Kulturë

“Udhëtimi i gjatë drejt natës” në fuqinë shkatërruese nga varësia

Familja Tajron vjen para publikut në Prishtinë me fuqinë që ka për ta shpjeguar egon e brendshme të secilit. Ajo dëshmon fuqinë shkatërruese të varësisë nga gjëja më e vogël deri te alkooli apo lëndët narkotike ashtu siç paraqiten personazhet në këtë shfaqje. “Udhëtimi i gjatë drejt natës” me tekst të Eugene O’Neil, nën regjinë e Iliriana Arifit, kthen kohën në dukje, por tema është e pakohë dhe universale

Te përballja midis ëndrrave dhe sfidave të pamenaxhueshme që sjell jeta në një situatë e cila bart peshën e përgjegjësisë ndaj familjes shpie “Udhëtimi i gjatë drejt natës”.

Mbushi sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, përderisa në skenë shpalos rrëfime interesante të pesë personazheve të saj. Secili i ndryshëm në brendësi e në karaktere u vihet pas ëndrrave të ndryshme, po ashtu, dhe ajo që i bashkon është lufta me njëri-tjetrin dhe lidhja e ngushtë me varësinë.

Njëri personazh është një shpirt aventurist që synon të prekë botën por infektohet me tuberkuloz. Vëllai i tij pos punës dhe pamjes fizike të mirë, karakteristikë ka po ashtu aventurën, por me vajza. Babai i tyre mbahet për aktor me renome, një nam i stisur edhe në moshë të shtyrë dhe ndikohet për të mos u kënaqur me jetën e tyre. Në anën tjetër është nëna, e cila përballet me sëmundje e varësi nga morfina, por mbi të gjitha përditshmëri e saj është familja goxha e koklavitur. Në këtë mes hyn edhe shërbyesja.

Këto personazhe kryesore të cilat i bashkon dhoma, por asnjëherë të vetme mendimi, në shfaqje erdhën interpretuar nga Ernest Malazogu, Arta Selimi, Allmir Suhodolli, Don Shala dhe Florie Bajoku.

Shfaqja “Udhëtimi i gjatë drejt natës” që e fut publikun brenda një familjeje gati të shkatërruar, erdhi premierë në Kosovë të mërkurën mbrëma. Me tekst të nobelistit amerikan Eugene O’Neil dhe nën regjinë e Iliriana Arifit, kjo shfaqje arriti që deri në Prishtinë të sjellë një lloj tij klasicizmi londinez, por tema që trajton është universale dhe e pakohë.

E krijuar në vitet 1941-1942, por e publikuar vetëm më 1956, kjo vepër mbahet si një gjysmautobiografi e vetë dramaturgut dhe konsiderohet si kryevepra e tij. Ajo trajton temën e shkatërrimit rrënjësor të familjes, duke sjellë para publikut grindjet më absurde që mund të kenë njerëzit, raporti i të cilëve – përtej familjar – është i afërt si prindër-fëmijë ose vëllezër.

Drama familjare e mbështjell shikuesin brenda fatit të secilit personazh dhe e mban në këtë gjendje më shumë se dy orë, sa zgjat shfaqja. Ka aq dinamikë sa nuk ke humb ritmin dhe të vetmet hyrje-dalje bëhen nga aktorët të cilët shtëpinë e tyre të improvizuar e lëshojnë për arsye të cilat nuk u pëlqejnë të gjithëve: kush për të marrë morfinë në barnatore e kush për t’u takuar me doktorin që i bënte të përballeshin me një të vërtetë të hidhur – sëmundjen.

Familja Tajron vjen para publikut në Prishtinë me fuqinë që ka për ta shpjeguar egon e brendshme të secilit. Ajo dëshmon fuqinë shkatërruese të varësisë nga gjëja më e vogël deri te alkooli apo lëndët narkotike, ashtu siç paraqiten personazhet në këtë shfaqje.

Image
Drama familjare e mbështjell shikuesin brenda fatit të secilit personazh dhe e mban në këtë gjendje më shumë se dy orë, sa zgjat shfaqja

“Është teksti i Eugene O’Neil i shkruar më 1912. Vite të tjera është inskenuar edhe në Shqipëri, por kjo është hera e parë që po inskenohet në Kosovë. Nuk ka qenë ndonjë sfidë e madhe të punohet, sepse tema është aktuale edhe sot. Varshmëria ndaj alkoolit dhe drogës është pjesë e shoqërisë sonë fatkeqësisht, por po shpresoj që ia kemi dalë të sjellim para audiencës këtë shfaqje”, ka thënë Iliriana Arifi, regjisorja e shfaqjes.

Ka thënë se përkundër faktit se s’i kanë dalë sfida në proces inskenimi, në fillim qe frikësuar se do të përballej me to. Një ndër shkaqet kryesore është edhe mungesa e hapësirave adekuate për inskenime të tilla. Ka dy vjet që Teatri Kombëtar i Kosovës vepron në atë që sot quhet Amfiteatri i TKK-së, në Pallatin e Rinisë.

“Frika ime e parë ka qenë se sa do të arrij në amfiteatrin e ri, për shkak se kjo është një hapësirë pak më ndryshe. Kemi pak mungesë teknike të disa gjërave të cilat neve na duhen që të inskenojmë ose të sjellim shfaqjen para publikut. Mirëpo jemi ambientuar në mënyrë shumë të mirë. Nuk kemi pasur asnjë problem. Kam pasur një ekip të mrekullueshëm. Për mua është hera e parë që punoj me Artën, Ernestin, Allmirin, Donin dhe Florën, por kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë”, ka thënë Arifi.

Bashkëpunimin dhe ekipin i ka çmuar edhe kasta e aktorëve.

“Procesin e kam dashur shumë. Ekipi ka qenë fenomenal. Edhe po ta kërkoja s’do ta gjeja. Jam shumë i kënaqur se si e kemi bërë procesin. Për rezultatin ia lëmë publikut të na tregojë se si e sheh. Përndryshe jam shumë i kënaqur me atë se si shkoi shfaqja. I kemi bërë gjërat që i kemi ushtruar deri tash. Mendoj se shkoi mirë”, ka thënë Allmir Suhodolli, aktori i cili në shfaqje luajti rolin e djalit pijanec dhe zemërthyes.

Roli në “Udhëtim i gjatë drejt natës”, Suhodolli ka thënë se nuk është i lehtë.

“Është hera e parë që po e luaj një të dehur dhe ka qenë sfida më e madhe që kam pasur ndonjëherë në jetë. Po pres komentet të shoh se si ka dalë. Por shfaqja është shumë e mirë dhe shumë e vështirë. Ka komente shumë të rënda që i bëjnë njëri-tjetrit. Shpesh ka qenë shumë e rëndë ta luaj dhe ta ndiej. Sa herë i dëgjoja kolegët, shpesh e merrja edhe personale. Mendoja se nëse unë e kam një familje të tillë, sa keq është. Po shpresoj që e kemi dhënë një mesazh kundër varësisë ndaj alkoolit dhe drogave. Shpresoj që e kanë marrë mesazhin dhe kanë sukses ata që janë të varur”, ka thënë ai.

Sfida për këtë shfaqje ka pasur edhe aktorja Arta Selimi, e cila ka qenë “nëna” e mbrëmjes.

“Provave ia kemi nisur përafërsisht para 40 ditëve. Fillimisht ka qenë pak e frikshme, sepse unë nuk i mbaj lehtë tekstet në mend. Por pastaj vjen procesi dhe puna dhe gjithçka që ndodh pas procesit. Ka shkuar shumë mirë dhe kam qenë me kolegë shumë të mirë. Me Ernestin punoj tashmë shumë vjet dhe shumë shfaqje i kemi bashkë. Me dy djemtë e rinj më ka rënë që të punoj për herë të parë në teatër dhe janë shumë të mirë”, ka thënë Selimi.

Shfaqja “Udhëtimi i gjatë drejt natës” pas premierës ka ardhur edhe me tri repriza dhe do të jetë në repertorin e TKK-së.