Kulturë

“Vera andrron detin” në Venecie – mesazh universal, thirrje nga Kosova

Ka një histori lokale, por universale është tema e filmit “Vera andrron detin”, nën regji të Kaltrina Krasniqit, i cili të mërkurën u dha premierë botërore në Festivalin e Filmit në Venecie. Madhështore është përshkruar pritja që i është bërë në ngjarjen e madhe, por përtej kësaj ekipi i filmit ka pasur edhe një thirrje nga Kosova. Prej atje ka treguar se filmi vjen nga një vend i izoluar

Pak para orës 14:00 të së mërkurës janë hapur dyert e sallës “Darsena” në Venecie. Ky ka qenë sinjal se një premierë botërore do të fillonte pas pak. Hapësira ekuivalente me sallën më të njohur të Festivalit të Filmit në Venecie, atë “Grande”, ka qenë e rezervuar për filmin nga Kosova “Vera andrron detin”, nën regji të Kaltrina Krasniqit. Me 1500 karrige në dispozicion, por në gjysmë kapaciteti për shkak të masave kundër pandemisë, “Vera andrron detin” ka ndezur për herë të parë ekranin për të nisur rrugëtimin e vet. Këtë e ka bërë në festivalin më të vjetër të filmit në botë. E në bazë të asaj që është rrëfyer nga ekipi, pritja që i është bërë filmit ka treguar se rrugëtimi i tij do të jetë i gjatë. Me gjithë konkurrencën e fortë në festivalin që nisi në fillim të këtij muaji, ekipi vazhdon të jetë shpresëplotë që do të kthehen me çmim. Sa për ftesa në festivale të tjera të rëndësishme, tashmë kjo është punë e kryer. Por në ngjarjen e madhe, ende para premierës, artistët e Kosovës kanë bërë edhe një thirrje: atë për liberalizim vizash.

Image
Pritja e ekipit në tapetin e kuq nga drejtori i Festivalit të Venecias, Alberto Barbera (Foto: FB)

Kaltrina Krasniqi për të bërit film

Rrëfimi nga Kosova ka mbushur sallën që sipas rregullave midis dy personave duhej të kishte një karrige boshe. Për 1 orë e 22 minuta ata kanë ndjekur filmin e gjatë debutues të Kaltrina Krasniqit.

Vetë regjisorja në një intervistë për kanalin zyrtar të Festivalit ka thënë se nganjëherë njerëzit mendojnë se po bëjnë një jetë të varfër.

“Pastaj e shikon një film dhe ju zhyteni në këtë eksperiencë, prej së cilës mëson shumë. Të duket sikur jeton me këta njerëz, i kupton dhe i ndien ata dhe mëson nga ata”, ka thënë ajo. Ka treguar se mendon që të bërit film e bën jetën më të lehtë për njerëzit që e bëjnë atë. “Kurse njerëzit që i shikojnë, ata zhyten në një eksperiencë që nuk kanë munduar as ta imagjinojnë. Dhe kjo është e bukura e gjithë kësaj”, ka thënë Krasniqi.

Ajo bashkë me pjesën tjetër të ekipit ka futur publikun në një eksperiencë që elaboron një rrëfim të shtetit më të ri të Evropës. Filmi “Vera andrron detin” në kategorinë “Orizzonti” konkurron për çmimet: Filmi më i mirë, Regjia më e mirë, Çmimi special i jurisë, Aktori dhe aktorja më e mirë, si dhe Skenari më i mirë. Skenariste është Doruntina Basha.

Por filmi siç është zbërthyer edhe në një artikull të prestigjiozes “Variety” është i inspiruar pjesërisht nga nëna e Krasniqit, e cila u divorcua nga burri i vet në vitet ‘80 dhe i shpenzoi katër vjet duke luftuar në gjykatë për ta mbajtur pronën që me të drejtë i takonte asaj. Në fund, ajo detyrohet ta braktisë luftimin kur kupton se kjo do t’i kushtonte të vazhdonte. Për Krasniqin, ngjarja është emblemë e grave të brezit të nënës së saj, të cilat “duhej të negocionin lirinë e tyre në baza të përditshme”. “Shoqëria jonë ka kaluar nëpër ndryshime të mëdha dramatike në një kohë shumë të shkurtër. Unë nuk mund ta imagjinoj një jetë ku unë duhet ta diskutoj lirinë time në çdo hap”, kishte thënë ajo për mediumin amerikan. “Për mua të ndihesh si ndihem unë, të jesh e lirë dhe e pavarur siç jam unë, kjo është lufta për të cilën nëna ime ka luftuar”.

Image
Skenë nga filmi “Vera andrron detin”

Dhjetë minuta duartrokitje

Producenti i filmit Shkumbin Istrefi ka treguar për KOHËN se ekipin e filmit në hyrje të tepihut të kuq e kanë pritur drejtori i Festivalit, Alberto Barbera, dhe ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim.

Ai ka thënë se pas protokollit zyrtar të fotografimit, ekipi ka hyrë në sallën e mbushur me spektatorë dhe profesionistë të filmit. Më pas moderatorja e mbrëmjes i ka ftuar në skenë regjisoren Kaltrina Krasniqi, aktoret Teuta Ajdini-Jegeni, Alketa Sylaj dhe producentin Shkumbin Istrefi që të flasin më shumë rreth rrugëtimit të projektit kinematografik deri në premierë.

“Në skenë Kaltrina ka treguar për zhvillimin e projektit. Unë kam folur për punë dhe si është vështirë në Kosovë të prodhosh film për shkak të buxheteve të ulëta, jo veç në Kosovë por edhe në regjion. Aktorët kanë folur për punën në rolet e tyre. Filmi është pritur shumë mirë. Përafërsisht ndoshta 10 minuta duartrokitje kemi marrë në fund të filmit”, ka treguar ai.

Ka thënë se më pas ekipi i filmit vazhdoi në koktejin e organizuar enkas për këtë ngjarje nga Ambasada e Kosovës në Itali dhe nga Konsullata e Kosovës në Milano. Në mesin e publikut është parë edhe kitaristi nga Kosova me famë botërore Petrit Çeku.

“Shfaqje-premierë madhështore”, ka qenë përshkimi që ia ka bërë Qendra Kinematografike e Kosovës nëpërmjet një postimi shoqëruar me fotografi.

“Viza” përtej festivalit

Aktori Astrit Kabashi pak orë pas premierës ka treguar për KOHËN se filmi është pritur jashtëzakonisht mirë dhe salla ishte pothuajse e mbushur, duke pasur parasysh masat kundër pandemisë.

“Është dashur patjetër të ketë distancë me nga një karrige në mes shkaku i masave të pandemisë. Përndryshe, shpresoj që filmi do ta ketë një rrugëtim shumë të gjatë dhe do të marrë pjesë në shumë festivale të ndryshme”, ka thënë ai. Këtë edhe e ka konfirmuar. “Filmi veç është ftuar në disa festivale të mëdha pas Venecias, por për këto ndoshta është më mirë të flasin producenti dhe regjisorja”, ka thënë ai pas premierës në kategorinë “Orizzonti”.

Përderisa barra e rolit kryesor i është besuar aktores shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Teuta Ajdini-Jegeni, të pranishmit në film kanë parë disa prej aktorëve më të mirë që ka Kosova, si Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj e të tjerë. Rrëfimi sjell një grua 64-vjeçare, interpretuese e gjuhës së shenjave, duhet ta sfidojë burrin e saj patriarkal për ta mbrojtur vajzën e tyre të cilën ai e ka zhbirësuar. Vera është e martuar me Fatmirin, një gjyqtar i pensionuar, në një martesë ku ai kontrollon gjithçka dhe ajo asnjëherë nuk e vë në pyetje autoritetin e tij.

Megjithatë, gjithçka ndryshon kur Fatmiri vendos ta ndajë trashëgiminë, në të cilën nuk i përfshin as gruan e as vajzën që e kanë rritur. “Vera...” zbërthen temën e trashëgimisë së pronës te femrat që është problematikë jo vetëm në Kosovë, por edhe në regjion e më gjerë. E kësisoj bëhet temë universale.

“Mendoj që edhe në aspektin artistik dhe në qasjen ndaj skenarit, Doruntina edhe Kaltrina kanë gjetur këndvështrim universal në këtë temë. Kanë trajtuar temë njerëzore. Fati i njeriut në rrethana të caktuara është temë universale, andaj mendoj që është kuptuar mirë dhe ka pasur impakt të madh edhe nëpër marketet dhe punëtoritë, ku kemi qenë prezentë deri tash”, kishte thënë producenti Istrefi tri ditë para se të nisej për në Venecie.

Për këtë projekt, Qendra Kinematografike e Kosovës i ka ndarë 130 mijë euro me konkursin e vitit 2015.

Filmi është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Punëtoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions), i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Juria e kësaj kategorie do të kryesohet nga regjisorja boshnjake Jasmila Zhbaniq, e njohur për filmin “Quo Vadis, Aida?, kurse në përbërje do të ketë regjisoren dhe skenaristen norvegjeze Mona Fastvold; filmbërësin iranian Shahram Mokri; kuratorin e departamentit të filmit në MoMA të New Yorkut, Josh Siegel, si dhe shkrimtaren italiane Nadia Terranova. E konkurrenca në kategorinë “Orizzonti” është mjaft e fortë. “Atlantide” nën regjinë e Yuri Ancarani (Itali/Francë/ShBA/Katar); “Miracol” nën regjinë e Bogdan George Apetri (Rumani/Republika Çeke/Latvi); “Pligrimai” nën regjinë e Laurynas Bareisa (Lituani); “Il Paradiso del Pavone” nën regjinë e Laura Bispuri (Itali/Gjermani); “Pu Bu” nën regjinë e Mong-hong Chung (Taivan); “El Hoyo En La Cerca” nën regjinë e Joaquín del Paso (Meksikë/Poloni) janë disa prej filmave që garojnë.

Lobimi për liri të lëvizjes

“Një film nga Kosova? Mirë se vini ekip! Na vjen keq, juve ju duhen vizat për të hyrë në BE”, është mbishkrimi në anglisht që Shkumbin Istrefi dhe Astrit Kabashi e kanë bartur në bluzat e tyre në ditët paraprake në Venecie. Me këtë e kanë treguar realitetin se kosovarët nuk mund të udhëtojnë pa viza dhe këtë kufizim në krejt Ballkanin e kanë vetëm banorët e shtetit më të ri në Evropë.

Image
Aktori Astrit Kabashi dhe producenti Shkumbin Istrefi, para premierës, me bluzat me të cilat kanë ironizuar edhe për mungesën e lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës

Istrefi ka thënë se ajo ide i lindi për shkak të vështirësive të udhëtimit të kosovareve në BE.

“Kur e mendon, është absurde që një produkt si filmi të udhëtoje pa vizë, ndërsa njeriut i cili e ka krijuar atë produkt apo film t’i kërkohet t’u nënshtrohet procedurave burokratike të panevojshme, në kohën kur të gjithë qytetarët e vendeve të tjera në Evropë janë të liruar nga këto procedura”, ka thënë ai. Për këtë shkak edhe kanë ironizuar.

“Pra, kjo ishte një formë ironike për të treguar absurditetin e ndalesës së qarkullimit njerëzor”, ka thënë ai. Por pavarësisht krejt halleve, ekipi i është bashkuar edicionit të sivjetmë, të 78-tit me radhë ku marrin pjesë filma nga 59 vende të globit.

Festivali që do të përfundojë në ditën e 11-të të këtij muaji është hapur me dramën spanjolle “Parallel Mothers” nën regji të Pedro Almodóvarit. Filmi që brenda kastit të aktorëve ka Penélope Cruz, Aitana Sánchez-Gijón e Milena Smit trajton temën e dy nënave që kryejnë lindje paralelisht. Kritika këtë film midis të tjerash e ka vlerësuar si produkt artistik të regjisorit Almodóvar që i jep Festivalit të Venecias një pako të vogël gëzimi. Kurse revista “Variety” e ka vlerësuar filmin e regjisorit spanjoll si më të mirin pas atij të vitit 1999, “All about My mother” me të cilin kishte fituar “Oscar”, “Bafta” dhe “Golden Globe” në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj. Përtej filmit me të cilin është hapur festivali, organizatorët janë shpresëplotë për kthimin në jetë të kinemave, pavarësisht pandemisë.

“Kam ndjenjën dhe përshtypjen se të gjithë janë të gatshëm të kthehen, për të filluar gjithçka përsëri dhe t’i shfaqim filmat që qëndruan në raft për dy vjet. Dhe shpresa është që publiku të kthehet në kinema, e cila është mënyra më e mirë për të parë një film”, kishte thënë drejtori artistik i Festivalit, Alberto Barbera.

Ai ka thënë se pas rihapjes situata nuk do të jetë si para pandemisë.

“Platformat online janë në punën e tyre, por kinematë dhe teatrot nuk do të zhduken”, kishte thënë ai. E Bong Joon Ho, fitues i çmimit “Oscar” për filmin “Parasite”, që udhëheq jurinë kryesore për sivjet, kishte thënë se viti i kaluar ishte një test që tregoi forcën e kinemasë. “Nuk besoj se historia e kinemasë mund të ndalet aq lehtë. Kështu që COVID-19 do të shkojë e kinemaja do të vazhdojë të ngelet”, kishte thënë ai.Në këtë edicion është njoftuar edhe për një kategori të re “Orizzonti Extra”, një degë e drejtuar nga publiku e që do të shpërblehet me një çmim nga audienca. Pikërisht këtu është përfshirë edhe filmi “La macchina delle immagini di Alfredo C” nën regjinë e Roland Sejkos. Ky film i krijuesit shqiptar që jeton në Itali sjell historinë e një italiani që vjen në Shqipëri gjatë okupimit fashist dhe mbetet në Shqipëri tok me 27 mijë ushtarë e civilë italianë. Kështu, personazhi Alfredo C. shtrëngohet të punojë për pesë vjet në shërbim të propagandës së regjimit komunist.

Vetë filmi si produkt artistik është diplomaci kulturore. E për Kosovën viteve të fundit është bërë urë lidhëse me botën. Potenciali i kineastëve kosovarë ka bërë që të hapen dyert gjithandej. E se cilat dyer të tjera do t’i hapë “Vera...” pas festivalit që përfundon të shtunën, i mbetet ekipit ta bëjë të ditur.