Kulturë

“Vendi im” shuhet si organizim feste e promovim i kulturës shqiptare në New York

Koncerti "Vendi im"

“Është punuar me gjoks dhe me shumë sakrifica, që një projekt i këtij lloji të vijë në dritë dhe të shndërrohet në produksion vjetor! Të realizosh diçka të tillë në komunitet është e lodhshme, vështirë e koordinueshme dhe gjasat që të gëzosh një mbështetje institucionale dhe private janë minimale!”, ka njoftuar organizatori Ergin Oda

Koncerti vjetor “Vendi im” mbahej në New York dhe pos nxitjes për ruajtjen e kulturës së vendit për diasporën, ishte edhe një formë e prezantimit të vlerave e traditave për publikun atje. Sivjet do të duhej të mbahej organizimi i shtatë me radhë. Është anuluar për shkak të mosmbështetjes institucionale

Artistë të shquar të skenës muzikore shqiptare çdo vit kanë zbërthyer ritme e vargje të këngës shqipe si festë për Pavarësinë e Kosovës. Koncerti vjetor “Vendi im” mbahej në New York dhe pos nxitjes për ruajtjen e kulturës së vendit për diasporën, ishte edhe një formë e prezantimit të vlerave e traditave për publikun atje. Sivjet do të duhej të mbahej organizimi i shtatë me radhë. Është anuluar për shkak të mosmbështetjes institucionale. 

Këtë e ka bërë të ditur drejtuesi e organizatori i kësaj ngjarjeje, baritoni Ergin Oda. “Tradita - VENDI IM - shuhet!”, ka shkruar në fillim të njoftimit të tij. 

“Është punuar me gjoks dhe me shumë sakrifica, që një projekt i këtij lloji të vijë në dritë dhe të shndërrohet në produksion vjetor! Të realizosh diçka të tillë në komunitet është e lodhshme, vështirë e koordinueshme dhe gjasat që të gëzosh një mbështetje institucionale dhe private janë minimale!”, ka shkruar Oda më tej. 

Sipas tij, prodhimi i artit në Nju-Jork është gjë rraskapitëse dhe këtë e intensifikon mosmbështetja. 
“Përkundër djersës, sakrificave dhe punës qe është bërë ndër vite, jemi të molisun dhe të rraskapitun që ta shtyejmë’ malin me gjoks! Të prodhosh art në një qytet si Nju-Jorku është rraskapitëse dhe të mos gëzosh një mbështetje nga komuniteti dhe institucionet, bëhet akoma më e lodhshme!

Faleminderit të gjithë atyre qe për vite kontribuuan që këtë traditë ta mbajmë gjallë!”, ka bërë të ditur Oda. 

Ngjarja ishte përkrahur kryesisht nga individë dhe biznese private. Madje ishin hapur edhe fonde për grumbullimin e mjeteve për organizimin e ngjarjes. Në vitin 2021, për shkak të masave parandaluese ndaj pandemisë COVID-19, qe mbajtur online. 

Drejtuesi i koncertit vjetor “Vendi im”, Ergin Oda, e ka quajtur ngjarjen edhe si “projekt etnomuzikologjik” derisa ka përmendur qëllimet e saj. 

“Vizioni i koncertit, muzika e vlera shqipe të jehojë në teatrot më me zë të Nju-Jorkut, të edukojë gjeneratat e reja se çfarë është dhe nuk është vërtet shqiptare, të shndërrohet në mit të ruajtjes së vlerave dhe traditave, ta njoftojë publikun amerikan me doket dhe zakonet tona! Projekt etnomuzikologjik që shpalos vlerat e folklorit dhe folkloristikës së të gjitha trevave!”, shkruhet në njoftimin e tij në rrjete sociale. 

Sivjet do të mbahej edicioni i shtatë i këtij koncerti dhe ishte caktuar të mbahej një ditë para Ditës së Pavarësisë së Kosovës, në orën 19:00, sipas kohës lokale atje. 

“Qëllimi i këtij koncerti vjetor ka qenë që kjo datë e shenjtë e jona të kremtohet me dinjitet dhe në mënyrën më artistike të mundshme, që ajo pasaportë e jona siç është melosi i pasur shqiptar, të prezantohet për identitetin dhe shpirtin e lashtë artistik përmes performancash të rafinuara skenike!“, ka shkruar Oda. KOHA ka provuar të marrë sqarime shtesë prej tij, por ka qenë e pamundur.  

Në edicionin e kaluar në këtë koncert patën interpetuar këngëtarët Aurela Gaçe, Merita Halili, Mariza Ikonomi, Flaka Krelani e Vedat Ademi. Sopranoja Estelina Syla e baritoni Ergin Oda gjithashtu kishin interpretuar, sikurse edhe Raif Hyseni si solist me fizarmonikë. 

Kuarteti “Oda” kishte sjellë veprat e Ergin Odës e të Cohen, Kaimi e Kwon. Aranzhimin e këngëve e kishte bërë Armand Broshka ndërsa dirigjent i orkestrës ishte Michael Shane Wittenburg, dirigjent, pianist, violinist e organist nga Nju-Jorku. Një biletë kushtonte 150 euro. Ky koncert i vjetshëm premierën televizive e pati në “Kohavision” më 24 mars. 

Krejt në fund të njoftimit, drejtuesi i koncertit “Vendi im” ka thënë se ngjarja shihej si e panevojshme. 

“Së fundmi, korrespondencat rreth produksionit ishin të paakorduara dhe rezultoi me vendimin që dhe ne të heqim dorë nga kjo traditë, nëse shihet si e panevojshme!”, ka shkruar Oda krejt në fund të njoftimit. 

Koncerti “Vendi im” ishte si një kaleidoskop i bukurisë së muzikës shqiptare e ndërthurur me mjeshtëri në lojë stilesh të ndryshme.