Përvjetori i Pavarësisë së Kosovës është ai që i bën bashkë muzikantët shqiptarë në New York tash e katër vjet, por koncerti “Vendi im” që u transmetua premierë televizive të premten mbrëma në Kohavision, shkon përtej festës. Mbledh perlat e muzikës shqipe, e kësaj radhe këtë e bëri me mjeshtri duke prekur epoka, stile, e zhanre të ndryshme për ta prezantuar si një mozaik tingujsh
Tingujt e parë që vijnë nga “Vendi im” janë ata të Himnit të Kosovës, interpretuar me mjeshtri nga Joana Kaimi në violinë, Gjilberta Lucaj në violonçel dhe nga pianisti i njohur japonez që jeton e vepron në ShBA, Yasuhiko Fukuok. Që me veprën kompozuar prej Mendi Mengjiqit, bëhet si një lloj paralajmërimi se janë bërë tok muzikantë të njohur shqiptarë që jetojnë në ShBA dhe instrumentistë të njohur që po ashtu krijimtarinë e tyre e zhvillojnë përtej Oqeanit. Nuk do shumë kohë as për t’u kuptuar se cili është qëllimi i koncertit.
Qe aktori Shpend Xani ai i cili tregoi se janë bashkuar për edicionin e katërt të koncertit “Vendi im” në New York, i transmetuar premierë të premten mbrëma në Kohavision.
“Ky koncert tanimë i përvitshëm, i dedikohet Pavarësisë së Kosovës. Koncerti si i tillë ndër të tjera ka për qëllim kultivimin e melosit të pasur shqiptar me vizion për t’u shndërruar në simbol ruajtjesh vlerash e traditash shqiptare”, ka thënë ai në fjalën hyrëse.
Për dallim prej viteve të tjera, sivjet, për shkak të pandemisë, koncerti nuk është mbajtur me publik, por është transmetuar online. Sidoqoftë kjo ka bërë që ai të arrijë të shtrihet më gjerë.
Katërvjetori i koncertit u shënua edhe me zgjerimin e programit, duke mos u ndalur në frymën e muzikës klasike, por te të gjitha ngjyrat e melosit shqiptar.
Interpretimi i radhës solli kolonën zanore të filmit nën regji të Xhanfize Kekos, “Taulanti kërkon një motër” kompozuar prej durrsak, Haig Zacharian. Ka qenë Yasuhiko Fukuoka që e solli atë në piano, e balerina Akreoma Salihu ka ardhur me performancë teksa me maturi ka shfrytëzuar hapësirën ku u xhirua koncerti, ambienti i restorantit “Çka ka qëllu” në New York, që shërben ushqime tradicionale shqiptare, fort i njohur dhe i prezantuar edhe në mediat më të mëdha botërore.
Salihu ka thënë se për të është e rëndësishme që të vazhdojë ruajtja e traditës. e se koncerti përçon shumë dashuri. Për realizimin e koreografive, ka gërmuar nëpër kujtime fëmijërie.
“Shumica e këngëve në të cilat performoj, janë këngë të kompozuara për filma të vjetër shqiptarë, e kjo më bëri të hulumtoj e të ndaloj në fëmijërinë time. Përjetimet personale me tepër”, ka thënë ajo.
Për dallim prej Salihut, pianisti Yasuhiko Fukuoka qëndroi edhe për një kohë në piano. Me Gjilberta Lucajn në violonçel sollën veprën “Fjalët e qiririt” të Limos Dizdarit. Lucaj ka thënë se ky kompozim i kishte mbetur në kokë që kur e kishte dëgjuar në fëmijëri te filmi “Mesonjetorja”, produksion i vitit 1979 nën regji të Muharrem Fejzos.
“Pak a shumë i gjithë programi është i tillë me vepra që i kemi pasur personale, pra kemi gjetur ndonjë këngë që na ka fjetur në shpirtin tonë”, ka thënë ajo.
Yasuhiko Fukuoka, bashkë me Joana Kaimin në violinë, interpretuan veprën “Në shtëpinë tonë” të Aleksandër Peçit, që solli përsëri në ekran balerinën Akreoma Salihu.
Kaimi me lëvizjet e saj në violinë e Salihu me vallëzim – të dyja të veshura me fustane të kuq – i kanë dhënë dramacitet performancës.
Për Kaimin ky është viti i dytë në Amerikë, dhe hera e dytë që i bashkohet koncertit që tashmë është bërë tradicional.
“Është interesante që pianisti jonë është japonez por ndihet shumë mirë kur luan dhe orkestron muzikë shqiptare. Në përgjithësi, muzikantët shqiptarë kur luajnë muzikë shqiptare e ndiejnë atë, pasi që muzika shqiptare sikur të thith dhe është shumë e ndjeshme dhe çdokush mund ta pëlqejë dhe ta luajë shumë mirë”, ka thënë ajo. Ka shtuar se edhe muzikantët shqiptarë e kanë për zemër muzikën shqipe dhe e luajnë me ndjenjë. Për këtë koncerti është lehtë i pranueshëm nga të gjithë.
Vepra e radhës ishte “Dashuro” e kompozitorit Severin Kajtazi. Erdhi e interpretuar nga katërshja që kuptohen shumë mirë muzikalisht me njëri-tjetrin. Bëhet fjalë për “Oda Quartet” që përbëhet nga baritoni Ergin Oda, violinistja Joana Kaimi, violonçelistja Gjilberta Lucaj dhe pianisti Yasuhiko Fukuoka. Njëlloj si “Dashuro”, edhe “Margjelo” kompozuar nga Prenk Jakova erdhi me një nivel të lartë interpretimi që shpie publikun tek e kaluara e pasur muzikore dhe njëkohësisht në të tashmen, tek interpretimet në salla koncertale me nam. Oda, që është bërë i njohur në skenën e muzikës në New York për intonacionin e tij, i lartëson këto këngë duke u dhënë ngjyrim operistik.
Interpretimi i radhës ndryshoi atmosferën, por jo edhe nivelin e lartë interpretativ.
“Zambaku i Prizrenit” i kompozitorit Akil Koci dhe “Moj e bukura Arbëri” e kompozitorit Avni Mula erdhën në mënyrë mjeshtërore nga Mira Konçi në vokal e Faton Macula në kitarë. Ka qenë një interpretim mjeshtëror i Konçit, në harmoni plot me zbërthim të ndjeshëm akordesh nga maestroja i jazzit Macula.
Konçi ka thënë se asnjëherë nuk u thotë jo ftesave që kanë të bëjnë për të nderuar Kosovën. Ka shtuar se kurdo që përmendet Kosova bëhet fjalë edhe për Shqipërinë. E kur instrumentistët më me nam nga trojet shqiptare bëhen bashkë, laramania nuk mungon.
“Me këtë ne bëmë që tradita të mbetet gjallë, por të gjitha këto materiale i sollëm në mënyrë shumë elegante pasi që patën një lloj modernizimi në vetvete dhe u sollën shumë bukur. U ruajt tradita, por u modernizuan”, ka thënë Konçi.
Ajo që ka potencuar Konçi ka qenë e dukshme gjatë gjithë koncertit. Posa përfundonte njëra këngë e niste tjetra, muzikantët i shtonin mëlmesa sipas stileve të tyre.
“Ishte një larmi gjinish dhe kishte një kastë me instrumentistë të shkëlqyeshëm, të ndryshëm, por shumë të përkushtuar. Melosi që ne kemi është aq i bukur, sa që bëjnë këto për zemër”, ka thënë Konçi.
Për kitarisin Macula e veçanta e këtij koncerti ishte bashkimi i artistëve të stileve të ndryshme, e të talentuar në mes të pandemisë vetëm për Pavarësinë e Kosovës.
Macula vazhdoi lojën e tij në kitarë, instrumentin që i dha zë në skenën e muzikës. Me lirshmëri mbajti linjën kryesore të këngëve duke u dhënë atyre më pas ngjyrimin e stilit të tij unik. Nën shoqërimin e tij, Lori Miho, këndoi “Ti m’ke braktisun” të kompozitorit Leonard Dedës dhe “A thua (Më mirë pa dhimbje)” të Muharrem Qenës, duke u dhënë ngjyrim jazz-blues.
Lori Miho, e cila ishte pjesë e edicionit të parë dhe të dytë ka theksuar se kësaj radhë më së shumti i ka pëlqyer fakti se i gjithë programi ishte me vepra shqipe.
“Ka një gërshetim të elementeve e ngjyrave shumë të ndryshme si nga orkestrimi ashtu edhe nga zëri. Është një koncert që definitivisht i fokusohet muzikës shqipe dhe lartësimit të saj”, ka thënë Miho.
Koncerti vazhdoi me “Variacione për fizarmonikë” nga Klajdi Cerriku në fizarmonikë dhe me “Kur një ditë të kthehesh ti” interpretuar në kitarë nga Faton Macula. Kënga shkodrane “Pranvera filloi me ardh” që bëri bashkë Mira Konçin, Ergin Odën, Joana Kaimin dhe Yasuhiko Fukuoka ndryshoi përsëri atmosferën. U lidh bukur me këngën “Era” nga grupi i njohur “Gjurmët” e të cilën e kënduan Mira Konçi e Lori Miho dhe Faton Macula në kitarë. E gjithë puna u përmbyll me veprën që i dha emër edhe koncertit “Vendi im (Mallëngjimi)”, kompozuar nga Rashid Krasniqi që bëri bashkë Ergin Odën, Lori Mihon, Mira Konçin, Joana Kaimin, Faton Maculën dhe Yasuhiko Fukuokan.
Është Ergin Oda, ai që mblodhi kolegët e vet me “Vendi im”, tash e katër vjet.
Ka thënë se me rëndësi është që publiku të njoftohet me muzikën shqiptare.
“Me këtë kartë identiteti që kemi e për të cilën na e ka lakmi e gjithë bota. Duhet që të shtrihemi sa më shumë dhe muzika shqiptare t’i arrijë te të gjithë”, ka thënë Oda. Ka treguar se programi i përzgjedhur jo vetëm që prek trevat shqiptare, por edhe epokat nëpër të cilat ka kaluar muzika shqiptare.
“Nga këngët që janë shumë me të vjetra, muzika e filmit, jaret, shansonat e deri te muzika rock”, ka thënë ai. Kështu “Vendi im” erdhi si një kaleidoskop i bukurisë së muzikës shqiptare e ndërthurur me mjeshtëri në lojë stilesh të ndryshme.