Pas Tiranës, ekspozita “Ukraina: Një krim lufte” vjen në kryeqytetin e vendit që luftën e ka të freskët. Ekspozita në qendrën “Barabar” është konsideruar si tentativë për të tërhequr paralele më universale mbi realitetin e luftës dhe për ta shpërfaqur nevojën për drejtësi për viktimat. Janë më shumë se fotografi. Vijnë edhe si janë materiale të librit me të njëjtin titull si ekspozita. Shpjegimi me shkrim ilustron gjithçka. Derisa ato qëndrojnë statike të vendosura në mure, historitë e protagonistëve krijojnë imazhe lëvizëse në mendje. Çojnë mendjen edhe në krimet mizore të kryera në luftën e fundit në Kosovë
“Ukraina: Një krim lufte” është realiteti vizual tejet prekës i luftës në shtetin në lindje të Evropës. Fotografitë e 93 reporterëve nga Ukraina dhe jo vetëm, shpalosin dëshmitë drithëruese. Pas Tiranës, ekspozita vjen në kryeqytetin e vendit që luftën e ka të freskët. Ekspozita në qendrën “Barabar” është konsideruar si tentativë për të tërhequr paralele më universale mbi realitetin e luftës dhe për të shpërfaqur nevojën për drejtësi për viktimat.
Janë më shumë se fotografi. Vijnë edhe si janë materiale të librit me të njëjtin titull si ekspozita. Shpjegimi me shkrim ilustron gjithçka. Derisa ato qëndrojnë statike të vendosura në mure, historitë e protagonistëve krijojnë imazhe lëvizëse në mendje. Çojnë mendjen edhe në krimet mizore të kryera në luftën e fundit në Kosovë.
Rrëfimet e ndjeshme vijnë veçmas nga të mbijetuarit. Ngjajnë si ilustrime disa prej fotografive që janë shkrepur para se në trupat e tyre të kryheshin krime. Disa prej tyre mbajnë fotografitë kur ishin të lumtur, pa dhunë të shumëfishtë.
Gjithsej 360 fotografi vijnë si ilustrim i secilës ditë të errtë të popullit ukrainas bashkëngjitur me rrëfimet e dëshmitarëve. Aty shpërfaqet edhe misioni i fotoreporterëve të guximshëm që rrezikojnë jetën për të përjetësuar të vërtetën e luftës.
Sot (e martë) për librin “Ukraina: Një krim lufte” sikurse edhe për ekspozitën, kuratorja Bachevanova dhe fotografi Hoffman do të jenë pjesë e një paneli diskutimi në “Kino Armata”. Më pas do të shfaqet filmi dokumentar “20 ditë në Mariupol”, fitues i çmimit “Oscar”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rezistenca e Ukrainës është simbol i qëndrueshmërisë së demokracisë së saj.
“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është edhe sulm i autokracisë ndaj demokracisë, është sulm i perandorisë me nostalgji paramoderne kundër Republikës me orientim evropian modern. Lufta në Ukrainë nuk është çështje e thjeshtë mes dy shteteve. Ajo ka implikime për gjithë botën. Rezistenca e Ukrainës është simbol i qëndrueshmërisë së demokracisë kundër forcave që kërkojnë shkatërrimin dhe zhdukjen e saj”, ka thënë kryeministri Kurti.
Sipas tij, Kosova solidarizohet me popullin ukrainas, pasi ajo çfarë po ndodh sot në Ukrainë, vjen si përsëritje e asaj që kishte ndodhur në vitet ’90 në Kosovë.
“Rrjedhimisht, një demokraci e fortë dhe e përkushtuar si ajo e vendit tonë, Republikës së Kosovës, nuk mund ta injorojë atë që po ndodh në Ukrainë. Së dyti, Kosova solidarizohet me Ukrainën, sepse krimet që po kryhen atje sot janë kryer edhe në Kosovën e viteve ’90 dhe kjo është ajo që e veçon popullin e Kosovës nga shtetet e tjera demokratike. Kujtimet tona prej asaj dekade të tmerrshme janë ende të freskëta, plagët janë ende të hapura”, ka thënë më tej kryeministri Albin Kurti para të pranishmëve.
Kuratorja e ekspozitës dhe botuesja e librit, ukrainasja Svetlana Bachevanova, ka thënë se fotografitë janë përtej lajmeve dhe përtej asaj që flet propaganda ruse. Ka ndarë rrëfimin e saj kur 26 vjet më parë kishte ardhur në Kosovë si fotoreportere për të mbuluar luftën në Kosovë.
“Në fshatin Krushë kisha përgjegjësinë të shkrepja fotografi të trupave të civilëve shqiptarë të vrarë nga grupi ‘Tigrat’ i Arkanit. Për pesë ditë, fshati po priste për fotoreporterë e gazetarë për të parë e dokumentuar krimet që kishin kryer serbët, para se të varrosnin trupat. Këto imazhe janë evidencë e krimeve të kryera serbe. Sot jam këtu si botuese për të prezantuar librin me fotografi të krimeve ruse në Ukrainë”, ka thënë Bachevanova.
Derisa ka folur për ekspozitën “Ukraina: Një krim lufte” , ka thënë se ajo është “një koleksion fotografish nga 93 fotoreporterë të bashkuar për të ndarë faktet e pasojave të pushtimit të plotë të Ukrainës”.
Fotoreporteri amerikan Brandan Hoffman - fotografitë e së cilit janë pjesë e ekspozitës – ka thënë se ka qenë gjë e duhur që ka ardhur në Kosovë dhe ka kuptuar për paralelen e luftës në Kosovë dikur me atë në Ukrainë sot.
“Por gjëja që më mbërthen, më impresionon është që përreth shoh një vend të pavarur, në paqe, kjo më jep shpresë për Ukrainën. Shpresoj se në një të ardhme të afër do të jetë një vend në paqe. Të kapësh fotografi të tilla kërkon shpresë. Kërkon shpresë për impaktin e tyre”, ka thënë Hoffman, derisa e ka vlerësuar si punë shumë të rëndësishme atë të fotoreporterëve me krijimin e fakteve të luftës.
“Është punë e fuqishme, është krijim i fakteve që jo vetëm do të na sjellin më afër të vërtetës së kësaj lufte, të fitores së Ukrainës, por për të kontribuar në drejtësinë për Ukrainën për krimet që janë dokumentuar në këtë libër”, ka thënë fotografi Hoffman që jeton në Ukrainë.
Drejtori rajonal i fondacioneve për shoqëri të hapur në Ballkanin Perëndimor, Andi Dobroshi, ka thënë se ekspozita, pasi ishte shfaqur në Tiranë, vjen edhe në Prishtinë si rikujtesë se e njëjta situatë, si ajo e shfaqur nëpër fotografi, po vazhdon në ndodh.
“Një tjetër arsye pse menduam ta sillnim ishte sepse lidhet drejtpërdrejt me krimet e luftës. Ky është volumi i parë, volumi i dytë është në punë e sipër. Janë 120 reporterë që po vazhdojnë të dokumentojnë drejtpërdrejt nga fronti i luftës”, ka thënë Dobroshi, duke e theksuar mbështetjen e Kosovës e Shqipërisë për Ukrainën.
“Është detyrim, sepse mbështetja që kam marrë nga rajoni, nga Kosova e Shqipëria pa mëdyshje, që jo vetëm e kanë himnizuar politikën e tyre me politikën e Bashkimit Evropian, por ka qenë mbështetje e kahershme që në ditën e parë të agresionit rus në Ukrainë. Kjo flet dhe u bën nder vendeve tona, por padyshim rajonit për këtë mbështetje”, ka thënë ai.
Drejtoresha e Kosovës për Fondacione për Shoqëri të Hapur në Ballkanin Perëndimor, Lura Limani, ka thënë se fotografitë shfaqin realitetin brutal të luftës, shkatërrimin masiv, humbjet e mëdha njerëzore. Ka thënë se ekspozita korrespondon me ato të mëparshme që shfaqnin luftën e Kosovës.
“Kjo ekspozitë është bërë për shumë arsye dhe mendoj se ka një vlerë të shtuar që ka ardhur tek ne në Prishtinë, sidomos në hapësirat e hotelit Grand që gjatë luftës ka qenë edhe bazë për gazetarët e huaj që kanë dokumentuar krimet e luftës në Kosovë, por edhe për trupat paramilitare që dyshohet që kanë torturuar civilë shqiptarë mu në premisat e këtij hoteli”, ka thënë Limani.
E gazetarja ukrainase, Lyudmila Makey, që është vendosur në Kosovë pak kohë pasi nisi pushtimi rus në Ukrainë, ka thënë se e ka në mendje secilën ngjarje që është paraqitur në fotografitë e ekspozitës.
“Kur shikoj në këto fotografi shqetësohem edhe më shumë, sepse është dhimbje për vendin ku u linda. Familja ime aktualisht po qëndron në Ukrainë, vajza ime jeton në Kiev. Çdo postim, lajm që e shoh, ndiej dhimbjen në zemër. Kështu që faleminderit për këtë organizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Propaganda ruse dëshiron të na bëjë të harrojmë për Ukrainën, për këtë luftë dhe ne natyrisht se duhet ta kujtojmë çdoherë atë”, ka thënë ajo.
Ekspozita vjen si mbështetje për ndjekjen e drejtësisë për Ukrainën. Pas Prishtinës, do të dërgohet edhe në Shkup e në Beograd.