Kulturë

“Udha e shkronjave 1946” alarmon në objektin e harruar të shkollës së parë shqipe në Ferizaj

Shfaqja “Udha e shkronjave 1946”, nën regji të Kaltrim Balajt, në edicionin e 52-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj e ka kthyer vëmendjen tek objekti ku në vitin 1941 u hap shkolla e parë shqipe në Ferizaj, shkolla fillore “Ismail Qemaili”, me drejtorin e parë Fadil Hoxha nga Shkodra. I ka rënë ziles për ndërgjegjësim e për ruajtjen e kujtesës kolektive në objektin e harruar e të lënë pas dore

E gjithë hyrja është mbuluar me najlon. Aktori Dashnim Rexhepi është në rolin e mirëmbajtësit që e hap i pari shkollën, e bën atë gati për nxënësit. Veshur ka mantelin e bardhë, shkarravitur me ngjyra. Ia hedh një shikim të gjithë hapësirës e duket sikur belbëzon me vete diçka që e ka vështirë ta nxjerrë jashtë. Mbi najlon, me të kuqe, vendos shkronjat e para të alfabetit. Me këtë tregon funksionin që kishe ky objekt dikur – e sot shihet në gjendje të mjerueshme e nuk kundërmon vetëm brenda. Edhe jashtë tij e bën të vështirë qëndrimin qoftë edhe për gjysmë ore të performancës. Shfaqja “Udha e shkronjave 1946”, nën regji të Kaltrim Balajt, në edicionin e 52-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj e ka kthyer vëmendjen tek objekti ku në vitin 1941 u hap shkolla e parë shqipe në Ferizaj, shkolla fillore “Ismail Qemaili” me drejtorin e parë Fadil Hoxha nga Shkodra.

Aty, në vitin 1946 u themelua gjimnazi i ulët shqiptar me arsimtarin dhe drejtorin Ekrem Kasapolli. Ky progjimnaz punoi deri më 1955. Kështu shkruhet në një prej pllakateve të vendosur në hyrje të shkollës. Provat e performancës që nga fillimi kanë ngjallur reagimin e kalimtarëve. Aty me tingëllimën e ziles, Dashnim Rexhepi e fton publikun të futet. Përpara ka një shirit të filmit si simbol i kthimit të kujtimeve. Ky shirit i filmit duhet të prehet për “përurimin” që do t’ia bëjë performanca “Udha e shkronjave 1946”. Dëgjohet në sfond kënga “Vajta kalova” për ta nxitur paralelen mes pamjes së dikurshme që s’hetohet më.

Image
Mirëmbajtësi i shkollës (luajtur nga Dashnim Rexhepi) nëpërmjet ziles e ka ftuar publikun të futet në shkollën e dikurshme

Sipas regjisorit Balaj, edhe gjatë kohës kur kanë filluar provat, interesimi i kalimtarëve është prekur lidhur me gjendjen dhe intervenimet që do të bëhen në shkollë. Sipas tij, dalja jashtë teatrit me ndërhyrje të tilla artistike arrin ta kthejë vëmendjen dhe të ngrehë alarm për ndërhyrje në objekte të rëndësishme për kujtesën kolektive të vendit.

“Publiku u mahnit shumë dhe u emocionua. Iu rikthye nostalgjia në klasat ku ata vetë kanë mësuar. Realisht teatri duhet të rikthehet në funksionet dhe idenë e parë qëkur u themelua, që të bëjë thirrje për ndryshim, që ta takojë popullin me tematika sociale”, ka thënë Balaj për KOHËN fill pas performancës.

Disa vjet pas luftës shkolla ka shërbyer për mësimin e një pjese të nxënësve të shkollës së mesme të ekonomisë “Faik Konica”. Që prej vitit 2015, kjo shkollë është braktisur dhe në gjendje jo të mirë.

Shfaqja “Udha e shkronjave 1946” e ka dërguar publikun në klasat që dikur shërbenin për mësim. E gjendja jo e mirë bëhet edhe më e dukshme gjatë lëvizjes nëpër klasa, ku lëviz performanca. Fillimisht mirëmbajtësi i fton të gjithë në klasën e kabinetit të muzikës, ku është ndërhyrë me drita. Mirëmbajtësi duhet t’i paralajmërojë vizitorët që të kenë kujdes të mos shkelin në dyshemenë e rrjepur.

Arsimtarja e muzikës, Dora Xhemajli, përpiqet të flasë për kushtet, sipas saj, të mira të klasës. Kjo edhe e kthen vëmendjen e vizitorëve në çdo skaj të klasës. Bashkim Ramadani e përfaqëson rolin e arsimtarit të artit figurativ në klasën gjithë shkarravina. Aktorët Dashnim Rexhepi, Bashkim Ramadani dhe Dora Xhemajli kanë qenë udhërrëfyesit e publikut, të mërkurën. Rexhepi krejt në fund ka ndezur qirinjtë në njërën prej klasave të shkollës duke interpretuar “Rini thuaja këngës më të bukur që di”. E në fund të performancës është zhveshur nga roli i aktorit, publikut i është drejtuar edhe si banor shumë afër shkollës. Ka shprehur lutjen për restaurimin e shkollës, teksa ka theksuar se ky objekt veç si shkollë nuk duket, pasi që përdoret për dukuri negative.

Image
Ndezja e qirinjve ka simbolika të shumëfishta në Udhën e shkronjave 1946”

“Kjo shkollë i ka të mirat e veta si shkolla e parë që ka prodhuar shumë gjenerata, ku kanë dalë nxënës shumë të mirë. Ne e bëmë këtë performancë pikërisht për këtë çështje që të mos mbetet kështu siç është” , i ka thënë Rexhepi KOHËS.

Performca “Udha e shkronjave 1946” është realizuar gjatë edicionit të 52-të të Festivalit të Teatrove në kuadër të programit “Retroteatër”, që Festivali e ka integruar si kujtesë kolektive e ngjarjeve socio-kulturore e politike. Regjisori Sulejman Rushiti ka thënë se kjo është një risi dhe iniciativë e qëlluar e Festivalit. Edhe pse nuk e ka kryer shkollimin në Ferizaj, ka thënë se performanca të tilla ngjallin shumë emocione e kujtime.

Image
Shfaqja “Udha e shkronjave 1946” e ka dërguar publikun në klasat që dikur shërbenin për mësim

“Të gjithëve na ngjallën emocione kur kthehemi në shkollat dhe kujtimet tona. Ajo që më pëlqeu te performanca ishte thirrja për t’i restauruar objektet e trashëgimisë kulturore sepse aty i kemi kujtimet tona. Meqë po flasim tani për këto performanca, më duhet t’i përgëzoj organizatorët që kanë marrë një nismë të re dhe që është plotësuar java me shumë aktivitete të bukura”, ka thënë Rushiti për KOHËN.

Image
Gjendja jo e mirë bëhet edhe më e dukshme gjatë lëvizjes nëpër klasa

Programi “Retroteatër” do të vazhdojë deri më 7 tetor, ku do të jepet performanca “Premartyres” në Kishën Katolike në Ferizaj. Të hënën në Stacionin e Trenit është dhënë shfaqja “Agminepolis”, nën regji të Kreshnike Osmanit. Me poezi e muzikë e ka futur publikun në ndjesinë e trishtimit dhe dëbimit prej atdheut.