Kulturë

“Vera andrron detin” triumfon në Suedi si film që shtyn kufijtë e strukturave patriarkale

Këtë vit Çmimi për filmin debutues ndërkombëtar në kategorinë garuese “Ingmar Bergman” i takon filmit “Vera andrron detin”, nën regji të Kaltrina Krasniqit. Sipas vlerësimit të jurisë me një strukturë të arrirë, çdo skenë filmi e bën për vete publikun dhe e dërgon më thellë brenda vështirësive me të cilat përballet heroina kryesore, derisa i shtynë kufijtë e çimentuar të strukturave patriarkale.

“Duke i lënë anëtarët e familjes të ndërveprojnë në një mënyrë të sofistikuar, regjisorja krijon një portret prekës dhe emocionues të një shoqërie mbytëse dhe guximin që duhet për t’u dëgjuar”, ishte vlerësimi i jurisë në përbërje nga regjisorja suedeze, Nathalie Álvarez Mesén, aktorja suedeze Asta Kamma August, norvegjezi Martin Eia-Revheim, Norway dhe producenti brazilian Rafael Sampaio.

Çmimi është një bashkëpunim në mes të fondacionit “Bergman Foundations” dhe nënkupton mundësi qëndrimi në “Bergmangårdarna” në qytetin suedez Fårö dhe një vizitë personale në arkivin e Bergmanit në Stokholm.

Ernst Ingmar Bergman (14 korrik 1918 – 30 korrik 2007) regjisori, skenaristi dhe producenti suedez qe një ndër filmbërësit më me ndikim i të gjitha kohërave. Filmat e tij njihen si “meditime thellësisht personale brenda sfidave të pafundme që lidhen me psikiken dhe shpirtëroren”. Krasniqi, gjatë pranimit të Çmimit, ka thënë se me krijimtarinë e këtij regjisori ishte njoftuar gjatë viteve ‘90. Në kohën kur në Kosovë pritej të niste lufta.

“Filmat e tij kanë qenë një hapësirë e qetësisë dhe çmendurie gjatë kohëve të luftës dhe ky çmim nënkupton shumë për mua në shumë mënyra komplekse, që nuk mund t’i them tani në këtë fjalim të shkurtër”, ka thënë regjisorja gjatë pranimit të Çmimit, gjersa ka falënderuar ekipin dhe jurinë për vlerësimin që i kanë bërë filmit të saj debutues të metrazhit të gjatë.

Festivali i Filmit në Göteborg, me të bërë të ditur programin e sivjetmë, e ka përshkruar filmin e Krasniqit si një portretizim të sofistikuar të një gruaje të fortë që kundërshton shoqërinë patriarkale. “Vera andrron detin” ishte në mesin e 8 filmave në kategorinë garuese “Ingmar Bergman”, dhe pati 4 shfaqje në atë që njihet si një prej ngjarjeve më të mëdha të filmit në vendet skandinave.

Këtë edicion ishin 200 filma nga 75 vende të botës. Dhjetë ditë festë të mbushura me diskutime, intervista e shumë më shumë. Edicioni i 45-të i Festivalit të Filmit në Göteborg nisi më 28 janar dhe përfundoi më 6 shkurt. Festivali u rikthye në kinema pas një edicioni të suksesshëm online. Por këtë vit, çdo ditë, nga tre filma patën edhe premierën e tyre në platformën online të Festivalit.

“Në këtë mënyrë ndjenjat që e karakterizojnë premierën në një festival të mund të përjetohen në çdo dhomë në të gjithë Suedinë”, shkruante në njoftimin e Festivalit.

Regjisorja Kaltrina Krasniqi për KOHËN, me të marrë vesh lajmin që filmi është në garë, kishte thënë se gjithmonë i ka pëlqyer ky festival.

“Festivali në Göteborg bën një seleksionim shumë të hollë të filmave. Andaj, jam shumë e nderuar që do të jemi pjesë e garës ‘Ingmar Bergman’ në edicionin e 45-të”, kishte thënë regjisorja për festivalin, i cili si moto të përvitshme e ka “të dërguarit e botës në Göteborg”.

Debutimi i Krasniqit në metrazh të gjatë u dha premierë botërore në shtatorin e vjetëm në edicionin e 78-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecie. U largua pa trofe nga Venecia për në Egjipt e Japoni. Ishte në konkurrencë zyrtare në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kajro dhe atë të Tokios, ku triumfoi. U vlerësua vizioni dhe regjisorja Krasniqi u bë regjisorja e parë që mori çmimin kryesor të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tokio dhe bëri që për herë të parë vendi të ishte në garën zyrtare të këtij festivali prestigjioz.

Me skenar të Doruntina Bashës, filmi është një dramë gjysmëbiografike e regjisores.

I ndërtuar rreth eksperiencës së vërtetë të nënës së Krasniqit, filmi ka në fokus një interpretuese të gjuhës së shenjave, Verën (Teuta Ajdini-Jegeni), e cila detyrohet të luftojë kundër patriarkatit për të fituar trashëgiminë e burrit të saj, Fatmirit (Xhevat Qorraj). Pasi që Fatmiri vret veten, ajo mund të humbë shtëpinë të cilën dëshiron t’ia lërë vajzës së saj.

Filmi vazhdimisht ka marrë kritika pozitive. Nga “Variety” është cilësuar si rrëfimi magjepsës plot emocione, për çlirimin në shoqërinë shtypëse.

“Të ëndërrosh për detin, merr një rëndësi më të madhe kur ëndërrimtari jeton në një vend pa dalje në det. Nuk është thjesht një fantazi e përtacëve për pushime në plazh dhe kokteje në gotat e dekoruara me kripë në krye – edhe pse Vera (Teuta Ajdini-Jegeni) do ta donte këtë gjithashtu – por siç e dëshmon debutimi i tendosur dhe i trishtë i Kaltrina Krasniqit, ‘Vera andrron detin’, vizioni i një hapësire të gjerë të kaltër që shtrihet deri në një horizont të largët, mund të kthehet në heshtje e në diçka politike për një të ve, e cila befas ndien peshën e patriarkatit kosovar mbi supet e saj tashmë të rënduara”, kishte shkruar Jessica Kiang.

Festivali i Filmit në Göteborg ka filluar në vitin 1979 dhe ka tërhequr vëmendjen e më shumë se 160 mijë vizitorëve çdo vit. Në vitin 2021 mirëpriti 425 mijë vizitorë online. Këtë edicion do të ketë më shumë se 500 shfaqje në kinema me 40 seminare, pastaj koncerte, punëtori dhe shfaqje arti, si dhe shumë aktivitete të tjera.

Festivali bashkë me “Nordic Film Market” janë një nga vendet më të rëndësishme për industrinë e filmit dhe të televizionit në vendet nordike, duke shërbyer si një vendtakim për vizitorë të ndryshëm nga e gjithë bota.

Çdo vit, me dhjetëra kineastë shkojnë në Festivalin e Filmit në Göteborg me disa të ftuar si mysafirë specialë.