Kulturë

“Ulpiana” në 3D ringjall virtualisht qytetin antik

Më shumë se tre vjet prej kur është inauguruar si Park Arkeologjik, një pjesë e lokalitetit të Ulpianës numëron mijëra vizitorë. Me rreth 30 mijë vizitorë secilin vit është shndërruar në asetin e trashëgimisë kulturore më të vizituar në vend.

Strukturat e tre sektorëve janë dëshmi për ndërtesat e shekujve të parë të erës sonë. Se si mund të ishin dukur këto ndërtesa, vizitorët mundnin vetëm të hamendësonin. E për një pjesë të lokalitetit, kuriozitetit të vizitorëve u është përgjigjur tashmë Instituti Arkeologjik i Kosovës me një restituim të parkut arkeologjik “Ulpiana” në 3D.

Ky veprim shihet edhe si mundësi për promovimin e mëtejmë të këtij aseti. Nëpërmjet një videoje prej pesë minutash vizitorët virtualë mund të futen në botën arkitekturore të vendbanimit antik që gjendet 12 kilometra në lindje të Prishtinës. “Shëtitja” nis nga porta veriore, që ishte një nga katër hyrje-daljet e qytetit të fortifikuar. Muret me trashësi prej një metri paraqiten bashke me dy kullat mbrojtëse të portës. Shpjegohet se rrjeti rrugor bazohej në dy rrugë kryesore të cilat në pamje vijnë të ilustruara me pllaka. Në bazë të gjetjeve arkeologjike është ardhur në përfundim se nën rrugë kalonte kanali për mbledhjen e ujërave të zeza, raporton KOHA.

Në bazë të ilustrimit nëpërmjet teknologjisë 3D kanali i gurtë e përshkonte rrugën. Tempulli me portik si strukturë monumentale prej mermeri i ndërtuar në shekullin II paraqitet si alamet ndërtesë e asaj kohe. Shtresimet e lokalitetit janë të shumta. Një prej tyre është paraqitur edhe në videon e punuar nga kompania “KAT” me konsulentë shkencorë arkeologët e Institutit Arkeologjik të Kosovës, Elvis Shala e Milot Berisha.

Videoja që është lansuar të shtunën, në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, sjell edhe bazilikën paleokristiane e cila ishte ndërtuar në shekullin VI mbi rrënojat e Tempullit me portik. Varri i kriptë në absidë e dyshemeja me pllaka argjile kompletojnë detajet e ndërtesës. Rrënojat e tempullit ishin mbuluar edhe me një banjë romake. Pos ngjyrave të mureve e strukturës në tërësi paraqitet edhe dyshemeja me ngrohje që ishte tipike për banjat e kohës.

Sektori i tretë vjen me Bazilikën peshkopale me Pagëzimore. Vila urbane ishte transformuar në një kompleks paleokristian, ku krahas Bazilikës zinte vend edhe Pagëzimorja. Mozaiku i dyshemesë, megjithëse i mbuluar, mbetet për t’u restauruar më vonë. Vaska e pagëzimit e një pamje e mundshme nga dritarja plotësojnë strukturën e objektit. Nga sektori në sektor videoja fillimisht paraqet pamjen reale të lokalitetit.

Në nekropolin verior paraqitet ndërtesa e rindërtuar në shekullin VI, që u transformua në kishë paleokristiane varrezore me dysheme prej mozaiku. Ky projekt i përkrahur nga Bashkimi Evropian e i zbatuar nga UNDP-ja është i treti me radhë që sjell pjesë të “Ulpianës” në 3D.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.