Kulturë

Vdiq Mire Lajçi, ikona që njihej si burrnesha e fundit e Kosovës

Ka vdekur në moshën 82-vjeçare, Mire Lajçi, e njohur si burrnesha e fundit e Kosovës. Me ikjen e saj, mbyllet në këto anë një zakon i trashëguar jashtë normave kanunore, i përhapur ndër shqiptarë edhe në Mal të Zi e në Shqipëri. Lamtumira e fundit i është dhënë të premten në Malaj të Rugovës, atje ku Lajçi kaloi jetën e saj larg vëmendjes

Shquhej si burrnesha e fundit e Kosovës. U përbetua të bënte këtë jetë kur ishte pesë a gjashtë vjeçare. Mire Lajçi, njëra prej ikonave të virgjëreshave të përbetuara të Kosovës, ka vdekur në moshën 82-vjeçare. Lajmin për ikjen e saj e kanë dhënë familjarët.

Lamtumira e fundit i është dhënë të premten në varrezat e fshatit Malaj të Rugovës. Me ikjen e saj, mbyllet kapitulli i burrneshave të Kosovës, një zakon i trashëguar jashtë normave kanunore, i përhapur ndër shqiptarë edhe në Mal të Zi e në Shqipëri.  

Antropologia amerikane Janet Reineck, do ta takonte për herë të parë Mire Lajçin në vitin 1984. E përshkruan si burrneshë unike.

“Kam shkuar me shoqen time Dushe Gjevukaj, ajo ka qenë prej Rugovës dhe ka qenë në lidhje familjare me Miren. Askujt nuk i ka interesuar për Miren. Ajo ka qenë vetëm një anëtare e familjes, jo diçka interesante. Kemi shkuar atje, ka qenë 1984 në katund, kemi ndenjur në shilte, na kanë prurë kafe, ajo ka pirë cigare...”, ka thënë Reineck.

Mire Lajçi do të bënte një jetë krejt të zakonshme si çoban në fshatin e thellë të Rugovës, në Nabërxhan. Për të, vendimi për t’u bërë burrneshë ishte krejt i zakonshëm. Edhe kur Reineck tentonte të hynte në botën e saj të mistershme, Lajçi kishte përgjigje të prerë.

“Kur kemi hyrë në bisedë më thellë se qysh ka ardhur që ti ke dashtë me jetu si burrë, mos me qenë femër. Ajo thoshte shumë thjeshtë: Unë desha me qenë burrë dhe u bana burrë dhe qashtu u kry”, ka thënë ajo.

Ka qenë tetori i vitit të kaluar kur Reineck do ta takonte Mire Lajçin pas katër dekadash. Ishte po ajo: burrnesha së cilës nuk i bënte përshtypje rrëfimi ekzotik për jetën e saj.

Antropologia, autore e emisionit “Amerikania përsëri në Kosovë” në KTV, ligjëruese e etnologjisë në Universitetin Amerikan të Kosovës, planifikonte ta takonte sërish.

Historitë e burrneshave shqiptare, janë jo vetëm tema studimesh e dokumentarësh, por kanë inspiruar edhe regjisorë e shkrimtarë të mëdhenj si nobelistja Alice Munro.

Sepse ato ishin gratë që thyenin rregullat në një kohë kur pakkush guxonte ta bënte këtë. Mire Lajçi ishte ajo që jetoi sipas mënyrës së vet.