Kulturë

Vdiq aktori Rasim Thaçi - Cima

Aktori i njohur Rasim Thaçi - Cima, ka vdekur sot në moshën 70-vjeçare. 

Ai për disa ditë, ishte i shtruar në Klinikën Infektive ku po trajtohej për COVID-19.

Në postimin e fundit të aktorit të humorit në Facebook, para pesë ditësh, ai shkroi se gjendja e tij ishte rënduar.

Në faqen zyrtare të tij, familjarët kanë konfirmuar vdekjen duke njoftuar se varrimi bëhet më 27 mars, në fshatin e lindjes, Vukovc, prej orës 13:00.

Pos aktrimit, Rasim Thaçi ishte për një kohë edhe profesor i edukatës fizike. Bëri karrierë edhe si futbollist.

Cima u bë i njohur gjatë viteve ’80 si pjesë e grupit “Treshi përsheshi”, ku bënin pjesë edhe i ndjeri Ibrahim Krajkova – Leci dhe Sevdai Radogoshi – Qumili.

Si trashëgimi artistike, Cima pas vetës ka lënë qindra skeçe të humorit.

Për vdekjen e Thaçit ngushëllime kanë shprehur akterë të shumtë publikë. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka quajtur vdekjen e Cimës si humbje të madhe jo veç për familjen e tij.

“Kultura dhe arti shqiptar ka humbur njërin ndër yjet e tij më të mëdha. Me talentin e tij depërtoi thellë në kujtesën tonë. Me përkushtimin e tij të pashoq, arriti të krijojë aq shumë role sa nuk mund të numërohen dot. Ai ka qenë një model i një artisti i cili është një shkollë dhe frymëzim për artistët tjerë. Ai veproi dhe nuk u ndal edhe në kohët më të vështira nëpër të cilët kaloi populli shqiptar i Kosovës, duke treguar dashurinë që kishte ai për popullin e tij dhe guximin për idealet tona. Rasim Thaçi la pas vetës një korpus të madh të krijimtarisë dhe kjo do të mbetet një gjurmë e pashlyer në kulturën dhe artin tonë. Ne do ta kujtomë me pietet veprën dhe krijimtarinë e tij”, ka shkruar ai në telegramin e ngushëllimit.

Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka thënë se sot “Kosova u varfërua, mbeti pa ikonën e humorit, aktorin dhe njeriun e mirë që na fali shumë kujtime”.

“Humori i tij ishte dritë edhe në ditët tona më të errëta, ishte rezistencë ndaj sistemit shtypës, ishte shpresë për ditë më të mira! Ai na bëri të qeshim gjithë jetën e tij. Ne sot jemi të pikëlluar, sepse ikja e Cimës do ta lë një zbrazëtirë të madhe. Por, ne do ta kujtojmë përherë me mall humorin e tij!” ka deklaruar ajo.

Të shtyunën duke filluar nga ora 09:00 në objektin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, do të bëhen homazhe për artistin Rasim Thaçi-Cima.

Lajmin e ka bërë të ditur dhëndri i aktorit, Bardhyl Meta.

Aktori Cima ka vdekur sot në moshën 71-vjeçare pas infektimit me koronavirus.