Kulturë

Udhëtimi fotografik dokumenton traditat e rrethit të Prizrenit

Çdo fotografi brenda galerisë “Monet” vjen si shëtitje në përditshmërinë e rajonit të Zhupës dhe të Podgorës së Prizrenit, ku jetojnë kryesisht boshnjakët. Adon Pajaziti mëton të prezantojë harmoninë e përditshmërisë atje

Katër fëmijë të koncentruar në lojën me top, në rrugën e pashtruar, janë të paraqitur në një prej fotografive të ekspozuara në galerinë “Monet” në Prishtinë. Pamja është shkrepur goxha larg kryeqytetit dhe përfshin një rajon që përfaqëson një traditë më të veçantë. Nëpërmjet lojës së fëmijëve fotografia e shkrepur nga Adon Pajaziti mëton të prezantojë harmoninë e përditshmërisë atje. Çdo fotografi brenda galerisë “Monet” vjen si shëtitje në përditshmërinë e rajonit të Zhupës dhe të Podgorës së Prizrenit, ku jetojnë kryesisht boshnjakët. Shtëpitë e paraqitura në fotografi janë kryesisht të ndërtuara me gur. Për ta plotësuar një mozaik të jetës dhe traditës atje, Adon Pajaziti ka realizuar këtë ekspozitë personale, por duke mos u ndalur vetëm në kryeqytet. Traditën e këtyre vendeve më shumë se me fjalë pëlqen ta prezantojë me imazhe. Pasionin për fotografinë më së miri e shpreh duke nxjerrë në pah traditën dhe bukuritë e kësaj zone.

Nusja e pikturuar që është paraqitur në fotografinë që bie menjëherë në sy e qartëson edhe më shumë se për cilin vend bëhet fjalë. Njëra prej fotografive e paraqet nusen e shtrirë derisa kryhet procesi i pikturimit të fytyrës së saj. Tjetra e prezanton atë me qëndrim stoik mu në mes të Prizrenit. Pikturimi i nuseve është traditë e trashëguar deri në ditët e sotme në fshatin Lubinjë e Poshtme të Rajonit të Zhupës. Mirëpo, kjo traditë është në prag të zhdukjes pasi jo shumë gra sot e praktikojnë atë. Për këtë arsye Pajaziti ka vendosur ta prezantojë si formë dokumentuese të këtij riti. Gratë me veshje tradicionale të asaj zone përveçqë mbajnë me buzëqeshje veshjen, janë të paraqitura duke mbushur ibrikët me ujë në Shatërvan. Ky ishte një veprim i shpeshtë në të kaluarën pasi që krojet kanë shërbyer si furnizues të vetëm të ujit. Për ekspozitën e tij Pajaziti qëllimisht u është kthyer edhe disa traditave më të moçme për t’i mbajtur të gjalla në kujtesën e vizitorëve.

Image
Nusja e pikturuar që është paraqitur në fotografinë që bie menjëherë në sy e qartëson edhe më shumë se për cilin vend bëhet fjalë

“Fotografitë e traditës jam duke i përcjellë katër vjetet e fundit. Janë kryesisht në zonën e Zhupës dhe Podgorës, ku është i lokalizuar komunitetit boshnjak. Qëllimi im ka qenë që sa më mirë ta paraqes regjionin tim dhe mos t’i lëmë në harresë këto traditat tona dhe atë se çfarë na përfaqëson”, ka treguar ai për KOHËN. Pjesë të ekspozitës e ka bërë edhe punën me veg, duke dëshmuar mënyrën e realizimit të veshjeve në atë zonë. Nëpërmjet kësaj mënyre artizanale gratë e vajzat kanë prodhuar me mjeshtri disa pëlhura për veshjen e burrave e të grave. Me anë të tij janë punuar këmisha e qilima unikë. Me vite edhe kjo mënyrë e punës është zbehur. Krahas traditës, fotografi i ri në mesin e 25 fotografive ka paraqitur edhe bukuritë e rrethit të Prizrenit. Imazhet paraqesin Malet e Sharrit. Pamjet janë të përqendruara në vendet më piktoreske të Kopanavodit, Restelicës, Lubinjes dhe te Gur i Zi. Edhe shpendë të ndryshëm janë në fokus të imazheve të prezantuara.

Këto shkrepje vijnë si një thirrje e fotografit për t’i vizituar ato. Imazhet e ekspozitës janë vlerësuar që e nxjerrin në pah profesionalizmin dhe stilin e fotografit të ri. Po ashtu janë vlerësuar edhe si përfaqësim i jetës së komunitetit boshnjak që zgjon kureshtjen e komuniteteve të tjera.

“Adoni ka bërë një punë shumë të madhe ndër vite, ka edhe kualitetin dhe profesionalizmin shumë të zhvilluar. Vërehet që është shumë aktiv dhe shumë punëtor, e ka një stil pak më ndryshe prej nesh dhe vullneti nuk i mungon asnjëherë”, ka thënë fotografi Liridon Shala për KOHËN, gjysmë ore pasi ka vizituar ekspozitën.

Ekspozita e artistit Adon Pajaziti është mbështetur nga organizata joqeveritare “Aktiv” dhe Koalicioni Kosovar për Pajtim. Kjo ekspozitë më 24 shkurt është hapur edhe në Mitrovicën Veriore dhe pas Prishtinës synon Prizrenin. Me prezantimin e punës së Pajazitit synohet që të shfaqet diversiteti i shoqërisë në një dritë tjetër.

Image
Edhe shpendë të ndryshëm janë në fokus të imazheve të prezantuara

Sipas Igor Markoviqit nga “Aktivi”, arti mund t’i kontribuojë më së miri kësaj, andaj qëllimisht e kanë prezantuar ekspozitën në tri qytete të ndryshme.

“Ne mendojmë se është e rëndësishme të sjellim një mesazh ndryshe kur bëhet fjalë për ndërtimin e paqes, sepse zakonisht shihet si punë e politikanëve. Mendoj që arti është një gjuhë, e cila mund të përdoret për procesin e ndërtimit të paqes në Kosovë”, ka thënë ai për KOHËN.

Ekspozita e fotografit të ri Adon Pajaziti do të qëndrojë e hapur edhe sot në galerinë “Monet” në Prishtinë, kurse prej 5 marsit do të hapet në objektin e institutit “Yunus Emre”, në qendër të qytetit të Prizrenit.