“Në disa kultura ata vriten, njerëzit frikësohen nga ta, përbëjnë figura negative. Ndërkaq në kultura të tjera ato si kafshë lartësohen, admirohen. Për shembull, në një shoqëri gjuetare në Amerikën Veriore, në Siberi, disa grupe indigjene, identiteti i tyre mishërohet me ujkun, miti i tyre kolektiv është se ata si grup janë formuar pasi që një njeri-ujk kishte filluar të jetonte me ta, pra ata besojnë se janë krijuar si njerëz nëpërmjet ujkut”, ka qenë vetëm njëri prej konstatimeve që ka dhënë antropologu anglez, Garry Marvin, në ligjëratën e tij në Prishtinë
Simbolizmi kulturor, folklori dhe rëndësia ekologjike kanë qenë tri elementet me të cilat i është dhënë kuptim një qenieje të gjallë – ujkut. Në ligjëratë shkencore u shtrua i tërë karakteri kompleks i kësaj kafshe, e cila nuk kufizohet vetëm me të qenët e tillë.
Antropologu Garry Marvin, profesor i studimeve për raportet njeri - kafshë në Departamentin e Shkencave Humane jetës në Universitetin e Roehampton në Londër, u bë pjesë e Kuvendit të Sociologjisë në Departamentin e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik me ligjëratën shkencore ku ka qëmtuar “ujkun” si subjekt kulturor. Mënyra se si një krijesë si kjo ka formësuar dhe është formësuar nga perceptimet njerëzore nëpër epoka dhe shoqëri të ndryshme, ka qenë boshti i ligjëratës gati gjysmë-orëshe, të martën.
“Jam shumë falënderuese që kemi pasur mundësinë si Departament i Sociologjisë të ndajmë ekspertizën tuaj me studentet tanë, andaj sot deshëm qe të ndajmë ketë punë dhe me publikun e gjerë”, ka thënë Linda Gusia nga Departamenti i Sociologjisë, në hapje të ligjëratës.
Në fakt qe vetëm si një cytje për t’u thelluar më tepër në teorinë prapa kësaj teme intriguese, e cila zgjon kureshtjen përtej qarqeve akademike të fushave përkatëse studimore, andaj ishte menduar që karakteri i saj të ishte i hapur.
Marvin mori diplomën e tij të parë në Universitetin e Anglisë Lindore në vitin 1974, ndërkaq doktoratën e kreu në Universitetin e Uellsit, Swansea në vitin 1982. “Lufta me dema: Një studim i natyrës njerëzore dhe kafshëve në Andaluzi”, ka qenë tema me të cilin ai do të merrte titullin më të lartë akademik. Ndërmjet viteve 1986 dhe 1996 punoi si studiues dhe producent për programe dokumentare televizive dhe bëri filma mbi gjuetinë e dhelprave, luftërave me dema, lëvizjet fetare në Indi, futbollin amerikan, sistemet kineze të ushtrimeve, ndryshimet sociale dhe kulturore në Spanjë, e të tjera tema. Por, fokusi kryesor i punës së tij shkencore është te marrëdhëniet njeri-kafshë duke shkruar kryesisht për luftimet me dema, përleshjen e gjelave dhe kopshtet zoologjike. Veprimtaria e tij së fundi veçohet nga puna antropologjike në terren mbi gjuetinë e dhelprave në Angli dhe tani po shkruan një libër mbi kulturën dhe kuptimin e gjuetisë së dhelprave. Atë që ai kishte zgjedhur që ta ndante për të pranishmit në ligjëratën e tij në Universitetin e Prishtinës ka qenë puna kërkimore për studimin e historisë kulturore të ujkut.
Ky diskutim jo vetëm ka theksuar sjelljet komplekse sociale dhe rolet ekologjike të ujqërve, por gjithashtu ngriti dhe pyetje mbi një dialog – i cili shpesh mund të konsiderohet si ekskluzivisht ambientalist – rreth sfidave bashkëkohore mes raportit dhe konfliktit të vazhdueshëm midis njerëzve dhe ujkut si qenie.
Ujqit janë portretizuar si fisnikë dhe keqbërës në kultura të ndryshme përgjatë zhvillimit të njerëzimit. Në shumë tradita të amerikanëve vendas, shihen si kafshë të fuqishme të cilat bartin vlera besnikërie, ndërsa në folklorin evropian, ata shpesh përshkruhen si grabitqarë të rrezikshëm dhe mishërohen me të keqen. Duke u nisur nga kjo del që njerëzit në fakt nuk bashkëjetojnë vetëm me krijesa biologjike, por me qenie të cilat krijohen kulturalisht, e ngjashëm me këto premisa bazohet edhe ligjërata e Garry Marvinit.
Sipas tij, konstrukti social dhe kulturor që u vishet kafshëve të caktuara ka një ndikim direkt në to dhe mënyrën se si trajtohen. Ligjëratën e nisi me një shembull i cili ilustronte këtë ide.
“Është një lloj ujku i kuq në Amerikën Juglindore, i cili supozohet të jetë i rrezikuar por nuk është i mbrojtur, por ujqit e tjerë janë. Ndërkaq shkencëtarët atje tani po thonë se në fakt ky lloj ujku është një hibrid midis ujkut dhe kojotës, dhe kështu si rezultat i kësaj, ky lloj i ujkut nuk është në mbrojtje tashmë, ligjërisht ju mund ta gjuani atë në atë pjesë të Amerikës. Pra, konstruktimi kulturor i tyre është shumë i rëndësishëm”, ka thënë Marvin, në ligjëratën e titulluar “Ujku: Një krijesë natyrore dhe kulturore” e bazuar në librin e autorit me titull “Wolf” (Ujku), ku u shpjegua se si ujqit historikisht janë çmuar dhe fyer, në hapësira dhe vende të ndryshme, në kultura dhe shoqëri të ndryshme.
Duke ndarë detaje në motivimin e tij për të studiuar këtë çështje, ai ka zbuluar se si kaherë kishte qenë i intriguar nga emocionet të cilat evokojnë ujqërit për njerëzit.
“Në disa kultura ata vriten, njerëzit frikësohen nga ta, përbëjnë figura negative. Ndërkaq në kultura të tjera ato si kafshë lartësohen, admirohen. Për shembull në një shoqëri gjuetare në Amerikën Veriore, në Siberi, disa grupe indigjene identiteti i tyre mishërohet me ujkun, miti i tyre kolektiv është se ata si grup janë formuar pasi që një njeri-ujk kishte filluar të jetonte me ta, pra ata besojnë se janë krijuar si njerëz nëpërmjet ujkut”, ka thënë ai, duke përmendur shembujt të cilët e ilustrojnë faktin se ujku është një krijesë e njëjtë, por me perceptime dhe përjetime të ndryshme rreth tij.
Një pjesë e rëndësishme e punës së Marvin del të jetë dhe shqyrtimi i mënyrës se si ujqit pasqyrojnë vlerat, frikët dhe çështjet etike mes shoqërive njerëzore. Ujku bëhet një simbol nëpërmjet të cilit njerëzit projektojnë çështjet të ndryshme, si ruajtja e natyrës, mbrojtja e bagëtive dhe frika nga e egra, e panjohura.
Pikë tjetër diskutimi në këtë ligjëratë qe dhe roli i fabulave të Ezopit në krijimin e figurës së ujkut që shoqëritë perëndimore njohin sot. Perceptimi i ujkut si figurë antagoniste del të ketë ngjarë nëpërmjet narrativeve të ndryshme historike, por ai anash nuk lë as ato fetare, veçanërisht dogmën krishtere dhe tekstet liturgjike.
“Vetë Jezu Krishti zakonisht është prezantuar si një bari mes delesh dhe nëpërmjet tij tregohet se si delet janë kafshë të pambrojtura dhe duke e konsideruar ujkun si një figurë ideale për ta portretizuar të keqen e njeriut. Jezu Krishti vetë e përshkruan këtë relacion me njëfarë vigjilence dhe mbrojtje për delet nga ujku, nga ‘e keqja’. Madje në shkrimet fetare thuhet se Krishti i dërgon njerëzit në botë si dele mes ujqve”, ka thënë ai, duke shtuar që aty figura e ujkut vishet me tipare të cilat ndërtojnë cilësi të barabarta me pangopësinë. Sipas tij, njerëzit kanë nevojë për gjallesa të cilat i përfaqësojnë perceptimet e tyre, në këtë rast ata marrin kafshë dhe i veshin ato me cilësi e tipare të cilat portretizojnë të këqijat ne jetët e tyre.
Ai shtjelloi dhe interpretimin e ujkut si kafshë në përrallën “Kësulëkuqja”, ndërkohë nëpërmjet prezantimit të projektuar ka ofruar për të pranishmit dhe referenca, imazhe reale si gravura, piktura, fotografi dhe materiale të tjera vizuale që ilustrojnë teorinë.
“Ka shumë versione të kësaj përralle diku ujku është tamam ujk, diku shfaqet i veshur me xhaketë si njeri, por e pazakonshmja këtu është se ujku nuk e vret kësulëkuqen në fakt ai hyn në krevat me te, pasi e vret dhe e han gjyshen e saj, dhe i thotë Kësulëkuqes eja në krevat me mua. Pra tani këtu paraqitet si një dhunues seksual”, ka thënë ai, duke ndarë edhe informacione se si shumë kultura në botë paraqesin ujkun si një figure e cila përkon me humbjen e virgjërisë.
Ndryshe, Marvin krejt në fund, diskutimin e ka shtruar edhe te përpjekjet për ruajtjen e ujqve, veçanërisht përballë konflikteve midis njerëzve dhe ujqve dhe perceptimeve kulturore në dëm të ekzistencës së tyre si kafshë.
“Në qendër të konfliktit njeri-ujk, nuk ka thjesht një kafshë të egër e cila mund të jetojë vetë, është në fakt ujku, një krijesë e cila ka mbajtur historinë kulturore. Kjo krijesë nuk është vetëm një krijesë e përbërë nga mishi dhe gjaku, nuk është një canis lupus, por është një krijesë e çështjeve morale njerëzore, ekonomike, politike, estetike, emocionale e projektimeve dhe çështjeve që diktojnë mënyrën e jetesës siç kanë bërë me qindra vjet. Pra nëse ujqit do të mund të jetojnë, cili lloj i tyre, si dhe ku, fati i ujqve është se ka qenë gjithmonë një krijesë shumë e fuqishme dhe shumë potente për njerëzit, dhe e ardhmja varet nga se si njerëz dhe shoqëri të ndryshme vendosin ta trajtojnë atë”, ka përfunduar Marvin ligjëratën e tij në Kuvendin e Sociologjisë, i cila mëton të jetë një bisedë e sociologjisë me shkencat simotra, por synon që diskutimet e shtrira në këtë rrafsh të jenë të qasshme dhe te komuniteti joakademik.