“Objektiviteti dhe saktësia janë dy tiparet që e shquajnë veprën e Edith Durhamit. Ajo ndihmoi në shpërfaqjen e realitetit ballkanik, me theks të veçantë për shqiptarët, dhe kjo ka qenë njëra prej arsyeve për përkthimin e ‘Shqipërisë së Epërme’ edhe në frëngjisht. Kjo për mua ka qenë e rëndësishme në përkthim: që ta njohim një popull siç e ka prezantuar ajo”, ka thënë përkthyesja Jacqueline Dérens në përurimin e “Haute Albanie. Une voyageuse anglaise dans les Balkans en 1908” në Prishtinë
Kanë kaluar njëqind e katërmbëdhjetë vjet prej se “Shqipëria e Epërme” e Edith Durham-it kishte parë për herë të parë dritën e botimit. E tash e tre muaj ky libër ka nisur rrugëtimin për te lexuesi francez. Është përuruar të martën në Prishtinë. Përkthyesja e tij në frëngjisht, Jacqueline Dérens, ka theksuar rëndësinë që ka ky libër në krijimin e një imazhi sa më të saktë për shqiptarët dhe Ballkanin.
Edith Durham (1863-1944), shkrimtare dhe antropologe britanike, është e njohur veçmas për veprën “Shqipëria e Epërme”. Ajo kishte vizituar disa herë Shqipërinë në vitet e hershme të shekullit XX dhe për këtë ka shkruar në veprën e saj. Objektiviteti dhe saktësia janë dy tiparet që e shquajnë më së shumti shkrimin e saj. Në të njëjtën kohë, vepra e cila i përket zhanrit të udhëpërshkrimeve tejet të popullarizuara në ato vite, ndihmoi në shpërfaqjen e realitetit ballkanik, me theks të veçantë për shqiptarët. Përshkroi peizazhet e Shqipërisë, doket, zakonet, mënyrat e të jetuarit, duke i dhënë këtij populli një vepër që i kishte munguar deri më atëherë. Libri u bë referencë e patejkalueshme për ata që donin të mësonin diçka më shumë për Ballkanin dhe shqiptarët. E tërë kjo bëri që ajo sot të njihet si një ndër heroinat e shqiptarëve.

Në panelin e diskutimit të mbajtur në nder të Javës Frankofone në Kosovë, që zyrtarisht është hapur disa orë pas kësaj ngjarjeje në librarinë “Dukagjini”, përkthyesja Dérens ka theksuar rëndësinë që ky libër ka në njohjen e tjetrit, në këtë rast të shqiptarëve dhe Ballkanit. Libri i cili në frëngjisht mori titullin “Haute Albanie. Une voyageuse anglaise dans les Balkans en 1908” doli në libraritë franceze në fillim të këtij viti. Dérens ka thënë se arsyeja më e madhe që e kishte shtyrë ta përkthente këtë vepër prej 276 faqesh kanë qenë paragjykimet kundrejt shqiptarëve dhe popujve të tjerë ballkanas.
“Duke përkthyer Edith Durham kisha si qëllim që të njihej më shumë edhe Ballkani, sepse ne me të vërtetë kemi paragjykime kundrejt Ballkanit. Por vërtet ideja kishte të bënte me atë që t’i ikim këtij paragjykimi, sepse ajo vërtet duke u nisur në zbulimin e një vendi – përshkrimet e peizazheve që ajo i bën Shqipërisë Veriore janë përshkrime të mrekullueshme të këtyre peizazheve – tregon për një popull. Kjo për mua ka qenë e rëndësishme në përkthim: që ta njohim një popull siç e ka prezantuar ajo”, është shprehur Dérens, e cila për shkak të aktivitetit kundër aparteidit në Afrikë ka përkthyer më shumë vepra që kanë të bëjnë me politikën.
Interesimi i saj kundrejt fenomenit të aparteidit në përgjithësi, ishte ai që e kishte vënë në kontakt me Shqipërinë dhe me veprën e Edith Durhamit.
“Gjithmonë më ka interesuar fati i grave, por edhe roli i tyre. Edhe në luftën kundër aparteidit, pastaj çfarë bëhet me to dhe trajtimi i këtyre grave pasi përfundon lufta. Kështu që me të vërtetë jam apasionuar me fenomenin e burrneshave dhe pastaj fillova të interesohesha dhe të lexoja vazhdimisht për Ballkanin. Është e vërtetë që çdo herë që lexoj diçka për Ballkanin, përmendet Edith Durham dhe mund t’ju them që në Francë dinë shumë pak për Ballkanin, ndërsa për Edith Durham nuk dinë asgjë”, ka bërë të ditur ajo.
Në rolin e njohëses dhe studiueses së saj, Dérens ka përmendur edhe disa nga elementet të cilat bëjnë që vepra e Durhamit të dallojë nga veprat e tjera udhëpërshkruese të kohës. Ka vënë theksin te mënyra se si ajo i ka pasqyruar shqiptarët.
“Vepra e Edith Durham na largon prej përshkrimeve alla Lord Bajron që ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe paragjykimeve për ta, sepse ajo me të vërtetë i përshkruan shqiptarët si një shoqëri tjetër nga ajo e jona. Të gjitha shoqëritë janë ndryshe, dhe mendoj me të vërtetë që vepra e Edith Durham – nëse interesohemi për Ballkanin, madje edhe për të udhëtuar, e bën këtë. Ndoshta nuk është një vepër përmes së cilës gjithqysh duhet të kalojmë, por sigurisht që na jep një pasqyrë të shqiptarëve dhe të këtij vendi”, është shprehur Dérens.
Për natyrën dhe veçantitë e shkrimit të Durhamit ka folur edhe Jean-Arnault Dérens, i cili njëherësh ka shkruar edhe parathënien e botimit në frëngjisht.
“Edith Durham nuk ishte në mision, nuk ishte diplomate. Ajo erdhi krejt rastësisht në Ballkan. Erdhi të pushonte. Ishte koha kur ajo kishte të ëmën e sëmurë, kështu që ajo kishte nevojë të largohej. Kjo është edhe arsyeja pse ajo e sheh me një sy krejt ndryshe Ballkanin, me një paanësi të madhe. Madje, siç e kam shkruar edhe në parathënie, me një modernitet tejet të madh”, është shprehur Jean-Arnault Dérens, historian, gazetar francez dhe specialist për Ballkanin.
Sipas Jean-Arnault, Durham është më shumë një antropologe sesa udhëpërshkruese. Këtë e bazon në faktet se në librin e saj, Durham tregon për atë se si janë gjërat, si funksionojnë e nuk pyet asnjëherë se pse bëhet kështu. Ka theksuar faktin që Durham nuk mundohet të gjejë arsye, sepse sipas tij, “kur mundohemi të kuptojmë pse bëhet kështu do të gjejmë gjithmonë përgjigje të gabuara”.
Jean-Arnault Dérens, i cili ka botuar disa punime rreth Ballkanit dhe Kosovës, ka shpjeguar se si, në kohën kur Durhan e shkroi këtë vepër, nëpër Ballkan pati edhe shumë udhëpërshkrues të tjerë evropianë. Megjithatë, ai thekson se ndryshe nga Durhami, nëpër veprat e tyre ekzistonte përherë një paragjykim se vendet ballkanike duhet të qytetëroheshin. Paanësia është elementi kryesor që këtë vepër e bën të dallueshme nga të tjerat.
“E kemi një paanësi në përshkrimin e Shqipërisë dhe kësaj zone për të cilën shkruan Edith Durham. Është kulmi i këtij zhanri edhe të udhëtimeve që bëjnë evropianët. Kishte edhe udhëtarë osmanlinj sikurse Evlia Çelebiu apo edhe arabë, por vërtet ishte një kohë kur evropianët zhvilluan këto zbulime të vendeve të tjera në njëfarë forme edhe për t’i kontrolluar. Por Edith Durham ishte një vëzhguese e paanshme”, ka përfunduar Jean-Arnault Dérens, i cili gjithashtu është korrespondent i “La Libre Belgique”, “Le Monde diplomatique”, “Le Peuple breton”, “Le Temps”, “Ouest-France” dhe “RFI”.
Ndonëse nuk është se ka kaluar edhe shumë kohë prej kur libri është botuar në frëngjisht – u botua në nëntor të vitit të kaluar, por doli nëpër librari tek në janar të këtij viti – përkthyesja Jacqueline Dérens ka dhënë një pasqyrë të shkurtër të ecurisë së tij në botën frankofone.
“Në bisedat që kemi pasur me disa persona që e kanë lexuar librin, së pari janë çuditur me faktin që nuk e kanë njohur fare Edith Durhamin e pastaj edhe për faktin që ata nuk e kanë njohur në këtë mënyrë këtë vend, pra Ballkanin apo Shqipërinë. E kanë pëlqyer shumë dhe është bërë burim për njerëzit që gjithmonë e kanë parë Ballkanin si vend misterioz. Qëllimi i përkthimit dhe receptimi i veprës për mua kanë domethënien që të shohim tjetrin ashtu siç është”, ka thënë ajo.
Nerimane Kamberi, profesoreshë në Departamentin e Gjuhës Frënge në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, e cila e udhëhoqi dhe përktheu dy panelistët, ka thënë se përkthimi i një vepre të tillë do të ndihmojë në krijimin e një imazhi sa më të mirë nga bota frankofone për shqiptarët .
“Jemi të lumtur që ky libër është përkthyer edhe në frëngjisht, sepse një publik më i madh do ta njohë këtë zonjë të madhe por edhe të na njohë edhe më mirë ne shqiptarëve. Mos ta harrojmë që imazhi ynë është gjithmonë për t’u ndërtuar dhe për t’u afirmuar jashtë në mënyrë pozitive dhe këto lloj punësh dhe përkthimesh janë shumë të vlefshme për ne”, ka thënë Kamberi.
Edicioni i 23-të i Javës së Frankofonisë në Kosovë ka nisur aktivitetet e saj më 20 mars dhe do të zgjasë deri të martën, më 27 mars. Këtë vit Peja është shpallur Kryeqyteti Kosovar i Frankofonisë 2023.