Kulturë

Veprat e Rilindjes italiane si “mundësi unike” në Londër

Ekspozita e pikturave

Ekspozita nga koleksioni mbretëror do të përfshijë rreth 160 vepra nga Titiani, Michelangelo, Leonardo da Vinçit dhe artistë të tjerë

Rreth 160 vepra nga më shumë se 80 artistë duke përfshirë ikonikët Michelangelo, Raphael, Titian dhe Leonardo da Vinci, do të prezantohen në atë që është përshkruar si ekspozita më e gjerë e vizatimeve të periudhës së Rilindjes italiane, e cila do të inskenohet në Mbretërinë e Bashkuar.

Huazuar nga koleksioni mbretëror, ekspozita e cila hapet në Galerinë e Mbretit në Pallatin Buckingham në muajin nëntor, do të shfaqë para publikut më shumë se 30 vepra të ekspozuara për herë të parë dhe 12 të tjera që nuk janë shfaqur kurrë më parë në Mbretërinë e Bashkuar. Shumë prej këtyre vizatimeve u krijuan nga artistët si përgatitje për projekte të tilla si, piktura, printime dhe skulptura.

Kuratori i ekspozitës, Martin Clayton, tha: “Koleksioni mbretëror mban një varg të mahnitshëm vizatimesh të periudhës së Rilindjes. Këto punime të mëdha, të guximshme dhe plot ngjyra, tregojnë se sa emocionues ishte bërë arti i vizatimit gjatë kësaj kohe. Rilindja italiane do të kishte qenë e pamundur pa vizatimin – ishte qendror në çdo fazë të procesit krijues. Këto vizatime nuk mund të ekspozohen përherë për arsye konservimi, kështu që ekspozita është një mundësi unike për të parë nga afër një gamë kaq të gjerë vizatimesh dhe për të fituar një pasqyrë në mendjet e këtyre artistëve të mëdhenj italianë të Rilindjes.”

Studimi i detajuar i kokës nga Fra Angelico, “The Bust of a Cleric”, realizuar rreth viteve 1447-1450, që mendohet se është bërë në përgatitje për afresket e tij në dhomën e faljeve të Papa Nikollës së Pestë në Vatikan, është vizatimi në letër më i hershëm i ekspozuar dhe thuhet se është vepër tejet e rrallë e mbijetuar e piktorit të madh nga Firence.

E rregulluar në mënyrë tematike, ekspozita eksploron vizatimin e jetës, studime të bimëve dhe kafshëve, dizajne për artet e aplikuara, kompozime të shenjta dhe dekorime laike.

Vizatimi me titull “Ostrich” i Titianit nuk është ekspozuar kurrë më parë në Britaninë e Madhe. E punuar me shkumës ajo tregon se ai kishte parë një struc të gjallë në Venecia, porti kryesor i Italisë për tregtinë me Mesdheun lindor dhe jugor, nga ku zogu mund të ishte importuar si një kuriozitet ekzotik i asaj kohe

Një vepër tjetër mahnitëse është “A Costume for a Masque” nga Leonardo da Vinci, realizuar rreth viteve 1517-1518. Leonardo kaloi vitet e fundit të jetës së tij në oborrin francez dhe dizajnoi kostume fantastike për festat e mbajtura nga mbreti francez, Francis I.

“Në këtë studim ekstravagant, ai demonstron aftësitë e tij përmes shtresave të pasura të pëlhurave, duke përfshirë fjongo, shtëllunga, gëzof me njolla dhe mëngë e pantallona me tegela”, u than ë një deklaratë të lëshuar nga udhëheqësit e koleksionit mbretëror.

E rregulluar në mënyrë tematike, ekspozita eksploron vizatimin e jetës, studime të bimëve dhe kafshëve, dizajne për artet e aplikuara, kompozime të shenjta dhe dekorime laike.

Ekspozita me titull “Drawing the Italian Renaissance” qëndron e hapur në galerinë “King’s Gallery” në Buckingham Palace, nga 1 nëntori deri më 9 mars të vitit të ardhshëm.