Në kuadër të kulturës materiale, në çdo mjedis kështjellat paraqesin vlerë të veçantë historike dhe kulturore. Ato janë dëshmi autentike të së kaluarës historike, që në forma të ndryshme janë të pranishme deri në ditët tona. Por, në saje të rrjedhave shoqërore gjatë historisë, një numër i konsideruar i tyre kanë mbetur të shënuara që dëshmohet nga të dhëna autorësh antikë.
Në këtë aspekt janë pikërisht arkeologët të cilët me angazhimin dhe punën e tyre profesionale kanë arritur të deshifrojnë e hulumtojnë monumentet e tilla në mjedisin përkatës. Në këtë aspekt hapësira etnogjeografike shqiptare vazhdimisht ka paraqitur interes për hulumtime arkeologjike, duke filluar nga shekulli XX e më pas, shkruan KOHA.
Janë pikërisht arkeologët e huaj si austriakë, italianë, anglezë e të tjerë, të cilët fillimisht janë angazhuar në këtë drejtim, ndërsa më pas kontribut kanë dhënë arkeologët shqiptarë, duke vendosur bazat e arkeologjisë shqiptare. Kemi të bëjmë kryesisht me kohën pas Luftës së Dytë Botërore, ku janë veçuar një numër i konsideruar arkeologësh, si H. Ceka, S. Anamali, S. Islami, F. Prendi, N. Ceka, A. Mano, Dh. Budina, B. Dautaj e të tjerë, të cilët kanë arritur që të ofrojnë zbulime me vlera të mëdha historike, kulturore e kombëtare.
Kemi të bëjmë me breza të ndryshëm arkeologësh, që autori arritjet e tyre në këtë përmbledhje i paraqet me përkushtim ndaj emrit dhe veprës së tyre. Është meritë e tyre profesionale që arritën të deshifrojnë dhe hulumtojnë një numër të konsideruar të kështjellave, të cilat kanë ekzistuar në Iliri në kohën antike, që tani janë monumente me vlera historike në hapësirën etnogjeografike shqiptare.
Në saje të përvojës profesionale gjatë gërmimeve dhe hulumtimeve arkeologjike në terren, si dhe konsultimit të literaturës shkencore e sidomos asaj të autorëve antikë, autori ofron të dhëna për rreth tridhjetë kështjellat e prezantuara.
Në aspektin territorial kështjellat e tilla i takojnë kryesisht Ilirisë Jugore, përkatësisht në territorin e Shqipërisë së sotme, por ka të dhëna edhe jashtë këtij regjioni, si në Dardani, apo edhe në Adriatikun Lindor. Arkeologu dhe studiuesi i njohur Neritan Ceka në saje të përvojës profesionale me veprën...