Kulturë

“Vera andrron detin” në festivalin suedez si portret i gruas së fortë

Festivali i Filmit në Göteborg e ka përshkruar filmin e Kaltrina Krasniqit si një portretizim të sofistikuar të një gruaje të fortë që kundërshton shoqërinë patriarkale. “Vera andrron detin” është në mesin e 8 filmave në kategorinë garuese “Ingmar Bergman”, dhe do të ketë 4 shfaqje në njërën prej ngjarjeve më të mëdha të filmit në vendet skandinave

Janë 200 filma nga 75 vende të botës. Dhjetë ditë festë të mbushura me diskutime, intervista e shumë më shumë. Kështu pritet të jetë edicioni i 45-të i Festivalit të Filmit në Göteborg. Në garë zyrtare është edhe filmi “Vera andrron detin”. Filmi nën regji të Kaltrina Krasniqit bashkë me 7 filma të tjerë janë pjesë e seleksionit “Ingmar Bergman”.

“Filmi i metrazhit të gjatë debutues i Kaltrina Krasniqit është një portret i sofistikuar i reagimit të gruas dhe aftësisë për të shfaqur ndjenja në kundërshtim me kodin e nderit të burrave”, është përshkrimi që jep festivali suedez për filmin e Kosovës. Edicioni nis më 28 janar dhe përfundon më 6 shkurt, kurse “Vera andrron detin” ka katër shfaqje: më 2, 3, 4 dhe 6 shkurt.

Festivali që konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë në hapësirën nordike këtë vit rikthehet në kinema pas një edicioni të suksesshëm online. Mirëpo këtë vit, çdo ditë, nga tre filma do të kenë premierën e tyre edhe në platformën online të festivalit.

“Në këtë mënyrë ndjenjat që e karakterizojnë premierën në një festival të mund të përjetohen në çdo dhomë në të gjithë Suedinë”, ka shkruar festivali në njoftim.

E regjisorja Kaltrina Krasniqi ka thënë se gjithmonë i ka pëlqyer ky festival.

“Festivali në Göteborg bën një seleksionim shumë të hollë të filmave. Andaj jam shumë e nderuar që do të jemi pjesë e garës ‘Ingmar Bergman’ në edicionin e 45-të”, ka thënë regjisorja për festivalin, i cili si moto të përvitshme e ka “të dërguarit e botës në Göteborg”.

Debutimi i Krasniqit në metrazh të gjatë u dha premierë botërore në shtatorin e vjetëm në edicionin e 78-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecie. U largua pa trofe nga Venecia për në Egjipt e Japoni. Ishte në konkurrencë zyrtare në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kajro dhe atë të Tokios, ku triumfoi. U vlerësua vizioni dhe regjisorja Krasniqi u bë regjisorja e parë që mori çmimin kryesor të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tokio dhe bëri që herë të parë vendi të ishte në garën zyrtare të këtij festivali prestigjioz.

Me skenar të Doruntina Bashës, filmi është një dramë gjysmëbiografike e regjisores.

I ndërtuar rreth eksperiencës së vërtetë të nënës së Krasniqit, filmi ka në fokus një interpretuese të gjuhës së shenjave, Verën (Teuta Ajdini-Jegeni), e cila detyrohet të luftojë kundër patriarkatit për të fituar trashëgiminë e burrit të saj, Fatmirit (Xhevat Qorraj). Pasi që Fatmiri vret veten, ajo mund të humbë shtëpinë të cilën dëshiron t’ia lërë vajzës së saj.

Filmi vazhdimisht ka marrë kritika pozitive. Nga “Variety” është cilësuar si rrëfimi magjepsës plot emocione, për çlirimin në shoqërinë shtypëse.

“Të ëndërrosh për detin, merr një rëndësi më të madhe kur ëndërrimtari jeton në një vend pa dalje në det. Nuk është thjesht një fantazi e përtacëve për pushime në plazh dhe kokteje në gotat e dekoruara me kripë në krye – edhe pse Vera (Teuta Ajdini-Jegeni) do ta donte këtë gjithashtu – por siç e dëshmon debutimi i tendosur dhe i trishtë i Kaltrina Krasniqit, ‘Vera andrron detin’, vizioni i një hapësire të gjerë të kaltër që shtrihet deri në një horizont të largët, mund të kthehet në heshtje e në diçka politike për një të ve, e cila befas ndien peshën e patriarkatit kosovar mbi supet e saj tashmë të rënduara”, kishte shkruar Jessica Kiang.

Festivali i Filmit në Göteborg ka filluar në vitin 1979 dhe ka tërhequr vëmendjen e më shumë se 160 mijë vizitorëve çdo vit. Në vitin 2021 mirëpriti 425 mijë vizitorë online. Këtë edicion do të ketë më shumë se 500 shfaqje në kinema me 40 seminare, pastaj koncerte, punëtori dhe shfaqje arti, si dhe shumë aktivitete të tjera.

Festivali bashkë me “Nordic Film Market” janë një nga vendet më të rëndësishme për industrinë e filmit dhe televizionit në vendet nordike, duke shërbyer si një vendtakim për vizitorë të ndryshëm nga e gjithë bota.

Çdo vit, me dhjetëra kineastë vijnë në Festivalin e Filmit në Göteborg me disa të ftuar si mysafirë specialë. Këtë vit mes tyre janë aktorja Alma Poysti, regjisorja Zaida Bergroth, regjisorja Ninja Thyberg, aktorja Sofia Kappel, regjisori Pontus Hjorten, muzikanti dhe aktori Hans Mosesson, regjisorja Frida Kempff, aktorja Cecilia Milocco, regjisori Maciej Kalymon, regjisori Ruben Ostlund, adhuruesja e filmave dhe infermierja e emergjencës, Lisa Enroth.