Prishtinë, 19 dhjetor – Njëmbëdhjetë studentë të drejtimit të pikturës në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës kanë bërë tok veçantitë e tyre nëpërmjet artit. Ani pse pikturat e tyre dallojnë për nga tematika e teknika, përkrahja e njëri-tjetrit e promovimi i artit i ka bërë bashkë. Ardrit Lutolli, Engji Jaha, Armansa Pjetroviq, Erita Aliu, Aida Radoniqi, Shkamb Jaka, Drenusha Dalipi, Renea Begolli, Luiza Thaqi, Ulpiana Kurtaj dhe Artin Ibrahimi janë autorët e veprave të ekspozitës “Unifikimi”, që u hap të martën mbrëma në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë. Pas punës që kanë bërë studentët qëndron profesoresha e tyre Zake Prelvukaj.
Punimet kanë zëne vend në muret e dy kateve dhe shikim i shpejtë kapërcen prej realizmit në abstraksion, mirëpo rrëfimet prapa çdo pikturë janë mjaft personale. Shkamb Jaka me të pranishmit përmes pikturës së tij të titulluar “Hypnagogia” ka ndarë po ashtu diçka shumë personale – dy trajektore të incizimin e trurit të tij (me electroencephalogram - EEG).
Në të njëjtin kat me pikturën e Jakës, qëndron e varur edhe piktura “Paradise in black” e realizuar nga Erita Aliu. Personazhit të saj ajo ia ka mbyllur sytë me një shami të bardhë duke luajtur me kontrastin në mes të ngjyrës së bardhë e të zezës. Sytë nuk shihen as në pikturën “Sytë e fundosur” që qëndron pranë saj. Është portreti i vajzës më flokë ngjyrë ari që e ka realizuar Ulpiana Kurtaj. “Një realizëm pak më i dobët”, ka thënë ajo për këtë pikturë, tek ka biseduar edhe për dy pikturat e tjera të ekspozuara një kat më poshtë: “Eda” dhe “Çfarë ndjen”. Eda, vajza e vogël e që Kurtaj e ka vajzë të xhaxhait, është personazh në pikturën që bart emrin e saj. Ajo ka qenë e pranishme në ekspozitë e me kureshtje ka shikuar veten të realizuar në mënyrë shumë realiste.
“Kam një lidhje shumë të fuqishme me Edën dhe secili detaj që është paraqitur në pikturë e ka një domethënie të veçantë. Këtu syri paraqet butësinë që kjo vajzë ka”, ka thënë Kurtaj për pikturën. Afër saj është piktura “Çfarë ndjen”, me elemente abstrakte, por në të cilën sytë po ashtu janë një gjurmë që duhet ndjekur.
“’Çfarë ndjen’ është një pikturë ku shumica e njerëzve që e shohin koncentrohen në sytë e kësaj vajze dhe secilin që e ka pyetur ‘se çfarë ka ndier kur e ka parë’, e ‘a ka pasur mendime të ndryshme’”, ka thënë Kurtaj, e cila ka shtuar se tri pikturat e saj kanë stile të ndryshme prej njëra-tjetrës.
“Jemi munduar që të eksperimentojmë me stile të ndryshme pasi që edhe profesoresha Zake Prelvukaj na e jep mundësinë që të bëjmë diçka të tillë”, ka thënë ajo.
E sipas profesoreshës Zake Prelvukaj, është detyrë e mësimdhënësve që studentëve t’ua rrisin vetëbesimin. Dhe pikërisht për këtë ajo ka thënë se ka punuar shumë pikërisht me studentët e saj.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)