Poeti i madh grek Janis Ricos (greqisht: Γιάννης Ρίτσος) lindi më 1 maj të vitit 1909 në Monemvasia të Peloponezit (Moreja e dikurshme) dhe vdiq më 11 nëntor të vitit 1990 në Athinë, në moshën 81-vjeçare. Brenda këtij harku kohor shtrihet një jetë dramatike, si e rrallë ndonjë shkrimtari tjetër bashkëkohës dhe një vepër e gjerë artistike, kryesisht në vargje, që i ka të rralla shoqet në letërsinë botërore.
Opusi i tij poetik është grandioz dhe përbëhet nga rreth njëqind libra me poezi me mbi njëqind mijë vargje (sa tri herë “Iliada” dhe “Odiseja”), aq sa, herë-herë, duket e pabesueshme se si ka mundur të krijohej një vepër kaq e gjerë në një vend me histori të trazuar çfarë është Greqia moderne dhe brenda një jete njerëzore përplot andralla familjare e shoqërore, çfarë është jeta e Ricosit, shkruan sot Koha Ditore.
Edhe pse rridhte nga një familje e pasur, sado e rënë ekonomikisht, Ricosi qysh në rininë e hershme do t’i përqafojë idetë e majta, marksiste dhe do të luftojë për triumfin e tyre në jetë dhe në art.
Nuk e kursyen tragjeditë familjare - vdekja e nënës dhe vëllait kur ishte i ri dhe e motrës pak më vonë, kurse babai i tij, që kishte pasion kumarin, do të përfundonte akoma më keq, në çmendi. I prekur nga sëmundja e shpeshtë e kohës, tuberkulozi, do të detyrohej të qëndronte në spitale e sanatoriume dhe të bënte punë të ndryshme për të mbijetuar. (Studionte dhe njëkohësisht punonte si kopjues, korrektor, balerin, aktor etj.).
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)