Kulturë

U nda nga jeta indoeuropeisti e albanisti Heiner Eichner

Profesor Heiner Eichner është marrë dhe me studimet për shqipen dhe ka lënë prapa disa studime me vlerë në këtë fushë. Gjatë punës së tij në Institutin e Gjuhësisë në Vjenë ka funksionuar dhe studimi i rregullt i shqipes. Në atë kuadër ai ka ndihmuar shumë të rinj të interesaur për gjuhën dhe për studimet shqiptare, shumë syresh i ka drejtuar në hartimin e disertacioneve të tyre. Është marrë dhe me botimin e disertacionit të Çabejtë për arbëreshët, ka ndihmuar në përgatitjen e veprës së Norbert Joklit për botim në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

Me 7 mars 2024 u nda nga jeta profesor dr. Heiner Eichner (Heiner Ajhner), profesor ordinar për Gjuhësi të përgjithshme dhe indoeuropiane në Institutin e Gjuhësisë të Universitetit të Vjenës, anëtar korrespondent i Akademisë Austriake të Shkencave.

I lindur më 1942 në Kronah të Zvicrës, profesor dr. Heiner Eichner, pas shkollimit të rregullt të mesëm, studioi për fusha të ndryshme të gjuhësisë së krahasuar nëpër universitetet gjermane. U doktorua me një tezë për lakimet në hetitishten, për t’u specializuar pastaj për studimet keltike dhe për të vazhduar me interesime të gjera për shumë gjuhë indoeuropiane. Një kohë drejtoi dhe Institutin indoeuropeis­tikës, pastaj Institutin e Iranistikës të Akademisë së Shkencave të Austrisë. Është marrë intensivisht me studimet e aspekteve strukturore të gjuhëve indoeuropiane, me çështje të numërorëve, me çështje strukturore-semantike, e deri dhe me çështje të mbishkrimeve të gjuhëve të lashta si hetitishtja. Kolegët e tij theksonin vazhdimisht faktin se Eichner ishte marrë gati me të gjitha degët e gjuhëve indoeuropiane, dhe për shumë syresh kishte dhënë ndihmesa me vlerë. Për shumë vite ka qenë dhe drejtues i revistës me namë për gjuhësi të krahasuar “Die Sprache”.

Profesor Eichner njihet si një nga anëtarët më me ndikim të Shkollës së Erlangenit dhe një nga indoeuropianistët më me ndikim të dekadat e fundit të shekulit XX. Shquhej për studimet e detajeve të pafund në fushën e rindërtimeve gjuhësore, për njohjet e gjera në shkallë enciklopedike të të dhënave gjuhësore, për interesin e gjerë për nxënien e gjuhëve të reja.

Profesor Heiner Eichner është marrë dhe me studimet për shqipen dhe ka lënë prapa disa studime me vlerë në këtë fushë. Gjatë punës së tij në Institutin e Gjuhësisë në Vjenë ka funksionuar dhe studimi i rregullt i shqipes. Në atë kuadër ai ka ndihmuar shumë të rinj të interesaur për gjuhën dhe për studimet shqiptare, shumë syresh i ka drejtuar në hartimin e disertacioneve të tyre. Është marrë dhe me botimin e disertacionit të Çabejtë për arbëreshët, ka ndihmuar në përgatitjen e veprës së Norbert Joklit për botim në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Heiner Eichner është shquar me gjerësinë dhe gatishmërinë e tij të pashembullt për bashkëpunim dhe ndihmë për më të rinjtë në punën e tyre hulumtuese. Në shumë raste kemi dëgjuar që për idetë të ndryshme të referohej në formën: kumtim me gojë nga Eichner. Për të vënë në pah cilësitë e shquara njerëzore të kolegut, revista “Die Sprache” numrin me të cilin e shënonte përmbylljen e punës së tij si redaktor e kishte titulluar, jo ratësisht, me formulën për rrënjën e fjalës indoeuropiane për ‘njeri’ - *h2nr.

Vetë kam pasur rastin të bashkëpunoja me dr. Eichnerin në më shumë raste në shkallën që na kishte lidhur një miqësi, por edhe bashkëpunim në raste të ndryshme veprimtarish albanologjike e gjuhësore në përgjithësi. Mbetet përjetshëm në kujtimin tonë me afërsinë njerëzore dhe me sinqeritetin në raportet me të tjerët, që e shquanin.

Me këtë rast kolegëve, miqve dhe studiuesve të gjuhësisë krahasuese e albanologjike te ne dhe në Austri u shprehim ngushëllime të përzemërta.

Prishtinë, 13.3 2024