Kulturë

“Vendbanimet e Kosovës” – vepër kapitale për njohjen e vendit

Projekte të natyrës enciklopedike për Kosovën ishin ndërmarrë edhe dekada më parë në Tiranë e Zagreb, por të kufizuara dhe vetëm me kontribute individuale nga autorë të caktuar. Por leksikoni trevëllimësh “Vendbanimet e Kosovës” është vlerësuar si vepra e parë madhore që integron një fond të dhënash të larmishme mbi realitetet gjeografike, demografike, historike, ekonomike e kulturore në qendrat urbane e rurale në Kosovë. “Ky botim do të përmbushë një nevojë të kahershme për gjeoshkencat dhe do të jetë trashëgimi e madhe për shkencën e kulturën tonë”, ka thënë akademiku Hivzi Islami, i cili ka drejtuar projektin disavjeçar të ASHAK-ut

Të dhënat e mbi 1.400 vendbanimeve rurale dhe urbane në Kosovë tashmë janë invertarizuar në leksikonin akademik prej tre vëllimesh me të dhëna të nduarnduarta nga gjeoshkencat dhe dijet sociale. Me botimin e pjesës së tretë të leksikonit “Vendbanimet e Kosovës: Tabloja fizike-hapësinore, demografike dhe funksionale, Vendbanimet Rurale M-ZH”, ka përfunduar ndërmarrja kapitale e nisur para tre vjetësh nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.

Ky projekt leksikografik me 2023 faqe – i ndërmarrë nga Seksioni i Shkencave Shoqërore – është fryt i një bashkëpunimi kolektiv mes gjeografësh, sociologësh, demografësh, historianësh dhe ekonomistësh.

Në përurimin e mbajtur paraditen e së mërkurës në mjediset e ASHAK-ut, leksikoni trevëllimësh “Vendbanimet e Kosovës” është vlerësuar si një tjetër projekt i suksesshëm akademik që përmbush një nevojë të kahershme për gjeoshkencat, dijet sociale dhe opinionin profesional në vend.

Kështu, i fundit vëllim përmban të dhëna për 694 vendbanime rurale gjithandej Kosovës të renditura në mënyrë alfabetike prej shkronjës M deri në Zh.

Anëtarja korrespondente e ASHAK-ut, Justina Shiroka-Pula, ka vlerësuar se kompleti i plotë i leksikonit “Vendbanimet e Kosovës” ka sjellë risi nga qasja metodologjike, si dhe informacione të dorës së parë mbi evoluimin sasior e cilësor të qendrave të banimit në vend.

“Ky ‘Leksikon’ është vepër kapitale me vlerë të madhe që ndjek një qasje bashkëkohore shkencore”, ka thënë Shiroka-Pula.

Duke shprehur falënderimin për angazhimin e një numri të madh specialistësh, ajo ka thënë se botimi “plotëson mungesën e informatave rreth vendbanimeve dhe dinamikës së jetës në to”.

“Ky botim jo vetëm që është multidisiplinar, kapital e kompleks, por është edhe një enciklopedi në vete”, ka shtuar Shiroka-Pula.

Akademik Anton K. Berishaj, i cili tok me Qerim Kastratin ishin recensentë të tri vëllimeve, ka vlerësuar se ky leksikon ishte në vazhdën e aktiviteteve të realizimit të programeve akademike për njohjen e veçorive të vendbanimeve të Kosovës.

Sipas tij, objektivat e leksikonit në fjalë ishin ambicioze për shkak të “kompleksitetit dhe çështjeve” që janë analizuar për herë të parë.

“Me kënaqësi konstatojmë se objektivat e ideatorëve janë realizuar në tërësi”, ka thënë Berishaj për projektin që krijoi një fond të sistemuar e gjithëpërfshirës të të dhënave.

Duke e cilësuar si një bazament për të gjithë të interesuarit në këtë lëmi, ai ka theksuar se redaksia gjatë tërë kohës është ballafaquar me probleme të mëdha, përfshirë edhe mbështetjen financiare.

“Puna e bërë në këtë projekt është monumentale dhe burim i të dhënave në shumë fusha”, ka thënë mes të tjerash recensenti Berishaj.

Kurse akademiku dhe demografi, Hivzi Islami, që ishte redaktor i leksikonit trevëllimësh, ka thënë se realizimi i projekteve si ky nënkupton jo vetëm traditën dhe përvojën, por edhe dijen dhe mjetet financiare.

“Institucionet akademike në Kosovë kanë dëshmuar se janë të suksesshme në hartimin e veprave kolektive, si fjalorët, leksikonët e enciklopeditë”, ka thënë Islami.

Duke folur për projektin disavjeçar të ASHAK-ut, ai ka thënë se të dhënat burimore për evoluimin cilësor e sasior të vendbanimeve janë vjelë përmes një pyetësori profesional.

“Nga të dhënat e mbledhura ka rezultuar që po vazhdon trendi i braktisjes, shpopullimit të fshatrave dhe rënies së lindshmërisë”, ka thënë Islami, teksa ka nënvizuar se institucionet duhet të ndërmarrin masa dhe politika komplekse për t’i parandaluar këto dukuri.

Ai, po ashtu, ka përmendur edhe vështirësitë në mbledhjen e të dhënave në veri të lumit Ibër, ku, sipas tij, autoritetet serbe i kishin penguar bashkëpunëtorët boshnjakë të projektit.

“Në këtë rast, ekipi ka qenë i detyruar të shërbehet me të dhëna nga dokumentacioni serb”, ka thënë Islami.

Me një fjalë të shkurtër të pranishmëve u është adresuar edhe kreu i ASHAK-ut, Mehmet Kraja, i cili e ka vlerësuar leksikonin në fjalë si një vepër kapitale në fushë të leksikografisë.

“Është një njohje e shkëlqyer e Kosovës që e njihnim pak ose pjesërisht pak”, ka thënë Kraja, duke shtuar se tashmë ASHAK-u ka krijuar një fond me vepra leksikografike e enciklopedike.

Image

Të mërkurën paradite, në ASHAK, është përuruar vëllimi i tretë i leksikonit “Vendbanimet e Kosovës: Tabloja fizike-hapësinore, demografike dhe funksionale, Vendbanimet Rurale M-ZH”

I nisur vite më parë si projekt i Seksionit të Shkencave Shoqërore pranë ASHAK-ut, vëllimi i parë i Leksikonit mbi qendrat urbane, që u botua më 6 shtator të vitit 2018, përmban të dhëna për të përfshirë 13 qendra urbane dhe 24 seli komunale apo qyteza të Republikës së Kosovës. Në vëllimin e dytë të leksikonit, që u botua një vit më vonë, u përfshinë të dhëna të larmishme mbi 736 vendbanime rurale.

Përveç të dhënave dhe informacioneve relevante nga terreni për realitetet fiziko-hapësinore, demografike, historike, kulturore e ekonomike, që janë shoqëruar ku e ku me fotografi të vjetra e të reja, tri vëllimet e “Vendbanimeve të Kosovës” japin të dhëna edhe për dhunën, krimet dhe dëmet materiale të kryera nga Serbia.

Sipas redaktorëve të Leksikonit…, të dhënat e regjistrimit të fundit të popullatës në Kosovë, në vitin 2011, nuk janë të krahasueshme me të dhënat e mëparshme.

“Në këtë regjistrim është zbatuar kriteri ‘popullsi e pranishme’ (gjendja faktike), ndërsa në regjistrimet e mëparshme është zbatuar kriteri ‘popullsi e përhershme’ apo rezidenciale”, thuhet në parathënien e njërit nga vëllimet. “Nga ky dallim ka rezultuar rëndom rritja më e vogël e numrit të popullsisë në shumë vendbanime në regjistrimin e fundit, ngase nuk janë përfshirë personat të cilët në momentin e regjistrimit kanë munguar më shumë se një vit, ndërsa persona të tillë ka mjaft”.