“Ec Ma Ndryshe” të mërkurën, në Prizren ka publikuar Platformën për Turizmin Rural, që synon të jetë mjet në shërbim të promovimit të aseteve në zonat jourbane. Në të njëjtën kohë janë prezantuar edhe veshjet tradicionale të dedikuara për dasma “dollamat”, të punuara nga gratë pjesëmarrëse të trajnimit disamujor për këtë artizanat. Edhe për turizmin rural, ashtu sikurse edhe për atë artizanal, është thënë se kanë potencial për zhvillim të turizmit, por që deri tash nuk janë shfrytëzuar siç duhet
Zhvillimi i turizmit rural, si dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore shpirtërore kërkojnë një kujdes më të shtuar nga institucionet përgjegjëse, duke qenë se me qasje të duhur ato mund të vihen në shërbim të zhvillimit ekonomik, është thënë të mërkurën në Prizren në kuadër të konferencës së organizuar nga organizata jo-qeveritare “EC Ma Ndryshe”. Me këtë rast është publikuar edhe Platforma për Turizmin Rural, që synon të jetë mjet në shërbim të promovimit të aseteve në zonat jourbane. Në të njëjtën kohë janë prezantuar edhe veshjet tradicionale të dedikuara për dasma “dollamat”, të punuara nga gratë pjesëmarrëse të trajnimit disamujor për këtë artizanat të përhapur në rajonin e Prizrenit.
Drejtori i kësaj organizate, Valon Xhabali, ka theksuar se Platforma që synon promovimin e turizmit rural prezanton pasuritë kulturore, natyrore e shërbimet. Gjithashtu para të pranishmëve ka sqaruar se me synimin për ruajtjen e kultivimin e trashëgimisë shpirtërore, janë aftësuar 24 gra për punimin e “dollamave”.
“Punën tonë në këtë lëmi e kemi zgjeruar përtej promovimit, me synimin që trashëgimia kulturore të shërbejë në formësim të identitetit, duke mos e izoluar atë vetëm në rolin e atraksionit turistik. Kjo qasje jo vetëm që siguron qëndrueshmëri për të tashmen, por mundëson edhe përmbushjen e përgjegjësisë që kemi ndaj brezave të ardhshëm. Kjo është edhe qasja që kemi aplikuar në projektet e ndryshme që kemi zbatuar deri më tani, por edhe në projektet e fundit”, ka thënë Xhabali në hapje të konferencës. Sipas tij, “EC Ma Ndryshe”, në kuadër të projekteve “Hartëzimi i Turizmit Rural në Kosovë – Rajoni Jug” dhe “Dollama, një pasuri kulturore e Kosovës”, ka shfaqur përkushtim në dokumentimin, mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore të rajonit jug, që përfshin komunat: Prizren, Rahovec, Mamushë, Dragash, Suharekë dhe Malishevë. Ai ka shpjeguar se projektet janë ideuar në atë mënyrë që të rrisin ndërgjegjësimin e institucioneve vendore dhe atyre qendrore për konceptin ende të pazhvilluar dhe të paeksploruar tërësisht të turizmit rural në njërën anë, dhe atë të promovimit të trashëgimisë shpirtërore në anën tjetër, si faktor të qëndrueshëm që ofrojnë edukim dhe zhvillim të qëndrueshëm të komuniteteve lokale.
Pas prezantimit të platformës, në panelin e parë të konferencës është diskutuar për rëndësinë e njohjes, dokumentimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, si potenciale të zhvillimit të turizmit rural.
Lumturije Geci nga Departamenti i Turizmit në MINT ka shprehur bindjen se lansimi i kësaj platforme do të ndikojë në zhvillimin e mëtutjeshëm të turizmit, jo vetëm në rajonin e Prizrenit, por edhe më tutje.
“Platformat e tilla ndihmojnë zhvillimin e turizmit në përgjithësi. Sa më shumë digjitalizim të atraksioneve, qoftë atyre natyrore, kulturore e më tutje, por edhe të shërbimeve, siç janë përfshirë në këtë platformë, do të ndikojnë në marketingun ose tërheqjen e vizitorëve në Kosovë”, ka deklaruar Geci.
Ndërkaq Linda Çavdarbasha, zëvendësministre në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka pohuar se ekzistojnë shumë monumente natyrore që duhet të mbrohen e të promovohen, ndërkohë që kjo ministri ka pak staf për menaxhimin e tyre.
“Është me të vërtetë një platformë shumë e mirë dhe besoj se këso platformash duhet të krijohen edhe prej nivelit qendror, sepse në momentin e parë që vjen turisti dëshiron ta ketë një platformë apo një vend se ku mund të informohet në lidhje me të gjitha atraksionet turistike në Kosovë, përfshirë edhe pjesën e natyrës, edhe të kulturës, apo çfarëdo tjetër”, është shprehur Çavdarbasha.
Me synimin për ruajtjen e kultivimin e trashëgimisë shpirtërore, janë aftësuar 24 gra për punimin e “dollamave”
Adem Morina, drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Komunën e Prizrenit, ka theksuar se pushteti lokal nëpërmjet investimeve në infrastrukturë synon zhvillimin e turizmit rural.
“Ne si komunë fokus të veçantë e kemi, po ashtu, edhe pjesën e zonave rurale, ngaqë e dimë që pa dhënë një kontribut në zhvillimin e infrastrukturës nuk mund të kemi edhe zhvillimin e turizmit rural”.
Pjesa e dytë e konferencës i është kushtuar promovimit të trashëgimisë shpirtërore. Është shfaqur dokumentari lidhur me aftësimin e punët e realizuara nga gratë pjesëmarrëse të trajnimit për punimin e “dollamave”. Ndërkaq angazhimi institucional për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore mbetet subjekt i diskutimit, marrë parasysh kanosjet me të cilat përballet sot kjo pjesë e trashëgimisë kulturore, është thënë gjatë paraqitjeve në panelin e dytë.
Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka vlerësuar se trajnimi i realizuar mes grave për punimin e “dollamave” është një formë konkrete e mbrojtjes së një pjese të pasurisë shpirtërore të kësaj ane.
“Ne në angazhimet tona institucionale ndoshta në këto kohët e fundit fokusin pak më shumë e kemi mbajtur te pjesa materiale e trashëgimisë për shkak të urgjencave, për shkak të rrezikut të dëmtimit, edhe mundësisë që pjesa e ndërtuar e trashëgimisë me u rreziku edhe më shumë në të ardhmen... Por kjo nuk do të thotë që edhe shpirtërorja nuk është duke u rrezikuar”, ka thënë Çeku, duke shtuar se shteti nuk qëndron edhe aq mirë me adresimin e sfidave të cilat vijnë nga mungesa e dokumentimit, mbrojtjes e promovimit të trashëgimisë shpirtërore. Ai ka shprehur qëndrimin se bashkëpunimi ndërsektorial është i domosdoshëm për ruajtjen e mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore.
Lumnije Kadriu, etnologe nga Instituti Albanologjik, ka përkujtuar se sipas UNESCO-s trashëgimia shpirtërore ka të bëjë kryesisht me praktikat, reprezentimet, shkathtësitë dhe dijet që kanë të bëjnë me ndonjë element kulturor.
“Te dollama e pamë që pa e ditë një zanat dhe pa e pas shkathtësinë me e ushtru atë zanat nuk mundet me u jetësu apo me u rikriju edhe ajo trashëgimi shpirtërore”, ka sqaruar ajo.
Arbnora Kolgjeraj, antropologe e kulturës, ka theksuar se trashëgimia kulturore shpirtërore në Kosovë rrezikon vdekjen në mungesë të dokumentimit.
Ndërkaq Artan Krasniqi, sociolog dhe gazetar, ka vlerësuar se nevojitet një përkushtim më i madh që gazetarët të marrin prej ekspertëve njohurinë e thellë rreth trashëgimisë shpirtërore dhe në anën tjetër ekspertët të marrin prej gazetarëve dhe organizatave joqeveritare dinamikën, respektivisht të kombinohen, në mënyrë që produktet e trashëgimisë shpirtërore të konservohen dhe të promovohen si vlera.