Është monument të cilin shteti e mbron përhershëm, por Parku Arkeologjik i Ulpianës është i pambrojtur prej hajnave e vandalëve. Një rast i tillë tashmë është regjistruar. Policia e Prokuroria po merren me rastin e cilësuar si vjedhje e rëndë. I vetmi park arkeologjik në Kosovë nuk ka rojë gjatë natës e aty vandalët kanë lënë edhe disa mesazhe, si koka e dhisë me tri gjashtëshe, një porosi satanike. Rasti lidhet edhe me djegien e kryqeve në emër të festivalit
Parku i vetëm arkeologjik në Kosovë “Ulpiana” është bërë pre e vandalizmit. Thyerja e kontejnerëve ku mbahen veglat e punës, vizatimi i një simboli satanik i lënë si porosi, janë veprat me të cilat po merret Ministria e Kulturës. Pos kësaj, ka pësuar edhe prona private e një punëtori me etni serbe, i cili është i angazhuar si pjesë e stafit në këtë lokalitet arkeologjik. Përderisa Policia e Prokuroria e shtetit janë vënë në lëvizje, institucionet e trashëgimisë kulturore pritet që të rrisin investimet e inspektimet në mënyrë që të ruhet e mirëmbahet parku arkeologjik, që paraqet dëshmi civilizuese të shekujve të parë të erës sonë.
Policia: ”Vjedhje e rëndë dhe po hetohet”
Në mëngjesin e ditës së 11-të të këtij muaji, punonjësit e angazhuar në parkun arkeologjik “Ulpiana” kishin vërejtur se prona ishte dëmtuar. Menjëherë kishin lajmëruar Policinë.
“Në atë lokacion është hapur me forcë një kontejner, i cili shërben për pajisje dhe vegla pune, nga ku janë marrë disa pajisje si dhe janë demoluar disa orendi. Rasti është cilësuar vjedhje e rëndë dhe po hetohet në koordinim me Prokurorinë”, shkruhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Dy kontejnerë me pajisje pune janë hapur dhunshëm përderisa një verandë e punonjësve është vandalizuar. Në anën tjetër, si mesazh është përcjellë nëpërmjet një grafiti. Një kokë dhie bashkë me tre numrat “666” janë shkruar me sprej. Bëhet fjalë për një demon që kërkon sakrificë njerëzore. Kurse një punonjësi të etnisë serbe, që është i angazhuar në lokalitet, i janë dëmtuar dy serra në një parcelë ngjitur me Parkun Arkeologjik. Megjithëse institucionet nuk e kanë përmendur, KOHA ka marrë vesh se serbët lokalë ishin irrituar nga festivali “Ulpiana Fest”. Në festivalin e mbajtur në shtator, gjatë mbrëmjes ishin ndezur kryqe katolike, si simbolikë e lokalitetit, pasi aty dikur, sipas të dhënave arkeologjike, zinin vend edhe ndërtesa kishtare, madje strukturat e njërës prej tyre janë më të mëdhatë në Ballkan të zbuluara deri me tash.
KOHA ka marrë vesh se për këtë veprim nënkryetarit të Graçanicës, Leutrim Ajeti, i ishin kërkuar sqarime në Kuvendin Komunal. I njëjti sqarimet ua ka përcjellë asamblistëve me shkrim.
Dëmtimi dhe “grafiti me simbolikë shqetësuese”
Milot Berisha, udhëheqës i projektit për shndërrimin e një pjese të lokalitetit në park arkeologjik, ka thënë se bëhet fjalë për një akt të papranueshëm dhe shqetësues për një vend të tillë me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore.
“Edhe pse strukturat arkeologjike nuk janë prekur, dëmtimi i pronës së Parkut nënvizon nevojën për masa të shtuara sigurie dhe ndërgjegjësim publik”, ka thënë ai. Sa i përket motivit, ka thënë se në këtë fazë nuk ka indikacione të qarta. Sipas tij, duke marrë parasysh shpronësimin e pronave, nuk përjashtohet mundësia që ky akt të lidhet me zhvillimet e fundit, por motivet do të zbardhen nga Policia e Kosovës dhe organet përkatëse.
“Grafiti në fjalë, nga ajo si e perceptoj unë, përmban simbolikë shqetësuese, duke përfshirë ‘kokën e dhisë’ dhe numrin 666, të cilët shpesh kanë kuptime specifike në kulturën popullore dhe fetare. Prania e këtyre simboleve në një sit arkeologjik si ‘Ulpiana’ është një tregues i vandalizmit të qëllimshëm që dëmton jo vetëm pronën, por edhe integritetin dhe vlerat e këtij vendi të trashëgimisë sonë kombëtare”, ka thënë ai.
Rrethanat tregojnë se akti është kryer gjatë natës, kohë kjo kur asnjë nga pesë të angazhuarit në park nuk kanë qenë aty.

Arkeologu Berisha, njëherësh ushtrues detyre i drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, ka treguar se “Ulpiana” ka të angazhuar 5 punonjës për ruajtje dhe mirëmbajtje në dy ndërresa: nga ora 08:00 deri në 24:00.
“Pavarësisht këtij angazhimi, mungesa e elektrifikimit të Parkut ka krijuar një boshllëk sigurie, por me përfundimin e procesit të shpronësimit të 23 hektarëve, shumë shpejt do të fillojë procesi i elektrifikimit, ndriçimit dhe survejimit me mjete të sofistikuara”, ka thënë ai. Sa i përket sigurisë, ka shtuar se prej korrikut Instituti Arkeologjik i Kosovës ka nisur procedurat për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme për sigurimin e Parkut nga Policia e Kosovës 24 orë në ditë. Sipas tij, nënshkrimi i këtij memorandumi pritet të realizohet së shpejti dhe sapo të përmbushen parakushtet e nevojshme do të intensifikojmë përpjekjet për të garantuar mbikëqyrjen e plotë të Parkut në çdo kohë.
Masa emergjente për forcimin e sigurisë
Të hënën e kësaj jave njësia menaxhuese e parkut arkeologjik “Ulpiana-Iustiniana Secunda” ka iniciuar ndërmarrjen e masave emergjente për forcimin e sigurisë.
“Inspektime të shpeshta dhe të paparalajmëruara të personelit kujdestar për të garantuar vigjilencë dhe efikasitet të shtuar; blerjen e dy pajisjeve të ngrohjes (ngrohëse me gaz) për stacionet e ruajtjes, për të përmirësuar kushtet e punës gjatë sezonit dimëror”, janë disa prej masave që ka listuar Berisha. Sipas tij, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë parashikuar veprime afatgjata për të garantuar sigurinë e Parkut, duke përfshirë elektrifikimin dhe ndriçimin “smart” të katër sektorëve të Parkut, me afat përfundimtar qershorin e vitit 2025.
“Vendosja e kamerave të monitorimit për të siguruar survejim 24-orësh të sitit arkeologjik; Instalimin e tabelave paralajmëruese për ndalimin e vandalizmit dhe gardhime të pjesshme për mbrojtjen fizike të zonës”, janë masat e tjera. Sipas Berishës, këto masa të menjëhershme dhe të planifikuara synojnë të rrisin mbikëqyrjen dhe të mbrojnë këtë trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore për brezat e ardhshëm.
Në fund të tetorit të këtij viti ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte emëruar si pjesë të stafit menaxhues Bariu Zenelajn si kryesues, me anëtarë Milot Berishën, Ilir Culajn, Festa Nelën e një anëtar nga Komuna e Graçanicës.
Raporti i shtetit me “Ulpianën” vazhdimisht ka pasur progres dhe regres. Qeveria e Kosovës në gusht të këtij viti ua ka vënë pikën proceseve të shpronësimit të parcelave ku ndodhen lokaliteti arkeologjik i “Ulpianës” – më i rëndësishmi në vend – dhe ai i Dresnikut. Qeveria ka autorizuar institucionet që të bëjnë pagesat për parcela.
Në tetor të vitit të kaluar qe miratuar plani i menaxhimit për parkun arkeologjik “Ulpiana”. U miratua shtatë vjet prejse një pjese të lokalitetit arkeologjik të “Ulpianës” i ishte “prerë shiriti” për t’u bërë park arkeologjik me tre sektorë. E, në terren nuk ka ndryshime. Tash së paku në letër ka zotime.
Në punimet e realizuara vjet, në strukturat e kishës më të madhe të zbuluar deri më tash në Ballkan, mbi mozaikun me motive të ndryshme është hasur një mbishkrim latin. Aty qartësohet se ishte perandori Justinian ai i cili personalisht ka iniciuar ndërtimin e qytetit Justiniana Secunda. Mbishkrimi gjendet në zonën qendrore të kishës, hapësirë që është parë nga të gjitha anët e objektit të kultit.
Përtej kësaj detajet e mbishkrimit zbërthejnë edhe rrethana të tjera personale e politike të kohës kur kjo anë si pjesë e Perandorisë së kohës udhëhiqej nga perandori me prejardhje dardane, Justiniani. E vazhdimësia dardane deri në mesjetë po ashtu është faktuar nëpërmjet mbishkrimit në latinisht.
Por shteti vazhdimisht ka pasur telashe me angazhimin e stafit për mirëmbajtje. Për muaj të tërë lokaliteti ka funksionuar si i braktisur, megjithëse më i vizituari në vend.
Shteti ka qenë në vazhdimësi shpërfillës në raport me “Ulpianën”, njëjtë sikurse me krejt lokalitetet arkeologjike ku është investuar shumë. Në “Ulpianë”, Kosova ka investuar mbi një milion euro ndër vite. Shtatë vjet është pritur për planin e menaxhimit. Por, vënia në funksion e këtij plani nuk duket as në horizont. Asnjë prej mungesave të kohës kur është bërë park arkeologjik nuk është plotësuar. Dokumenti prej 47 faqesh është një lloj manuali i menaxhimit të Parkut arkeologjik deri më 2027. Aty përfshihen prej deklaratës së rëndësisë, vizionit, brendimit, historikut, fushat e veprimit e deri te plani i veprimit.
Në skemën e organizimit dhe funksionimit të Parkut do të jetë bordi drejtues me pesë anëtarë: menaxheri ose përgjegjësi i Parkut dhe stafi profesional e ai administrativ. Te stafi profesional do të ketë një arkeolog, një konservator, dy ciceronë dhe një kurator. Kurse te stafi teknik: katër mirëmbajtës, katër persona për sigurim fizik dhe planifikohet një kafene e dyqan suveniresh. Shërbimet shtesë ishin paraparë qysh në projektin e Parkut, por nuk ishin realizuar asnjëherë.
Themelimi e funksionimi i laboratorit e hartimi i planit të konservimit janë paraparë të përfundohen deri më 2026. Kërkimet arkeologjike do të zhvillohen në vazhdimësi.
“Themelimi i njësisë menaxhuese; Integrimi i shtigjeve të ecjes dhe aseteve të tjera, si Manastiri i Graçanicës, Veletini, Kishnica, rrjetit të gjurmëve dhe galerive të minierave antike në arealin e Shashkocit dhe Janjevës e të tjera, në kuadër të ofertës turistike”, janë synimet me prioritet të mesëm e që llogaritet të përfundohen deri më 2028. Për këto pika përgjegjës kryesorë janë Ministria e Kulturës dhe Instituti Arkeologjik. Te themelimi i njësisë menaxhuese ka dy afate. Në një tjetër rast shkruhet se afati i fundit është viti 2026.
Vendosja dhe shtrirja e rrjetit të instalimeve elektrike, makinave, ujësjellësit dhe kanalizimit, nyjave sanitare, janë plane që duhet të përfundojnë deri më 2025. Kurse vendosja e infrastrukturës së nevojshme për akomodimin e stafit dhe veprimtarisë kërkimore shkencore në terren ka kohë deri më 2028.
Plani i veprimit parasheh edhe përcaktimin e hapësirave që mund të shfrytëzohen për funksione alternative dhe hartimin e planit të biznesit. Viti 2028 llogaritet të jetë edhe afati i fundit për sigurimin e të hyrave për Parkun arkeologjik nga shitja e biletave, suvenirëve, replikave e materialeve promovuese.
Gjendja e deritashme në lokalitet, pavarësisht asaj që shihet, nuk ka qenë aspak e mirë. Ka munguar konservimi i vazhdueshëm. Vazhdimisht ka pasur telashe deri tek ato sa nuk është paguar mirëmbajtja e WC-ve të përkohshme, duke pamundësuar pastrimin dhe shfrytëzimin e tyre. Zakonisht është kamufluar sa i përket mirëmbajtjes deri në nivelin sa stafi i përkohshëm ka blerë vetë edhe benzinë për prerjen e vegjetacionit e kositjen e barit. E, tash përballet edhe me vandalizma.