Dirigjenti dhe profesori Bajar Berisha vdiq të martën në moshën 73-vjeçare.
Berisha kishte qenë udhëheqës artistik-dirigjent i Orkestrës Simfonike të Prishtinës (RTP), dirigjoi edhe me Filarmoninë e Beogradit, me Orkestrën Simfonike të Teatrit Kombëtar Kroat të Zagrebit, Orkestrën ‘Camerata” të Prishtinës, Orkestrën dhe Korin e Fakultetit të Arteve.
“Veçohet koncerti me Orkestrën Simfonike të RTP-së në ‘Lojërat Verore’ të Dubrovnikut në vitin 1981”, shkruan në Enciklopedinë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Berisha kishte kryer studimet në Fakultetin e Arteve në Beograd në vitin 1972/73, ndërsa studimet e magjistraturës i ndoqi në Sarajevë, derisa provimin e magjistraturës e kreu në Beograd me Filarmoninë e Beogradit.
Ai pasi kishte përfunduar studimet kishte nisur punën në shkollën e mesme muzikore në Prishtinë, e pas hapjes së degës muzikore pranë Akademisë së Arteve në Prishtinë më 1975/76 u bë ligjërues për lëndën “Dirigjim dhe Kor” dhe pas një mandati ai u rizgjodh dhe mori titullin docent.
Berisha në vitin 1982/83 kishte nisur specializimin në Shkollën e Lartë të Artit në Berlin.
Ndërsa në vitin 1987 u bë udhëheqës artistik-dirigjent i Orkestrës Simfonike të Prishtinës (RTP).
“Para luftës së fundit në Kosovë dhe disa vite pas saj, dirigjenti Bajar Berisha u tërhoq nga puna profesionale dhe në vitin shkollor 2007/2008, u kthye sërish duke u angazhuar si profesor me korrespodencë në lëndët: Dirigjim dhe Kor. Puna e tij e palodhshme, vullneti i jashtëzakonshëm, bëri që studentët tanë të shfaqin interesim të madh për këto lëndë, e kjo më së miri mund të vërehet në atë se nga viti 2007 kur edhe dirigjenti filloi sërish punën e deri më sot, në lëndën e dirigjimit, drejtimi i Pedagogjisë së Përgjithshme Muzikore diplomuan tre studentë. Prof. Mr. Bajar Berisha gjatë këtyre viteve ka pasur suksese të mëdha, duke mundësuar në këtë mënyrë edhe zhvillimin e Dirigjimit dhe Këndimit Koral si disiplina shumë të rëndësishme për muzikën artistike te ne në Kosovë”, ka shkruar muzikologia Rreze Kryeziu.
Berisha ishte dalluar me interpretime kreative të veprave të autorëve tanë të shquar.
Ai po ashtu shkroi edhe “Fjalor enciklopedik muzikor-terminologjik”, që u botua në vitin 2014 nga Botimet “KOHA”.
Dirigjenti Memli Kelmendi kishte diplomuar në klasën e Bajar Berishës. Ai thënë për KOHËN se vdekja e Berishës lë boshllëk në muzikën klasike në këto anë.
"Me ikjen e tij më së shumti ka humbur trashëgimia e muzikës klasike në Kosovë. Por, shpejt profesorit do t'i njihen meritat që është dashur t'i nxirren në pah edhe më herët", ka thënë Kelmendi.
Ai ka kujtuar ndikimin që ka pasur Berisha edhe në formimin e tij muzikor dhe jo vetëm.
"E tillë është jeta e një artisti në rrethanat tona. Ai ka ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin tim profesional. Shpesh jam konsultuar në aspektin profesional. Me shumë modesti përmend faktin se kudo që kam udhëtuar, jam ndier krenar me ato që kam marrë nga prof. Bajari", ka thënë Kelmendi.