Kulturë

Universiteti “Ukshin Hoti” debuton me shkollë verore ndërkombëtare

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren për herë të parë sivjet do të organizojë shkollën verore, ku parashihet të marrin pjesë dhjetëra studentë nga vendi dhe bota. Për ta jetësuar këtë organizim, ky institucion i arsimit të lartë do të bashkëpunojë me “DokuFestin” dhe Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit. Në këtë Park të martën është nënshkruar marrëveshja trepalëshe, me ç’rast është theksuar se partnerët synojnë që të ofrojnë një përvojë të veçantë për studentët pjesëmarrës.

“Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është bashkëpunimi trepalësh për organizimin e shkollës verore ndërkombëtare në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. Vlen të theksohet se është hera e parë për Universitetin që nga themelimi që organizohet një ngjarje e tillë”, ka thënë rektori i këtij universiteti, Samedin Krrabaj.

Sipas tij, “DokuFesti” gjatë festivalit do të pranojë një numër të konsiderueshëm të studentëve të këtij universiteti dhe se ky angazhim do t’u njihet si praktikë profesionale. Ndërsa ITP do të mundësojë që aty të akomodohen 60 studentë, që do të jenë pjesë e shkollës verore ndërkombëtare.

“Ne si Universitet pos hapësirave kemi ndarë edhe 35 mijë euro, për organizimin e mirë të shkollës verore”, ka deklaruar Krrabaj, duke shtuar se shkolla verore do t’i ketë 6 module, ku secila njësi akademike do të zhvillojë një të tillë, ndërkohë që do të ketë edhe aktivitete tjera kulturore-rinore.

“Shpresoj shumë që në këtë shkollë verore të ketë pjesëmarrës jo vetëm nga vendi e rajoni, por edhe nga shtetet evropiane”, është shprehur Krrabaj.

Drejtoresha ekzekutive e “DokuFestit”, Linda Llulla, ka theksuar se marrëveshja e fundit vetëm se thellon bashkëpunimin e filluar pesë vjet më parë me Universitetin “Ukshin Hoti”, e sidomos me Fakultetin e Edukimit.

“’DokuFest’ do të ofrojë kontributin në organizim, pasi kemi një përvojë 20-vjeçare në organizimin e festivalit ndërkombëtar. Do ta ndajmë përvojën tonë me Universitetin. Por gjithashtu shkolla verore do të mbahet në datat e festivalit, kështu që studentët e profesorët që janë pjesë e shkollës verore do të kenë mundësinë që të pajisen me akreditim për filma pa pagesë, për performancat muzikore, panel- diskutimet e të tjera. Krejt kjo do të jetë vlerë e shtuar për pjesëmarrësit e shkollës verore në Prizren”, ka thënë Llulla.

Ndërsa Muhamed Rexhepi nga ITP ka pohuar se ky Park do t’i ofrojë hapësirat infrastrukturore për studentët vendorë dhe ndërkombëtarë për akomodim, për organizmin e ndonjë moduli dhe për aktiviteteve të tjera jashtëkurrikulare. Sipas tij, ky organizim i përgjigjet konceptit të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve që parasheh të përfshijë shkencën, hulumtimin e zhvillimin ku në qendër janë studentët dhe të rinjtë.

“Partneriteti me Universitetin e Prizrenit dhe ‘DokuFestit’ është me rëndësi për arsye që koncepti i ITP parasheh që aktivitetet dhe oferta kryesore të përfshijë shkencën, hulumtimin, zhvillimin dhe cak i synuar janë studentët, të rinjtë, bizneset e reja dhe gjithashtu pjesëtarët e industrisë kreative dhe kulturore, siç është pjesëmarrja e “DokuFestit””, ka deklaruar Rexhepi.

Sipas organizatorëve, rreth 120 studentë vendorë dhe ndërkombëtarë pritet të marrin pjesë në shkollën verore në Prizren, e cila do të zhvillohet prej 1 deri më 12 gusht të këtij viti.

Kjo shkollë verore parashihet t’i ketë 6 module, si në vijim: IA dhe inxhinieri për qytetet e mençura (Fakulteti i Shkencave Kompjuterike); Përgjigjet e politikave bujqësore dhe ushqimore ndaj krizës së COVID-19 (Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit); Marketingu digjital dhe inovacioni gjatë periudhës COVID-19 (Fakulteti Ekonomik); Të mësuarit nëpërmjet filmit (Fakulteti i Edukimit); Drejtësia Tranzicionale në Kosovë: Kërkimi i drejtësisë përmes gjykatave dhe tribunaleve (Fakulteti Juridik) dhe Anglishtja për qëllime të punësimit (Fakulteti i Filologjisë). Afati për aplikim për stafin akademik është 30 mars 2022, ndërsa për studentët 30 maj 2022.