Animacioni nën regji të Ilir Blakçorit është selektuar për t’u shfaqur në edicionin e 45-të të festivalit të njohur amerikan “Cleveland Film Festival”. Për filmin “Clara me mustaqe” kjo përzgjedhje - pas selektimit në “Santa Barbara International Film Festival” – nënkupton se ai do të shfaqet në dy festivale kualifikuese për “Oscar”
Brenda javës filmi “Clara me mustaqe”, nën regji të Ilir Blakçorit, ka shënuar dy suksese. U selektua për të dhënë premierën botërore në festivalin e njohur “Santa Barbara International Film Festival”. Por udhëtimi i filmit nëpër festivale të njohura veçse ka filluar. Filmi, po ashtu, është selektuar për një tjetër festival të njohur amerikan, edicionin e 45-të të “Cleveland Film Festival”. Në të dy këto festivale, filmave fitues u jepet mundësia që të kualifikohen për pjesëmarrje në Akademinë e Çmimeve “Oscars”.
Edicioni i sivjetmë i “Cleveland Film Festival” do të mbahet online nga 7 deri më 20 prill. Në ueb-faqen e Festivalit do të shfaqen 116 filma të metrazhit të gjatë dhe 182 filma të metrazhit të shkurtër. Biletat janë nga 8 dollarë për anëtarët e CIFF-së deri në 10 dollarë për joanëtarë. Animacioni kosovar do të jetë i qasshëm për t’u parë vetëm brenda territorit amerikan.
“Cleveland Film Festival” njihet për promovimin artistik dhe kulturor të artit të filmit me qëllim pasurimin e jetës në komunitet. Festivali është me i madhi në Ohio dhe për herë të parë u mbajt në vitin 1977.
Filmi i shkurtër i animuar “Clara me mustaqe” (Clara with a mustache) është pjesë e programit për filma të shkurtër, ku bëjnë pjesë edhe filmat si “Estilo Americano” nën regji të Miriam Kruishoop, “From Kurils with Love” nën regji të Taylor Rees, Renan Ozturk, “Raspberry” nën regji të Julian Doan, “Sloan Hearts Neckface” nën regji të Justin Fair, “Two Sands” nën regji të Poppy Van Oorde-Grainger, “Unicorns” nën regji të Candice Carella e të tjerë.
Në fokus të animacionit 10-mintuësh është kartëmonedha 100 marka gjermane, ku vërehet portreti i bukur i Clara Schumanit. Kompozitorja dhe mësuesja e pianos është një ndër pianistet më të njohura gjermane të periudhës së romantizmit. Gjatë animacionit, era e lehtë që fryn e dërgon kartëmonedhën gjetkë nëpër vende të ndryshme, duke na zbuluar kështu rrëfimin që fshihet prapa animacionit që ka nisur mbarë udhën e tij.
Regjisori Ilir Blakçori bashkë me ekipin kanë punuar pesë vjet në këtë animacion të shkurtër.
Sipas tij, vetë fakti që janë festivale kualifikuese për “Oscar” flet mjaftueshëm për prestigjin e tyre dhe peshën në botën e filmit. “Në rrafshin personal më dhuron satisfaksion të disafishtë. Është njohje për pasionin dhe mijëra orë pune në realizimin e këtij filmi, për cilësinë dhe përmbajtjen e tij”, ka thënë ai. Sipas Blakçorit, mbi të gjitha është njohje për Kosovën, për krijuesit e saj “dhe për historinë tonë sa tragjike ashtu edhe vetëmohuese dhe kurrë dorëzuese”.
“Dy festivalet janë të një kategorie pothuajse të njëjtë, me një konkurrencë shumë të fortë. Ne jemi shumë të gëzuar që kemi arritur të zgjidhemi vetëm për të qenë pjesë e këtyre dy festivale të mëdha”, ka thënë Blakçori. Ka shtuar se “Cleveland Film Festival” ka një audiencë shumë të madhe dhe një gamë të gjerë të konkurseve filmike.
“Për ne ky rrugëtim i suksesshëm i filmit që nisi me këto dy festivale, vetëm na konfirmon që kemi bërë një punë të mirë, dhe kjo na bën të ndihemi krenarë”, ka thënë regjisori.
Regjisori Ilir Blakçori për këtë film të animuar të metrazhit të shkurtër është frymëzuar nga lufta e fundit në Kosovë.
“Luftërat në përgjithësi bëhen për pushtet dhe autoritet dhe gjithmonë motivuesi kryesor prapa këtyre të dyjave është paraja”, ka thënë ai. Sipas tij, që nga viti 1990 deri në vitin 2002, Kosova ka pasur një lidhje të veçantë me markën gjermane.
“Për këtë arsye atë e shohim si një dëshmitare të përvojave të tmerrshme që njerëzit e Kosovës kaluan gjatë gjithë atyre viteve, veçanërisht atyre 1998-1999”, ka thënë ai.
Produksioni është realizuar nga “Molos” dhe mbikëqyrëse e animacionit është Vala Blakçori, e cila ka master për animacion të karakterit në “Animation Mentor” në Kaliforni. Në anën tjetër, muzika e mirëfilltë që përcjell pamjet vizuale gjatë gjithë filmit është vepër e kompozitorit francez Romain Zante, që u orkestrua nga “Budapest Art Orchestra”, në përbërje të mbi 50 instrumentistëve. Një pjesë e kolonës zanore është komponim i vetë kompozitores dhe pianistes Clara Schumman, por e risjellë në mënyrë të veçantë nga kompozitori francez.
E “Santa Barbara International Film Festival” edicionin e sivjetmë do ta mbajë nga 31 marsi deri më 10 prill. Filmat që janë pjesë e edicionit të 36-të do të shfaqen në dy kinema në bregdet. Për shkak të pandemisë, prurjet e sivjetme do të mund të shihen vetëm nga vetura në kinematë “Drive”, fama e të cilave u rikthye për shkak të koronavirusit.
Me rastin e selektimit për këtë festival, Blakçori pati thënë për KOHËN se duke udhëtuar nga dora në dorë, Clara zbulon emocione dhe situata të ndryshme njerëzore. “Ajo mishëron veten në luftë, në shpëtim të jetës, në grabitje, krim, korrupsion dhe shpresë për një të ardhme më të mirë”, ka thënë regjisori. Sipas tij, animacioni tregon një histori universale, pa dialogë, por në një mënyrë shumë artistike. Filmi, siç ka thënë regjisori, u kushtohet 31 milionë fëmijëve në të gjithë botën sot, të cilët vuajnë nga lufta dhe dhuna.