Ish-deputeti e shkrimtari, Ben Blushi, në një rrugëtim dhjetë orësh në Ukrainë s’mund t’i rezistonte dëshirës së madhe për të dokumentar atë që shihte. Një artist si Blushi nuk mund të distancohet nga kapja e rrëfimit përtej asaj që shihet. Veçse kësaj radhe, imazhi ngadhënjeu më shpejt mbi fjalët. Rrëfimin ua ka dorëzuar fotografive të shkrepura nga vendet që ishin tabloja e parë e eksperimentit rus. Kjo ekspozitë sipas tij, s’mund të komunikojë me dikë tjetër më mirë se me popullin kosovar që e kanë të freskët memorien e luftës
Olena Solodovinkova me profesion gazetare, e ka lënë Kievin para një muaji për t’u strehuar në Kosovë. Te qytetarët që i kanë mbijetuar luftës gati dy dekada më herët ajo gjen ngushëllimin dhe nevojën për t’u ndier që dikush po e kupton frikën që ajo ka. Të hënën mbrëma, ajo Kievin e ka parë nëpërmjet imazheve bardhezi të shkrepura nga Ben Blushi. Për të gjithçka është e largët dhe e afërt njëkohësisht.
“Është shumë prekëse për mua”, ka thënë ajo për KOHË-n sapo i ka hedhur një sy ekspozitës. Kjo, sipas saj, është mënyra më e mirë për t’i lidhur dy vendet. Disa nga fytyrat që i ka parë thotë se i njeh dhe fryma e aktivizmit për të është e pranishme si në Kiev ashtu dhe në Kosovë. Imazhet e Blushit kanë qenë një stacion i shkurtër për të për t’u lidhur me vendlindjen.
“Është diçka që më kthen në vendin tim të lindjes. Është një imazh i freskët i vendit të shtëpisë sime, të Kievit”, ka thënë tutje ajo. Për vizitorët e ekspozitës “Ukraina në 10 orë”, ish-deputeti e shkrimtari, Ben Blushi në fotografitë bardhezi përplas dy botë të kundërta. Ato rezonojnë mbi realitetin e pazakontë. Përkundër fytyrave të buzëqeshura në Kiev, njerëzit janë të mbërthyer në panikun se a mund të triumfojnë mbi realitetin ku e nesërmja i kundërvihet të gjitha manualeve të përditshmërisë.
Shkrimtari Ben Blushi në një rrugëtim dhjetë orësh në Ukrainë s’mund t’i rezistonte dëshirës së madhe për ta dokumentar atë që shihte. Një artist si Blushi nuk mund të distancohet nga kapja e rrëfimit përtej asaj që shihet. Veçse kësaj radhe imazhi ngadhënjeu më shpejt mbi fjalët. Rrëfimin ua ka dorëzuar fotografive të shkrepura nga vendet që ishin tabloja e parë e eksperimentit rus. Vizitori luftën e përjeton nëpërmjet fotografive në zonat e bombarduara të Irpinit dhe Borodyankës në rajonin e Buchas. Gjithçka duket se është veshur në shkatërrim dhe tanket janë në gatishmëri. Këtë udhëtim Blushi e bëri në qershor bashkë me 50 ballkanas – gjysma e të cilëve ishin shqiptarë e gjysma tjetër malazias. Blushi në pak fjalë përshkruan udhëtimi me tren ku kërkohej disiplinë ushtarake. Muhabeti me ushtarët ukrainas kishte qenë mënyra që kishte zgjedhur vetë ai për ta mundur panikun. Nëpërmjet këtyre bisedave kishte mësuar për luftën aq sa s’mund të kishte mësuar kur nisi lufta në Ukrainë. Udhëtoi me delegacion shtetëror të Shqipërisë dhe Malit të Zi.
“Konflikti ishte shumë aktiv, shumë më i rrezikshëm se sot. Kam qenë aty për dhjetë orë dhe kjo disa javë pas dy masakrave që ruset bën në dy qytetet afër Kievit. Një pjesë e madhe janë në këto dy qytete ku u vranë shumë civil dhe u bombardua totalisht zona”, ka shpjeguar Blushi për KOHË-n.
Kjo ekspozitë sipas tij, s’mund të komunikoj më dikë tjetër më mirë se me popullin kosovar që e kanë të freskët memorien e luftës. Blushi me ekspozitën e parë personale dokumenton një mozaik në tri qytete të vendit të pushtuar. Me fotografinë kishte gati një vit që merrej dhe sipas tij gjithë emocionin mundohet ta përcjell nëpërmjet fotografive bardhezi. Ekspozita qe hapur fillimisht në Tiranë në shtator.
“Aty pata mundësi të shoh gjurmët që kishte lënë ushtria ruse dhe më mirë se kudo mund të kuptohet në Kosovë. Kosova është vendi i fundit në Evropë që para Ukrainës ka pësuar një terror nga një ushtri e huaj pushtuese andaj doja të vija në Kosovë që ky mesazh të kuptohet më lehtë”, ka thënë ai. Në Kiev njerëzit ende jetojnë në harmoni me përditshmërinë. Aty lufta nuk i ka bërë ta harrojnë zakonin për të shprehur dashurinë mes njëri-tjetrit në rrugë. As zakonit për të buzëqeshur e për të shijuar kafenë e cigaren. Blushi ka thënë se brenda këtyre shkrepjeve fshihet edhe frika e së papriturës.
“Duket si qytet normal, por është qytet që jetonte në panikun e luftës, sepse në çdo sekondë gjatë qershorit ushtria mund të afrohej. Doja ta sillja këtë emocion nëpërmjet aparatit fotografik sepse fotografitë flasin më shumë se tekstet”, ka treguar tutje Blushi. Pjesë e ekspozitës është edhe presidenti Volodymyr Zelensky. Paraqitet me një portret të ngrysur. Kur bëhet fjalë për të Blushi rrëfeu se Edi Rama e kishte ftuar të shkojë në Kiev, bashkë me Dritan Abazoviqin, këta të dy me shpresën se presidenti i Ukrainës do të lehtësohej që Shqipëria dhe Mali i Zi ishin gati t’i linin radhën për t’u anëtarësuar në BE, ndërsa vetë Blushi me shpresën se mund ta bindë Zelenskyn, të pozonte për librin e ardhshëm.
“Edi dhe Dritani, ia arritën t’i premtonin Zelenskyt atë që priste, ndërsa unë, duke e fotografuar, kuptova se ky premtim e mbajti të gëzuar për shumë pak kohë”, shkruan Blushi në një tekst ku flet për fotografitë në Ukrainë. Në fotografinë e tij dhe kontaktin me sy, Blushi dëshmon se fytyra e Zelenskyt i ngjan një harte lufte. Aty ka lot, ka trishtim, ka dëshpërim, ka shpagim, ka zhgënjim, siç ka dhe shpresë.
“Nëse do të isha duke shkruar një hartim gjimnazi për Ukrainën, në eufori e sipër, do të thosha se në fushën e Ukrainës, Zelensky është i vetmi mal, nga lartësia e të cilit mund të shikosh edhe tanket ruse në Lindje edhe karvanët me ndihma që vijnë nga Perëndimi”, shkruan tutje ai.
Në 67 fotografi në udhëtimin e tij me tren, Blushi pjesë të fotografive e ka edhe poetin e pushkatuar ukrainas Taras Shevcenko. Tanket dhe këpucët e të vrarëve në Muzeun e Luftës – janë ato fotografi që publikun kosovar e lidhin me përvojat e veta. Fotografi Burim Myftiu e ka vlerësuar ekspozitën si shumë të veçantë. Sipas tij, Blushi e dëshmon se mjeshtëri e një sfere mund të bëhet lehtë mjeshtër në çfarëdo sfere tjetër.
“Kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme jo vetëm si një fakt – dokument historik por edhe si vlerë artistike, sepse ajo përvojë që Beni e ka si person që rrëfen tani u dëshmua edhe në fotografi”, ka thënë Myftiu për KOHË-n.
Sipas arkitektes Eliza Hoxha, e cila edhe vetë kishte dokumentar vitet ‘90 në Kosovë nëpërmjet fotografive, kjo ekspozitë është një udhëtim në Ukrainën e pushtuar.
“Kur i shohim fotografitë e Benit, e shohim se sa e rëndësishme është fotografia dhe kjo ekspozita na jep ndjesinë e asaj se çfarë po ndodh atje”, ka thënë Hoxha për KOHË-n. Ekspozita “Ukraina në 10 orë” përbëhet nga 67 fotografi, por jo të gjitha kanë zënë vend në lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ku do të qëndrojë e hapur deri më 28 nëntor.