Petrit Halilaj dhe Alberto Giacometti kanë shumë çfarë të shkëmbejnë midis tyre. Veprat e zviceranit që u lind më 1901 dhe vdiq më 1966 do të komplementohen nga ato të Petit Halilajt dhe anasjelltas. Ekspozita e Halilajt në Paris në fondacionin “Giacometti” do të jenë në dialog me ato të skulptorit e piktorit të njohur, deri në fillim të qershorit. “Ndërtuam një pallat fantastik natën...” vjen si rrëfim. Një rrëfim artistik përballë atij të Giacomettit
Janë histori që ndahen nga dhjetëra dekada e mijëra kilometra. Por i bashkon lufta, arti e imagjinata e fëmijëve. Petrit Halilaj dhe Alberto Giacometti kanë shumë çfarë të shkëmbejnë midis tyre. Veprat e zviceranit që u lind më 1901 dhe vdiq më 1966 do të komplementohen nga ato të Petrit Halilajt dhe anasjelltas. Ekspozita e Halilajt në Paris në fondacionin “Giacometti” do të jenë në dialog me ato të skulptorit e piktorit të njohur, deri në fillim të qershorit.
“Ndërtuam një pallat fantastik natën...” vjen si rrëfim. Një rrëfim artistik përballë atij të Giacomettit.
Dhjetëra vepra të reja të Halilajt për këtë ekspozitë qëndrojnë krah për krah dhe në dialog me ato të Alberto Giacomettit. Petrit Halilaj tashmë është prej artistëve më të njohur shqiptarë të artit bashkëkohor në botë. Gërshetimi i rrëfimeve të tij personale bashkë me ato të vendlindjes së tij e të fatit të Kosovës, të paraqitura në kontekst kolektiv e global kanë shëtitur botën dhe janë ngjitur deri në tarracën e kulmit të Muzeut Metropolitan të New Yorkut.
Por sa i përket hapësirës dhe rrëfimeve nëpërmjet artit, “Ndërtuam një pallat fantastik natën...” është shumë specifik dhe me peshë të madhe.
“I shënuar që në fëmijëri nga lufta në vendlindjen e tij në Kosovë, Petrit Halilaj zhvilloi një praktikë në të cilën takohen historitë individuale dhe kolektive. Gradualisht, vizatimi, dhe veçanërisht vizatimi i fëmijëve, është bërë një gjuhë e zgjedhur për të, një gjuhë që duhet mbajtur gjallë. Në vitin 2015, ai e gjeti përsëri rrugën e tij duke krijuar një leksik të ri grafik, në të cilin ai i shndërron vizatimet e fëmijëve në vizatime në hapësirë”, sqaron Fondacioni derisa tregon për Halilajn. Është fjala për “Abetare”
Në anën tjetër, bëhet e ditur se në vitin 1932, Giacometti kopjoi një vizatim fëmijësh të parë në trotuarin e lagjes së tij në Paris.
“Nga ai vizatim, Halilaj imagjinon një dialog dhe tregon praninë e temës së fëmijërisë në veprën e të moshuarve nëpërmjet rreth tridhjetë veprave të krijuara posaçërisht për ekspozitën. Në lidhje me një tekst të Giacomettit mbi veprën e tij ‘Pallati në orën 4 të mëngjesit’ (1932), ekspozita dhe titulli i saj eksplorojnë dinamikën e ndërtimeve fantastike dhe të brishta të veprave të të dy artistëve”, bëhet e ditur nga Fondacioni.
Bëhet fjalë për një instalacion origjinal të ideuar nga Halilaj ku veprat e tij dhe ato të Giacomettit kanë një komunikim të fortë e njëkohësisht shumë intim. “Vizatimi i Halilajt zgjeron dhe kombinon vizatimin e fëmijëve dhe Giacomettit për t'ua ofruar ato vizitorëve. Nga njëra anë në tjetrën, vizatimi është një vektor i dialogut midis njerëzve dhe imagjinatës së tyre që artisti e zhvillon në forma dhe jo me fjalë. Ajo funksionon në hapjen e imagjinatës pa i imponuar ndonjë kuptim”, sqarohet për ekspozitën e kuruar nga Hugo Daniel.
Petrit Halilaj gjatë gjithë kohës imagjinon dhe është kurioz për imagjinatën e të tjerëve. Sidomos të fëmijëve.
“Ajo që nuk ka ndryshuar nga fëmijëria ime e deri më tani është se kur flet për vizatim, flet për imagjinatën”, do të thoshte ai për Fondacionin. Ka sqaruar se imagjinata e tij e shprehur nëpërmjet vizatimit nuk e ka përcjellë prej fëmijërisë dhe nuk i është ndarë vizatimit edhe kur vendbanimi i tij mori flakë gjatë luftës në Kosovë dhe bashkë me familjen u bë banor i një kampi refugjatësh në Itali. Halilaj si refugjat në Kukës do të inkurajohej nga psikologu italian Giacomo “Angelo” Poli që të vizatonte dhe me këtë do të tërhiqte vëmendjen shumë. Madje edhe të autoriteteve si Kofi Annan, asokohe sekretar i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Halilaj, me shkathtësi për të vizatur me të dyja duart, shprehu e kaloi traumat me këtë aktivitet.
E Alberto Giacometti do të ishte fëmijë në periudhën e Luftës së Parë Botërore. Vizatimi do t’i hynte në punë shumë në atë kohë, edhe pse lufta nuk e kishte prekur sa Halilajn. Por artisti me nam do të përjetonte edhe një tjetër luftë të tmerrshme. Në Luftën e Dytë Botërore në Gjenevë, ku u strehua në vitin 1941, ai do të kalonte shumë kohë me nënën dhe nipin e tij, Silvio. Do t’u bënte shumë portrete e skica. Post-impresionisti i njohur i ftonte fëmijët të vizatojnë mbi skicat e tij, duke bashkuar dy botë. E një dialog grafik e bën edhe Petrit Halilaj me mbesën e tij, Lunën.
“’Pallati...’, një vizatim monumental në hapësirë, shfaqet në hapësirën kryesore të Institutit Giacometti. Ashtu si një ëndërr, lidh momente dhe ide të palidhura, duke krijuar një ndërlidhje midis disa veprave të Giacomettit si ‘Çifti’ (1926), ‘Nënë e bijë’ (1933), ‘Apollo’ (1929)...”, bëhet e ditur në tekstin kuratorial.
“Unë mund të flas vetëm në mënyrë indirekte për skulpturën time dhe shpresoj ta them pjesërisht se çfarë më inspiroi t’i punoj ato”, do të shkruante Giacometti në vitin 1933, duke komentuar veprën e tij “Pallati në orën 4 të mëngjesit”.
“Ne ndërtuam një pallat fantastik natën, një pallat shumë të brishtë prej shkrepësesh: një lëvizje e gabuar dhe një pjesë e ndërtimit të vogël u shemb; ne e filluam atë përsëri dhe përsëri”, sqarohej ai. Por Halilajt do t’i shembej shtëpia nga forcat serbe më 1999.
“Është një fije në mes të të gjitha shtëpive ku kam jetuar, dhe që unë dhe familja ime humbëm dhe u shpërngulëm dhe u përpoqëm ta rindërtonim gjatë jetës sime – shtëpinë tonë në Runik pas luftës, dhe më pas në vitin 2010, shtëpinë e familjes në Prishtinë. Për këtë ekspozitë, titulli erdhi i pari, kjo ide për të ndërtuar një pallat ëndrrash për të jetuar”, ka thënë Halilaj për Fondacionin.
Veprat e Halilajt në këtë rast, sipas konceptit kuratorial ndajnë me ato të Alberto Giacomettit një dashuri për mënyrën se si fëmijët i shohin të rriturit. Krahasimi shkon edhe më tej. Halilaj si fëmijë do të ndihmohej shumë nga e ëma Shkurte Halilaj për t’u marrë me krijimtari artistike e më pas edhe për të arritur shumë në rang botëror. Nga prindërit e tij do të përkrahej fort edhe Giacometti.
Në gjurmim e sipër të krijimtarisë së Giacomettit sidomos te skulpturat metalike, “Halilaj u mahnit nga ngjashmëria e tyre me skulpturat e tij po aq sa nga leksiku i tij i formave”.
“Të flasësh për thelbin e skulpturës dhe të shkosh në kufirin e saj. Zgjedhja e skulpturave me shkopin e armaturës ishte shumë e rëndësishme për mua. Ajo zbulon diçka në momentin përpara se një skulpturë të bëhet skulpturë. E lidha fort me mënyrën se si e shoh gjuhën e tij dhe timen vetëm në këta dy rreshta që janë thelbi i kaq shumë temave: këto linja të zeza njëngjyrëshe që bëhen vizatim në një hapësirë. Më intereson shumë ideja që si skulpturë nuk merr vëllim”, do të komentonte Halilaj. Në konceptin kuratorial shkruhet se ashtu si strukturat kryesore të Giacomettit mbi të cilat shtohet materia, veprat e Halilajt si mund të ndërtojnë diçka së bashku. Që të dy bashkojë diçka realiste e abstrakte njëkohësisht.
“Në veprën e Halilajt, shumë pjesë përdorin vizatimin e fëmijëve të zmadhuar në përmasa pothuajse gjigante. Te Giacometti, shkalla e veprave është një tipar thelbësor. Në punën e tij, ai favorizoi formatin e vogël, aq sa midis viteve 1958 dhe 1961, ai hasi në vështirësi kur iu desh të bënte skulptura në dimensione të mëdha për ‘Chase Manhattan Plaza’ në New York’”, shkruhet në konceptin kuratorial. Aty bëhet edhe një ndërlidhje me veprat e Haliljat.
“Siç shpjegoi ai në lidhje me projektet e monumenteve të heronjve të Rezistencës (Rol Tanguy, Gabriel Péri), Giacometti e përcolli madhështinë e njerëzve në një formë përulësie dhe në formate modeste, nëse jo shumë modeste. Për të, ashtu si për Halilajn, i gjithë intensiteti i ekzistencës njerëzore mund të shprehet brenda shkallës së veprave të vogla”, shkruhet në koncept. Vepra të vogla qenë vizatimet mbi bankat e shkollës së fshatit të Halilajt, Runik e më pas të disa vendeve të Ballkanit. Por format tjetër morën ato kur u bënë vepra gjigante nëpër muze të ndryshëm në botë. Aso formati siç fëmijët zmadhojnë gjërat në imagjinatën e tyre. E tash dialogojnë me veprat e Alberto Giacomettit në Paris.