Kulturë

Ulpiana e dëshmive dardane në hap për t’u bërë pronë e shtetit

Ani pse është thesar i trashëgimisë kulturore, e ku gjendet i vetmi park arkeologjik në Kosovë – “Ulpiana”, deri më tash është shtrirë në prona private për të cilat shteti paguan qira. E kahershme ka qenë kërkesa për shpronësim e një hap për ta konkretizuar këtë proces është marrë të enjten kur Qeveria ka miratuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të shpronësimit të pronave për projektin “Mbrojtja dhe menaxhimi i trashëgimisë kulturore, konservimi dhe investimi në ‘lokalitetin arkeologjik Ulpiana’”

Qeveria e Kosovës ka marrë një prej vendimeve më të rëndësishme sa i përket trashëgimisë kulturore në vend: i ka hapur rrugë shpronësimit të “lokalitetit arkeologjik Ulpiana”. Me këtë vendim të miratuar unanimisht, të enjten, në mbledhjen e 165-të të Qeverisë ka nisur procesi që lokaliteti më i rëndësishëm arkeologjik në vend të jetë pronë shtetërore. Prej vjeshtës së vitit 2016 aty gjendet edhe parku arkeologjik “Ulpiana”, aseti më reprezentativ i shekujve të parë në këto anë e njëkohësisht monumenti më i vizuar në Kosovë. Ky hap i Qeverisë është përshkruar si nismë tejet e rëndësishme për punën që bëhet nga institucionet për të shpalosur trashëgiminë arkeologjike të vendit.

Në mbledhjen e Qeverisë kryeministri Albin Kurti ka thënë se me miratimin e këtij vendimi për shqyrtim të mëtejmë të shpronësimit të pronave për projektin “Mbrojtja dhe menaxhimi i trashëgimisë kulturore, konservimi dhe investimi në ‘lokalitetin arkeologjik Ulpiana’” është tejet i rëndësishëm.

“Nën rrënojat e qytetit romak, lokaliteti i sotëm arkeologjik Ulpiana, para dy muajsh arkeologët e Kosovës dhe të Francës kanë zbuluar një mbishkrim të perandorit Justinian (527-565), dëshmi e rrallë e lidhjes së tij me Dardaninë, vendin e tij të origjinës dhe dëshmi e bashkëpunimeve të suksesshme ndërkombëtare. Hap i radhës, shumë i rëndësishëm është sigurimi i qasjes për hulumtim dhe shfrytëzim të pronave ku gjendet ky lokalitet përmes shpronësimit”, ka thënë kryeministri Kurti. Më pas fjalën e ka marrë ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, i cili e ka kërkuar votën e kabinetit qeveritar.

“Departamenti i Shpronësimit ka konstatuar se janë përmbushur kushtet ligjore për shpronësim dhe kërkojmë miratimin nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë ai.

Me këtë vendim Qeveria ka vendosur që të vazhdojë procedurën e shpronësimit për 21 hektarë të lokalitetit arkeologjik jo larg Prishtinës, në Komunën e Graçanicës.

Ky vendim i Qeverisë është mirëpritur nga Instituti Arkeologjik i Kosovës. Arkeologu Milot Berisha, i cili udhëheq punimet në këtë lokalitet dhe i ka prirë planit për shndërrimin e një pjese në park arkeologjik, ka thënë se lokaliteti arkeologjik i Ulpianës, “Justiniana Secunda” është thelbësor për kuptimin e historisë, kulturës dhe arkitekturës antike në Kosovë dhe zonën e tij përreth.

“Ky sit (lokalitet) arkeologjik reflekton një kontinuitet të zhvillimeve dhe transformimeve të lashta urbane për një periudhë prej më shumë se 2000 vjet. Ai shërben si një dëshmi e tranzicionit nga një vendbanim dardan në një qytet me atribute romake dhe më pas elemente tipike sakrale bizantine”, ka thënë Berisha, aktualisht zëvendësues i drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës. Sipas tij, me zbulimet e tij autentike Ulpiana tregon teknikat e ndërtimit dhe stilet arkitektonike të kohëve romake, të antikitetit të vonë dhe të periudhës së hershme bizantine.

“Ky lokalitet arkeologjik paraqet një dritë unike mbi historinë dhe zhvillimin urban të kohës. Parku arkeologjik “Ulpiana-Justiniana Secunda” është shumë i vizituar nga turistët dhe entuziastët e historisë dhe arkeologjisë. Megjithatë, ndonëse numri i vizitorëve është rritur këto vite të fundit (mbi 40 mijë 2022), ende ka nevojë për përmirësime dhe investime për të rritur numrin e vizitorëve dhe të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për komunitetin vendas”, ka thënë ai. Sipas Berishës, planifikimi i vëmendjes dhe marketingut të lokalitetit, si dhe ofrimi i shërbimeve turistike të përputhshme mund të ndihmojnë në këtë drejtim. Ka shtuar se, përveç kësaj, ka nevojë për një komunikim të mirë mes komunitetit vendas dhe aktiviteteve arkeologjike dhe turistike për të siguruar fuqizim ekonomik në rajonin përreth Ulpianës.

“Në fund, ky lokalitet arkeologjik vlerësohet për pasurinë e trashëgimisë së tij historike dhe kulturore. Ky burim dhe potencial i pasur arkeologjik mund të forcojë turizmin kulturor dhe të ndihmojë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovë”, ka thënë Berisha. Për të është e rëndësishme që lokaliteti të ruhet dhe të promovohet me kujdes për të siguruar që kjo trashëgimi unike të mbijetojë për brezat e ardhshëm.

“Andaj me fillimin e procesit të shpronësimit të pjesëve më vitale të lokalitetit arkeologjik Ulpiana-Justiniana fillon një përkushtim dhe devotshmëri institucionale për këtë thesar kombëtar, që na bën nder dhe krenarë. Shumë falënderues për të gjithë kontribuuesit që kanë ndihmuar, përkrahur dhe mbështetur këtë proces”, ka përfunduar ai.

Në punimet e realizuara sivjet, në strukturat e kishës më të madhe të zbuluar deri më tash në Ballkan, mbi mozaikun me motive të ndryshme është hasur në mbishkrimin latin. Megjithëse shkaku i sigurisë dhe studimit të mëtejmë janë publikuar vetëm segmente të mbishkrimit, aty qartësohet se ishte perandori Justinian, i cili personalisht ka iniciuar ndërtimin e qytetit Justiniana Secunda. Mbishkrimi gjendet në zonën qendrore të kishës, hapësirë që është parë nga të gjitha anët e objektit të kultit. Përtej kësaj, detajet e mbishkrimit zbërthejnë edhe rrethana të tjera personale e politike të kohës kur kjo anë si pjesë e Perandorisë së kohës udhëhiqej nga perandori me prejardhje dardane, Justiniani. E vazhdimësia dardane deri në mesjetë po ashtu është faktuar nëpërmjet mbishkrimit në latinisht.

Arkeologët vitin e kaluar kishin rënë në strukturat e kishës më të madhe të zbuluar deri me tash në Ballkan, 78 me 23 metra. E në bazë të hulumtimeve edhe gjeofizike kishin ardhur në konstatim se Justiniana Sekunda ishte qytet i fortifikuar me muri rrethues dhe kapte sipërfaqe prej 19 hektarësh.

E paraprakisht grupi më 2021 kishte hulumtuar në një pjesë të Ulpianës.

Në tre hektarë vizitorët qysh nga viti 2016 – kur një pjesë e lokalitetit u shpall park arkeologjik – mund të shohin shumë struktura e gjetje. Në sektorin e parë të Parkut gjenden banja romake, tempulli e bazilika e fortifikuar me katër kulla. Por, e gatshme për t’u parë është vetëm një kullë. I dyti përbëhet nga vila suburbane apo vila periferike, përkatësisht nga rrënojat e mureve të një krahu të vilës, që pas gjysmës së shekullit I hapësira është shndërruar në varrezë dhe tash quhet nekropoli verior. E sektori i tretë ua ofron vizitorëve bazilikën episkopate, që ndryshe quhet edhe katedrale. Është kompleks i madh kishtar i periudhës së antikitetit të vonë, ndërtim paleokristian. Por, lokaliteti shtrihet në mbi 30 hektarë përreth. Është parku i vetëm arkeologjik në Kosovë. Shteti vazhdimisht paguan qira vjetore për pronat private që shfrytëzon në këtë lokalitet. Aktualisht në vit paguhen rreth 6 mijë euro.

Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, është Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ai që përcakton vlerën monetare të shpronësimit.

“...Kompensimi i paguhet pronarit në bazë të vlerës në treg të pronës dhe reflektimit të kushteve të pronës. Niveli i kompensimit përcaktohet nga një komision i pavarur i themeluar nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore”, përcaktohet në nenin katër të Ligjit për trashëgimi kulturore.

Shpronësimi i pronave të tilla përcaktohet edhe me Ligjin për shpronësimet e pronave të paluajtshme. Sipas nenit 3.4 të këtij ligji, shpronësimi mund të bëhet për “mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe vendeve me rëndësi arkeologjike, historike ose shkencore, por vetëm nëse vendi është përcaktuar si i tillë në mënyrë të ligjshme me një rezolutë të Kuvendit”. Ky ligj përcakton edhe një arsye tjetër që prona duhet t’i nënshtrohet shpronësimit.

“Nëse pronari i pronës së paluajtshme në të cilën ndodhet monumenti ose vendi refuzon ta mbrojë atë ose për shkak të pamundësisë objektive nuk mundet ta mbrojë monumentin ose vendin”, shkruan në nenin pasues.

Paraprakisht në fund të shtatorit Qeveria nëpërmjet një vendimi i ka hapur rrugë shpronësimit të 7 hektarëve në lokalitetin arkeologjik në Dresnik të Klinës.