e saj tek gjeneratat e reja.

“Vjetërsia e veshjes në tërësi është diku rreth 50 vjet. Kjo veshje që e kemi dërguar përdoret për ditë festive nga gratë që kanë qenë më të reja në moshë. Ka ndryshuar edhe sa u përket motiveve. Në të kaluarën i ka paraqitur motivet floreale, gjeometrike dhe zomorfve përmes dizajnit që është paraqitur në pjesët përbërëse të veshjes, ndërsa sot forma e veshjes për ditë festive më së shumti i paraqet motivet floreale. E kemi dorëzuar që një pasuri e tillë të ekspozohet dhe të shihet edhe nga gjeneratat e reja”, ka treguar Gigollaj- Shalaj.

Image
Hulumtimi dhe pranim-dorëzimi i veshjes u bënë në kuadër të projektit “Veshja Tradicionale e Gruas Hasjane 2”, implementuar nga sociologia Gentionë Gigollaj-Shalaj

Veshja tradicionale e Hasit dikur punohej kryesisht me veg. Njësoj me veg punohej edhe pëlhura e përbërë nga materiali i pambuktë. Penjtë janë prej mëndafshi. Përveç maramës, qystekut, rrëfanava, raftit, vargut, dorëzave dhe të mbathurave, të cilat janë qëndisur nëpërmjet gjergjefit, të gjitha pjesët e tjera janë punuar nëpërmjet vegut. Ndërsa sot, kjo veshje ka ndërruar edhe mënyrën se si punohet, kryesisht realizohet me gjergjef, në materialin e quajtur panama, ku fillimisht paraqitet dizajni i punuar në të e më pas qëndiset.

Albina Morinës, që jeton në Petrinjë të Kroacisë, kjo veshje ia kujton gjyshen, e cila dikur e kishte veshur e punuar këtë veshje.

“Më lidh shumë me Hasin, sepse meqë jam lindur e rritur në Kroaci, sa herë që kam shkuar në Has e kam parë gjyshen time që e ka mbajtur të veshur këtë veshje. E kam parë gjyshen time duke bërë e veshur çdo ditë, duke e harxhuar një orë ose dy orë gjatë ditës duke e veshur atë, sepse është shumë e komplikuar. Por që tradita vazhdon, dhe edhe ne të rejat po e veshim zakonisht nëpër dasma”, ka thënë ajo.

Gjatë 14 vjetëve të funksionimit, Muzeut Etnologjik qytetarët i kanë dhuruar eksponate të ndryshme. Në fillim të muajit shkurt i janë dhuruar tetë eksponate tekstili nga mësuesja Nezafete Karaxhiu-Çitaku, kurse vitin e kaluar atij iu dhurua tavani i shtëpisë mbi 100-vjeçare, i punuar në drugdhendje nga shtëpia në skaj të asaj që njihet si Prishtina e Vjetër. Objekti i moçëm, që nuk mbrohej si monument do t’u hapë rrugë ndërtimeve të reja, e pronari i mëparshëm, Petrit Riza, e ai i tanishmi, Sokol Shasivari, ishin bërë shkas që të mos humbnin krejt gjurmët e tij, duke dhuruar tavanin që dëshmon mjeshtërinë e dibranëve.

Ilir Sopjani, etnograf në Muzeun Etnologjik, ka thënë se veshja e Hasit e pasuron koleksionin e veshjeve nga rajone të ndryshme të Kosovës.

“Kemi veshje nga rrafshi i Dukagjinit, Drenicës, veshjen e goranëve të Hasit dhe veshje që kryesisht janë të fokusuara në veshje martesore, pasi që këto veshje janë të pasuruara më shumë me motive florale, gjeometrike dhe ngjyrat dominojnë më shumë dhe edhe veshja e Hasit dallon prej veshjeve të tjera sa i përket pranisë së ngjyrave”, ka thënë Sopjani.

Vetëm njëri objekt i Muzeut Etnologjik në Prishtinë është i hapur për vizitorë, pasi që objekti kryesor është në proces të rinovimit që nga viti 2017. Shtëpia e mysafirëve, njëri prej katër objekteve të kompleksit të “Emingjikut” – në dy prej të cilëve zë vend Muzeu Etnologjik tash e tre vjet është në restaurim. Në tetor të vitit 2017 u ndërprenë punimet për të rinisur në dhjetorin e vitit të kaluar e që u kritikuan ashpër, pasi aty po përdoret çimento e hekur. U ndërprenë pas pak ditësh, por jo për shkak të mënyrës së ndërhyrjes. Objekti i shekullit XIX vazhdon të mbetet i zhveshur nga fasada e pa shumicën e dritareve. Ka gati pesë vjet që Muzeu Etnologjik funksionon vetëm me njërin objekt – Shtëpinë e zjarrit të shekullit XVIII.