Kulturë

Vërejtje me shkrim drejtorëve për bllokim të punës së Teatrit në grevë

Teatri Kombëtar i Kosovës

Drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, dhe udhëheqësi artistik, Kushtrim Mehmeti, në dosjen e tyre në institucion, prej ditës së parë të kësaj jave kanë nga një “Vërejtje me shkrim”. Në vendime shkruhet se Këshilli Drejtues ka marrë vendim për shqiptimin e masës disiplinore “vërejtje me shkrim”, për shkak të bllokimit të punës në institucionin e TKK-së me rastin e grevës së një pjese të aktorëve të ansamblit rezident të Teatrit. Aktorët ishin në grevë nga gjysma e nëntorit deri në fund të shkurtit e vërejtjet vijnë tek tash

Teatri Kombëtar i Kosovës duket të jetë në një konkurrencë të brendshme. Është njëfarë gare midis dramave në skenë dhe atyre jashtë saj. Shpesh “dramat” jashtë skenës po ua marrin anën atyre për çfarë ekziston Teatri. E fundit “dramë” jashtë skenës është ajo me dy akte, vërejtjet e Këshillit Drejtues për drejtuesit e institucionit: drejtorin e përgjithshëm dhe udhëheqësin artistik. 

Kushtrim Sheremeti dhe Kushtrim Mehmeti në dosjen e tyre në institucion prej ditës së parë të kësaj jave kanë nga një “Vërejtje me shkrim”. Është masë disiplinore për punën që kanë bërë gjatë periudhës së grevës së aktorëve, por u është shqiptuar më shumë se një muaj pas pezullimit të saj. 
Vërejtja me shkrim u është shqiptuar që të dyve përnjëherë. Vendimi është identik. Dallon pos tek emri. Ka katër vota pro dhe një abstenim. Madje vendimet e nënshkruara nga kryetarja e Këshillit Drejtues, Visare Aliu, edhe gabimet drejtshkrimore i kanë të njëjta. 

Në vendime shkruhet se Këshilli Drejtues ka marrë vendim për shqiptimin e masës disiplinore “vërejtje me shkrim”, për shkak të bllokimit të punës në institucionin e TKK-së me rastin e grevës së një pjese të aktorëve të ansamblit rezident të Teatrit. Aktorët ishin në grevë nga gjysma e nëntorit deri në fund të shkurtit. 

“Me gjithë kërkesat e vazhdueshme të Këshillit Drejtues që në këtë periudhë Teatri Kombëtar i Kosovës të vazhdojë punën me koproduksione dhe me pjesën tjetër të aktorëve, të cilët nuk kanë qenë në grevë, menaxhmenti nuk ka treguar vullnet për të realizuar asnjë projekt gjatë kësaj periudhe”, shkruhet në arsyetim. Sipas vendimit, Këshilli Drejtues konsideron se anulimi i festivalit “Moisiu”, për shkak të grevës së një pjese të ansamblit rezident të TKK-së, ka dëmtuar reputacionin e vetë TKK-së duke mos e përfillur edhe marrëveshjen ndërshtetërore mbarëshqiptare midis Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. 

Vjet në nëntor TKK-ja ishte përgatitur për të qenë nikoqire e festivalit. Por pak ditë para se të niste ngjarja, filloi greva dhe po në shfaqjen e përgatitur për hapjen e Festivalit luanin edhe aktorë që ishin në grevë. 

Dyshja që ka marrë vërejtje është shprehur e befasuar. 

“Ishte befasuese, por nuk kam asnjë koment. Meqenëse çështja është ligjore, e kam autorizuar avokatin tim që të kthejë përgjigje dhe të ushtrojë veprimet e tjera ligjore”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Kushtrim Sheremeti, në përgjigjen për KOHËN. 

“Me gjithë kërkesat e vazhdueshme të Këshillit Drejtues që në këtë periudhë Teatri Kombëtar i Kosovës të vazhdojë punën me koproduksione dhe me pjesën tjetër të aktorëve, të cilët nuk kanë qenë në grevë, menaxhmenti nuk ka treguar vullnet për të realizuar asnjë projekt gjatë kësaj periudhe”, shkruhet në vërejtjet me shkrim për drejtorin e përgjithshëm dhe udhëheqësin artistik të TKK-së 
 

E udhëheqësi artistik, Kushtrim Mehmeti, ka qenë pak më i “butë” në përgjigje. Ka thënë se “sikurse gjatë grevës, ashtu edhe sot, beson thellësisht se Teatri nuk duhet të ndalet asnjëherë, ai duhet të punojë në çdo rrethanë që krijohet, pavarësisht vështirësive apo sfidave”. 

“Për mua, teatri është më i rëndësishëm se vetja ime apo çdo gjë tjetër. Është e parëndësishme nëse pajtohem apo jo me vendime të caktuara, por ajo që nuk e pranoj është ndalja e punës. Ne, individët, vijmë e shkojmë, por publiku kërkon teatër, ka nevojë për të”, ka thënë Mehmeti. Nuk është lëshuar te vërejtja që i është shqiptuar. 

“Kam vërejtje, natyrisht, siç ka secili që i qaset me përgjegjësi punës së përbashkët, por ajo që mbetet esenciale është që dje, sot dhe nesër, teatri duhet të ecë përpara. Kjo është përgjegjësia jonë më e madhe”, ka thënë ai. 

KOHA në dy forma ka provuar që të ketë një qëndrim shtesë të kryetares së Këshillit Drejtues, Visare Aliu. Por gjatë ditës së mërkurë kjo ka qenë e pamundur. Këto vërejtje dalin të jenë derivat i grevës së gjatë që e bëri TKK-në jofunksionale. 

Në fund të shkurtit aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë pezulluar grevën pas më shumë se tre muajsh. Ky pezullim ka ardhur pasi kanë marrë “porosi” nga ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, se kërkesat e tyre do të plotësohen brenda nja tri javësh. Praktikisht nuk janë plotësuar ende, por administrata është vënë në lëvizje për këtë. Pezullimi po ashtu u bë pasi vetë disa aktorë kishin thënë se janë kërcënuar indirekt me ndalje të pagave e largim nga vendi i punës.

“Pas një greve tremujore dhe insistimit tonë të vazhdueshëm për një konfirmim zyrtar nga Ministria e Kulturës lidhur me afatin e zgjidhjes së çështjes së ekuivalentimit të pagave të aktorëve, na është komunikuar verbalisht nga një anëtare e Bordit të Teatrit Kombëtar se ministri Hajrullah Çeku është zotuar që kjo çështje do të zgjidhet brenda tri javësh”, shkruhej në njoftimin zyrtar të Shoqatës Sindikale të Aktorëve të TKK-së, kur bëri të ditur pezullimin. 

Kjo kishte ndodhur pak ditë pasi aktorët i ishin drejtuar me një letër ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ku ia kanë bërë me dije se ka kaluar koha ligjore e ndërmjetësimit. Kishin kërkuar që të dinin se deri ku ka shkuar procesi i plotësimit të kërkesave të tyre dhe janë shprehur të gatshëm për takim të përbashkët. Por MKRS-ja zyrtarisht s’u kishte dhënë ndonjë përgjigje.

Në ditën e shpalljes së grevës më 17 nëntor të vitit të kaluar aktorët kishin thënë se mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë. Konsiderojnë se janë degraduar me Ligjin për pagat në sektorin publik dhe kërkojnë “asgjë më shumë se kthim ku kanë qenë të ranguar”. Këtë kërkesë e kanë pasur edhe kur kishte nisur aplikimi i këtij ligji para dy vjetësh. Koeficienti i tyre ishte përcaktuar të jetë 8, kurse kërkesat qenë për 11. Përkthyer në shuma: paga e aktorit të kategorisë së parë me koeficient 8 është 880 bruto.

Deri te greva aktorët kanë ardhur pas paralajmërimit të parë në mes të shtatorit, kur provat kishin nisur me 10 minuta vonesë. Mosmbajtja e festivalit “Moisiu” që një prej derivateve të grevës. TKK-ja kishte hyrë në obligime jo të vogla për këtë festival. Pjesë e obligimeve është edhe shfaqja “Emira”, që po përgatitej nën regji të Kushtrim Bekteshit. Ende nuk është dhënë premiera. Pritet të gjendet një kohë që të kthehet produksioni, që premierën parashihej ta kishte pak ditë pas nisjes së grevës.