Kulturë

“Unë e përdhunuara” – dëshmi e viktimave të luftës dhe paqes

Të përdhunuarat nga kriminelët serbë në Kosovë jetojnë me barrën e rëndë të vuajtjes që s’iu ndahet nga mendja edhe pothuajse njëzet vjet pas luftës, për fajin e paragjykimeve shoqërore. Përdhunuesit nderohen si heronj të gjallë në Serbi. Viktimat vuajnë përbrenda, shkruan sot Koha Ditore.

Të rralla janë rastet kur rreth 20 mijë të përdhunuarat hasin në mbështetje të gjerë shoqërore në Kosovë. Të pakta janë rastet kur gratë e përdhunuara gëzojnë përkrahjen e familjarëve për të dëshmuar publikisht terrorin e përjetuar, si rasti i Vasfije Krasniqit-Goodman, e cila pati mbështetjen e vëllait. Ajo ka inkurajuar nëpërmjet një videomesazhi që të mbështeten të gjitha viktimat nga shoqëria kosovare. Guximi i saj i ka dhënë zemër Ramize Murtezi-Shalës, gazetare e RTK-së, që të shkruajë romanin të bazuar në një ngjarje të vërtetë, “Unë e përdhunuara...”, që është përuruar të premten mbrëma në sallën e promovimeve në bodrumin e librarisë “Dukagjini”.

Rrëfimi i protagonistes shpalos historinë e dhimbshme të saj dhe të vajzave. Romani është dëshmi e një të përdhunuare – me identitet të ndryshuar në një shoqëri që moralin e femrave e përmbledh edhe me shprehjen e thënë bujshëm edhe nëpër këngë atdhedashurie me vargje, si “ku nihet pushka kur në konak lind djalë” e ku “pika ma e dobt në moral është motra”. Organizatat joqeveritare thonë se edhe burrat ishin përdhunuar nga regjimi i Slobodan Milosheviqit.

Por pakkush i ka përkrahur viktimat e dhunës seksuale – që Serbia e përdori si armë lufte për t’i thyer moralisht shqiptarët.

[Më gjerësisht mund të lexoni në gazetën Koha Ditore]