Kulturë

Vdiq në moshën 91-vjeçare aktorja Margarita Xhepa

Margarita Xhepa

Margarita Xhepa (1934-2025)

Aktorja e madhe shqiptare, Margarita Xhepa, të enjten ka vdekur në moshën 91-vjeçare.

Xhepa lindi më 2 prill të vitit 1934 në Lushnje. 

Gjatë karrierës, ajo ka realizuar mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi.

Ikona shqiptare e kinematografisë është konsideruar si një nga “Zonjat e Mëdha” të teatrit dhe filmit shqiptar, që startuan në vitet ’60.

Disa prej personazheve që interpretoi gjatë karrierës së saj janë Zyraka te “Vitet e para” (1965), Shano te “Dimri i fundit” (1976), pianistja te “Koncert në vitin 1936” (1978) dhe Lena te “Tokë e përgjakur” (1976).

Margarita Xhepa ka performuar edhe në rolet e dramaturgjisë botërore si Ofelia te “Hamleti”, vajza e dytë te “Mbreti Lir”, dadoja te “Romeo e Zhuljeta”, mbretëresha Margaret te “Rikardi III”, Ledi Milfordin në dramën “Intrige e dashuri” (F. Shiler), Melën në dramën “Morali i zonjës Dulska” (G. Zapolska), Dafinën në dramatizimin e romanit “Lumi i vdekur” (J. Xoxa) dhe nënën në inskenimin e romanit të Kadaresë, “Kush e solli Doruntinën”, e shumë të tjerë, shkruan TCH.

Në vitin 2007, aktores iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës”, ndërkohë është dekoruar edhe me titullin “Artiste e Popullit”.