Kulturë

Ulpiana në tokë të shtetit, “Hidroelektrana” kërkohet në shfrytëzim

Procesi që ka nisur qysh në shtator të vitit të kaluar për shpronësimin e 21 hektarëve për lokalitetin arkeologjik Ulpiana ka marrë epilog. Me këtë vendim, për njërin prej aseteve më të çmueshme të trashëgimisë kulturore, hapet kapitull i ri. Por një tjetër monument, “Hidroelektranën” e Prizrenit, shteti synon ta marrë në shfrytëzim përderisa e mbron përhershëm

Lokaliteti më i rëndësishëm arkeologjik i Kosovës të mërkurën është pajisur me vendimin më peshërëndë që e ka pritur prej kohësh: shpronësimin. Në mbledhjen e 188-të Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin. Janë 21 hektarë të lokalitetit arkeologjik jo larg Prishtinës, që janë bërë pronë e shtetit. Procesi që ka nisur qysh në shtator të vitit të kaluar ka marrë epilog.

“Miratohet shpronësimi për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i projektit: Mbrojtja dhe menaxhimi i trashëgimisë kulturore, konservimi dhe investimi në ‘Lokalitetin Arkeologjik Municipiumi Ulpiana - Justiniana Secunda”, pjesë e trashëgimisë nën mbrojtje të përhershme (nr. unik TKRKS2A001) Zona Kadastrale Graçanicë, Komuna e Graçanicës, sipas tabelës bashkëngjitur këtij vendimi”, shkruhet në pikën e parë të vendimit që është miratuar në mbledhjen e Qeverisë. Sipas këtij akti, brenda 5 ditëve të punës pas nxjerrjes së këtij vendimi, Departamenti i Shpronësimit ia dërgon vendimin subjektit kërkues dhe personave të tjerë të identifikuar në tabelat e përcaktuara në pikën e parë të vendimit. Kurse brenda dhjetë ditëve të punës pas miratimit të këtij vendimi, Departamenti i Shpronësimit bën shpalljen e vendimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Po ashtu, sipas vendimit, brenda dy vjetëve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit përfundimtar dhe aplikimit të pronarit për pagesë të pronës, Departamenti i Shpronësimit nga mjetet financiare të pranuara nga subjekti kërkues do të paguajë shumën e kompensimit të shpronësimit të caktuar në raportin e vlerësimit komfort legjislacionit në fuqi.

Në po të njëjtën mbledhje është miratuar edhe një tjetër vendim që lidhet me trashëgiminë kulturore. Bëhet fjalë për “Hidroelektranën” e Prizrenit. Por, monumentin që shteti e mbron përhershëm synon ta marrë në shfrytëzim.

“Qeveria ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës për marrjen në shfrytëzim të pronës në Zonën Kadastrale Gënçar, Komuna e Prizrenit, e menaxhuar nga Agjencia Pyjore e Kosovës. Projekti i ndërhyrjeve restauruese në ‘Hidroelektranë’ të Prizrenit, monument i trashëgimisë kulturore, është zhvilluar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe tani Ministria e Kulturës po i ndërmerr hapat për funksionalizimin e plotë të tij, që monumenti në fjalë të jetë i qasshëm për të gjithë qytetarët”, shkruhet në komunikatën e Qeverisë. Sipas përshkrimit që i bëhet, historia e “Hidroelektranës Prizrenasja” është e lidhur ngushtë me historinë e elektrifikimit në Kosovë. Sipas të dhënave të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, në grykën e Lumbardhit, 2.5 kilometra në lindje të Prizrenit, gjendet ndërtesa e centralit. Është ndërtuar në vitet 1926-28 me kontributin e qytetarëve dhe kredive bankare. Ndërtesa, që zyrtarisht mbrohet nga shteti si “Hidroelektrana – Muzeu i Elektroekonomisë” ishte projektuar dhe ndërtuar nga një kompani austriake. Hidrocentrali ndaloi së funksionuari në vitin 1973. Në vitin 1975 ndërtesa u adaptua në Muzeun e Historisë Elektrike të Kosovës. Ajo u restaurua dhe u inaugurua si muze në vitin 1979.

Me gjithë këtë, në prillin e vitit të kaluar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, do ta “njoftonte” publikun se “Kosovës po i shtohet një muze unik”, siç do ta titullonte një njoftim në Facebook. Do të shtonte se ajo që dikur shënonte frymë modernizimi në arkitekturë dhe moment elektrifikimi e zhvillimi industrial për qytetin, është në fazën e fundit të restaurimit.

Ndërkaq “Ulpiana” është aseti më reprezentativ i shekujve të parë në këto anë e njëkohësisht monumenti më i vizituar në Kosovë. Prej vjeshtës së vitit 2016 aty gjendet edhe parku arkeologjik “Ulpiana”, i vetmi i tillë në vend. Shteti vazhdimisht paguan qira vjetore për pronat private që shfrytëzon në këtë lokalitet. Aktualisht në vit paguhen rreth 6 mijë euro.

Milot Berisha është arkeologu që u ka prirë punimeve që një pjesë e asetit të jetë park arkeologjik. Njëkohësisht i prin projektit që zhvillohet po në këtë lokalitet midis Institutit Arkeologjik të Kosovës, Universitetit të Prishtinës dhe “Ecole Superiore Normal” nga Parisi.

Sipas Berishës, ky vendim për aprovimin përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme në Parkun Arkeologjik Municipium Ulpiana – Iustiniana Secunda sjell një lajm frymëzues për të gjithë ata që ndajnë pasionin për trashëgiminë kulturore të Kosovës. Sipas tij, pas shtatë vjetësh që ky lokalitet u shpall park arkeologjik, ky hap është një moment shumë i rëndësishëm drejt zhvillimit të kësaj qendre arkeologjike, e njohur për pasurinë dhe diversitetin e saj arkeologjik.

“Ky hap ndikon pozitivisht në fushën e hulumtimeve shkencore dhe ndihmon në prezantimin dhe promovimin e turizmit dhe arkeoturizmit të pasur në trashëgiminë kulturore të Kosovës. Në këtë moment ndjenja e gëzimit dhe krenarisë për trashëgiminë tonë po shpërfaqet në një skenë më të gjerë. Ky zhvillim shënon një kapitull të ri për këtë qendër arkeologjike, e cila ka treguar një potencial të jashtëzakonshëm për të ndikuar pozitivisht edhe në skenën ndërkombëtare. Kjo është një mundësi e rrallë për të prezantuar pasurinë dhe trashëgiminë kulturore të Kosovës në një dritë të re, duke ofruar shqyrtime të reja dhe frymëzim për publikun e gjerë”, ka thënë Berisha, i cili aktualisht është edhe zëvendësues i drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Berisha ka thënë se shpronësimi i një zone kaq të madhe si 21 hektarë hap rrugën për një qendër tërheqëse dhe promovuese në fushën e hulumtimeve arkeologjike.

“Ky hap do të ndikojë në prezantimin dhe promovimin e turizmit dhe arkeoturizmit, duke bërë që trashëgimia kulturore e Kosovës të jetë e njohur dhe e vlerësuar në skenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Në tetor të vitit të kaluar qe miratuar plani i menaxhimit për parkun arkeologjik, “Ulpiana”. I miratuar shtatë vjet prejse një pjese të lokalitetit arkeologjik të Ulpianës i ishte “prerë shiriti”, për t’u bërë park arkeologjik me tre sektorë, aq sa në terren nuk ka ndryshime. Tash së paku në letër ka zotime.

Dokumenti prej 47 faqesh, miratuar prej ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, është një lloj manuali i menaxhimit të Parkut Arkeologjik deri më 2027. Aty përfshihen prej deklaratës së rëndësisë, vizionit, brendimit, historikut, fushat e veprimit e deri te plani i veprimit. Në skemën e organizimit dhe funksionimit të Parkut do të jetë bordi drejtues me pesë anëtarë: menaxheri ose përgjegjësi i Parkut dhe stafi profesional e ai administrativ. Te stafi profesional do të ketë një arkeolog, një konservator, dy ciceronë dhe një kurator. Kurse te stafi teknik: katër mirëmbajtës, katër persona për sigurim fizik dhe planifikohet një kafene e dyqan suveniresh. Shërbimet shtesë ishin paraparë qysh në projektin e Parkut, por nuk ishin realizuar asnjëherë. Te plani i veprimit parashihet shpronësimi, çështje së cilës Qeveria i ka kapur rrugë edhe të mërkurën. Themelimi e funksionimi i laboratorit e hartimi i planit të konservimit janë paraparë të përfundohen deri më 2026. Kërkimet arkeologjike do të zhvillohen në vazhdimësi.

Në punimet e realizuara sivjet, në strukturat e kishës më të madhe të zbuluar deri më tash në Ballkan, mbi mozaikun me motive të ndryshme është hasur në mbishkrimin latin. Megjithëse shkaku i sigurisë dhe studimit të mëtejmë janë publikuar vetëm segmente të mbishkrimit, aty qartësohet se ishte perandori Justinian ai i cili personalisht ka iniciuar ndërtimin e qytetit Justiniana Secunda. Mbishkrimi gjendet në zonën qendrore të kishës, hapësirë që është parë nga të gjitha anët e objektit të kultit. Përtej kësaj detajet e mbishkrimit zbërthejnë edhe rrethana të tjera personale e politike të kohës kur kjo anë si pjesë e Perandorisë së kohës udhëhiqej nga perandori me prejardhje dardane, Justiniani. E vazhdimësia dardane deri në mesjetë po ashtu është faktuar nëpërmjet mbishkrimit në latinisht.

Gjendja e deritashme në lokalitet, pavarësisht asaj që shihet, nuk ka qenë aspak e mirë. Ka munguar konservimi i vazhdueshëm, nuk ka ende punonjës të përhershëm e shpesh me muaj të tërë nuk janë vazhduar as kontratat e përkohshme për mirëmbajtësit. Mungon rrjeti i energjisë elektrike e gjatë dimrit rojtarët ngrohen me gaz në kabinën te hyrja. Vazhdimisht ka pasur telashe deri tek ato sa nuk është paguar mirëmbajtja e WC-ve të përkohshme, duke pamundësuar pastrimin dhe shfrytëzimin e tyre. Zakonisht është kamufluar sa i përket mirëmbajtjes deri në nivelin sa stafi i pakohshëm ka blerë vetë edhe benzinë për prerjen e vegjetacionit e kositjen e barit. Mungesa e ciceronëve është evidente. Për me tepër, në fund të këtij muaji skadojnë kontratat e përkohshme të punës nëpërmjet të cilave angazhohet stafi i mirëmbajtjes. Ende nuk ka një konkurs për t’i riangazhuar ata. Për pasojë, qysh në mars lokaliteti do të përballet me mungesë të stafit.

Prej vitit 2019 shteti nuk ka investuar në zgjerimin e lokalitetit. Vjet në kuadër të projektit që zhvillohet me përkrahjen e Bashkimit Evropian qe bërë një zbulim i madh megjithëse është punuar veç një muaj në lokalitet.

Në strukturat e kishës më të madhe të zbuluar deri më tash në Ballkan, mbi mozaikun me motive të ndryshme është hasur në mbishkrimin latin. Megjithëse shkaku i sigurisë dhe studimit të mëtejmë janë publikuar vetëm segmente të mbishkrimit, aty qartësohet se ishte perandori Justinian ai i cili personalisht ka iniciuar ndërtimin e qytetit Justiniana Secunda. Mbishkrimi gjendet në zonën qendrore të kishës, hapësirë që është parë nga të gjitha anët e objektit të kultit. Përtej kësaj, detajet e mbishkrimit të zbuluar në gushtin e vitit të kaluar zbërthejnë edhe rrethana të tjera personale e politike të kohës kur kjo anë si pjesë e Perandorisë së kohës udhëhiqej nga perandori me prejardhje dardane, Justiniani.