Që nga fundi i vitit 2016 udhëheqësit institucionalë kanë një destinacion të bukur e me alamet vlere për të dërguar homologët e tyre ndërkombëtarë gjatë vizitave që kanë në Kosovë. Pos që nëpërmjet parkut arkeologjik “Ulpiana”, drejtuesit e institucioneve kosovare mundohen të shpalosin një pjesë të historisë së vendit për mysafirët, lokalitetin e përdorin për të treguar kujdesin e shtetit për trashëgiminë kulturore.
Aty, në sektorin e parë gjenden banja romake, tempulli e bazilika e fortifikuar me katër kulla. Por e gatshme për t’u parë është vetëm një kullë. I dyti përbëhet nga vila suburbane apo vila periferike, përkatësisht nga rrënojat e mureve të një krahu të vilës, që pas gjysmës së shekullit I, hapësira është shndërruar në varrezë dhe tash quhet nekropoli verior. E sektori i tretë u ofron vizitorëve bazilikën episkopate, që ndryshe quhet edhe katedrale. Është kompleks i madh kishtar i periudhës së antikitetit të vonë, ndërtim paleokristian.
Por vizitorët e huaj e vendorë sikur të ofroheshin për të parë nga brenda kabinën në hyrje të parkut, do të kuptonin shpejt diçka: atë se shteti pas inaugurimit të “Ulpianës” me shpejtësi e pa u finalizuar projekti e ka braktisur atë.
Në kabinë midis tjerash është bombola e gazit me të cilën gjatë dimrit janë ngrohur mirëmbajtësit e rojtarët e lokalitetit. Por bombolën, e cila në njërën anë punonjësve u shërben që të ngrohen e në tjetrën ua rrezikon shëndetin. Gjatë dimrit që shkoi nuk e kanë ndezur shpesh. Pos problemeve me mjetet për furnizim me materiale për mirëmbajte të parkut, gjashtë të angazhuarit për rojë e mirëmbajtje të parkut punojnë deri në dy muaj pa paga. Ministria e Kulturës nuk i kryen me rregull detyrimet që dalin nga kontratat mujore, që i nënshkruajnë punonjësit e “Ulpianës”. Me vonesa të pagave ata përballen tash e më shumë se një vit. Këtë e kanë përjetuar edhe në kohën e pandemisë. Këto halle burojnë qysh prej pjesës së dytë të vitit 2018, kur Zyra Kombëtare e Auditimit konstatoi se llogaritë e institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës nuk ishin të autorizuara nga Thesari i shtetit. Si pasojë llogaritë në bankat komerciale ishin mbyllur. Krejt pagesat bëhen nga Divizioni i Financave në Ministrinë e Kulturës.
Por pagat janë veç një nga shqetësimet. Mirëmbajtja e parkut ka kosto. Ngrohja, plehu artificial për të ushqyer hapësirat e gjelbëruara, kositja e barit me makinë e nevojat e tjera janë probleme më vete. Duhet pasur mjete për t’i paguar.
Dejan Dimitrijeviq ka më shumë se shtatë vjet që punon si rojë dhe mirëmbajtës i lokalitetit më të njohur arkeologjik të Kosovës, një pjesë e të cilit në tetorin e 2016-s u inaugurua si Park Arkeologjik. Ai ka përsëritur disa herë se në qershor janë paguar për muajt prill dhe maj. Ka bërë thirrje që institucionet të shtojnë vëmendjen nga parku.
“Ne i lusim zyrtarët e Ministrisë së Kulturës të vijnë dhe ta shohin gjendjen tonë. Është turp që ne t’i kërkojmë pagat tona çdo muaj. Nuk kemi asgjë e punojmë në kushte të vështira. Duhet të rregullohet kjo qasje katastrofale, pasi nuk ecën më kështu”, ka thënë ai. Dimitrijeviq ka treguar se ndërresa e natës e ka të pamundur ta ruajë lokalitetin.
“Është e pamundur të qëndrosh natën këtu. Roja nuk mund të qëndrojë pa dritë e ngrohje gjatë dimrit”, ka thënë ai. Për ta rrumbullakuar krejt problemin e një punëtori të cilit shteti i ka borxh, Dimitrijeviq ka një propozim. “Ejani e shikojeni frigoriferin tim! Është bosh. E si ta mbaj familjen unë?”, pyet ai. Në të njëjtin hall janë edhe kolegët e tij. Disa kanë thënë se u vjen turp të kërkojnë pagat vazhdimisht.
Qamil Sinani, po ashtu mirëmbajtës e rojtar, ka thënë se pos punës që bëjnë, janë të lidhur shumë me Parkun Arkeologjik, pasi kanë punuar në zbulimin e strukturave të qytetit antik e edhe në hapjen e tyre për publik. Ai përmend se veç vitin e kaluar kanë qenë mbi 30 mijë vizitorë. Ka thënë se ky fakt i bën të ndihen mirë.
“Por duhet të bëhet një zgjidhje, pasi nuk mund të vazhdojmë më kështu. Le të vijnë e të na shohin se si punojmë e cilat janë kushtet që i kemi. Çdo dy a tre muaj duhet t’i kërkojmë pagat”, ka thënë ai. Sinani mburret që është punonjës i Parkut. Ka thënë se të shërbejë që trashëgimia e një vendi të dalë në pah është krenari. “Por na kanë lodhur shumë. Duhet t’i vijë keq secilit”, ka thënë ai.
Problemi nuk mund të zgjidhet nga Instituti Arkeologjik i Kosovës.
Me goxha pompozitet ishte bërë përurimi i Parkut të parë arkeologjik në Kosovë. Asokohe ishte premtuar se shpejt do të zgjidheshin shumë probleme.
Qysh para inaugurimit Instituti Arkeologjik i Kosovës ishte pajisur me leje për sjelljen e energjisë elektrike në lokalitet, por praktikisht puna për të nuk ka nisur ende. Pos kësaj, pas shpalljes së lokalitetit në Park Arkeologjik nuk ka ciceron e as udhëheqës. Mbetet në vullnetin e të angazhuarve si rojë e mirëmbajtës që të japin ndonjë shpjegim për vizitorët. Bashkë me dy rojtarë, llogaritet që Parku duhet të ketë shtatë punonjës të përhershëm.
Ajo që, sipas projektit, quhet kafe “Ulpiana”, dhe një dyqan ku turistët mund të blejnë botime për lokalitetin e kopje artefaktesh, nuk janë bërë ende. Bile ende nuk është zgjidhur as çështja e pagesës për ta vizituar Parkun. Gjithçka ngjan me një institucion të braktisur që ka mbetur në vullnetin e Institutit Arkeologjik të Kosovës, megjithëse “Ulpiana” zyrtarisht është nën menaxhimin e MKRS-së.
Plani i menaxhimit ishte paraparë të përfundonte gjashtë muaj pas shpalljes së lokalitetit Park Arkeologjik. Ky dokument nuk është miratuar ende.
Për krejt këto Enver Rexha, drejtor i Institutit, ka thënë se është përgjegjëse Ministria e Kulturës. Sipas tij, Plani i menaxhimit ka përfunduar së hartuari dhe i ngelet MKRS-së që ta miratojë atë.
“Në dy vjetët e fundit qeverisja në MKRS na ka çrregulluar me shfuqizimin e disa akteve normative. Është dashur të kryhej faza e dytë e punëve në atë lokalitet. Plani ka mbetur vetëm të aprovohet. Por nuk është bërë. Për elektrifikim kam bërë disa herë kërkesa, por nuk është bërë. Punonjësit i kemi pa kushte minimale”, ka thënë ai. Sipas tij, MKRS-së i janë drejtuar me kërkesa të shpeshta për zgjidhjen e krejt problemeve.
Arkeologu Milot Berisha aktualisht udhëheq hulumtimet në qytetin antik. Ka qenë po ashtu në krye të punimeve edhe për shndërrimin e një pjese të lokalitetit në Park Arkeologjik. Ai ka thënë se është thellësisht i zhgënjyer me mosrealizimin e projektit deri në fund.
“As në ëndrrën më të keqe nuk kam mundur ta shihja se do të jemi në këtë gjendje”, ka thënë Berisha. Ka numëruar mangësitë nga pamundësia e shitjes së biletave e deri te shpronësimi i parcelave që merren me qira. “Unë kam udhëhequr projektin. Kam bërë aq sa kam ditur dhe mundur. Por moralisht them se jam bashkëfajtor për gjendjen në të cilën është edhe pse nuk mbaj përgjegjësi direkte për këtë”, ka thënë ai. Ka treguar me bindje se asnjëherë nuk do të paramendonte që pas kaq vjetësh Parku do të vazhdonte të ishte në prona private, pa elektrifikim, pa punonjës të rregullt e madje pa plan menaxhimi.
“Plani i menaxhimit është çështje bazike. Është punuar e ripunuar disa herë. Përse nuk është miratuar?”, ka thënë ai. Vitin e kaluar është detyruar që t’i ndalë punimet hulumtuese shkaku që nuk mund t’i paguanin punonjësit e angazhuar. Njësoj ka ndodhur edhe me lokalitetet e tjera arkeologjike. Instituti arkeologjik i Kosovës e kishte mbyllur vitin me rreth 70 mijë euro borxhe ndaj individëve e dyqaneve ku kishin marrë vegla pune e material për restaurim e konservim.
Qysh prej shpalljes Park Arkeologjik, kjo pjesë është nën menaxhim të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Këtë e përcakton Rregullorja përmes të cilës juridikisht një pjesë e lokalitetit u shndërrua në park. Rregullorja e miratuar në tetor të vitit 2016 përcakton se Ministria e Kulturës është përgjegjëse për buxhetin e Parkut. Madje ky akt nënligjor sqaron se buxheti duhet të jetë i ndarë në kuadër të buxhetit vjetor të MKRS-së. Plani i menaxhimit të Parkut në rast se do të përfillej Rregullorja do të ishte i gatshëm në fund të majit të vitit 2017. Aty po ashtu ceket se Ministria duhet të angazhojë staf të rregullt profesional dhe teknik për “Ulpianën”.
Vjollca Aliu ka gati një dekadë që drejton Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Ajo ka thënë se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave kanë vendosur që projektet e IAK-së të jenë të klasifikuara në linjën buxhetore të mallrave dhe shërbimeve, e subvencioneve dhe tranfereve, e jo si projekte kapitale.
“Kemi bërë shumë përpjekje që kjo të rregullohet vitin e kaluar. Këtë çështje sivjet do ta trajtojmë me prioritet dhe do të nisim procedurat për angazhimin e punëtorëve”, ka thënë Aliu. Sipas saj, sa i përket Planit të menaxhimit, ka pasur angazhim shumë konkret të anëtarëve të grupit punues.
“Ka qenë vullneti i anëtarëve të grupit punues dhe kabineteve që aty të shtohet komponenti i gjenerimit të mjeteve. Më pas është bërë mbyllja e llogarive të institucioneve vartëse dhe ndryshoi procedura. Ne i kemi në përgatitje edhe pesë plane të tjera të menaxhimit”, ka thënë ajo. Sipas saj, është kërkuar nga kabineti i ministres Vlora Dumoshi që të përcaktohet se kush është autoriteti që miraton planet e menaxhimit. Ky dokument do t’u hapte rrugë shumë proceseve në Parkun tresektorësh që nuk dihet se kur do të finalizohet.
(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Shaban Maxharrajt dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK- së)