Kulturë

Turizmi i Kosovës pa guida të licencuara

Në kohën kur jo pak ngjarje kulturore kanë marrë vëmendjen botërore, Prishtina e ka jashtë funksionit të vetmen kioskë informuese për turistë në sheshin kryesor, dhe ky është vetëm një shembull. Shteti nuk ka ende guida të licencuara, përderisa ato konsiderohen të domosdoshme për ta zhvilluar këtë sektor. Bienalja nomade evropiane “Manifesta 14” e “Sunny Hill” në kryeqytet, “DokuFest” në Prizren, e “Anibar” në Pejë, këtë vit e kthyen Kosovën në qendrën kryesore për atë që cilësohet si turizëm kulturor. Por pak ka infrastrukturë për këtë

Në sezonin kur vendi kishte shanse unike për tërheqjen e zhvillimin e turizmit, e vetmja pikë informuese turistike në Prishtinë ishte jashtë funksionit. Kioska për turistë e inauguruar në shtatorin e vitit 2018, pas një zvarritjeje pesëvjeçare, vazhdon “t’i shërbejë” shitjes së biletave për “Sunny Hill”, edhe pse ka pesë javë që ka përfunduar. Por ky është vetëm njëri rast. Në majin e sivjetmë Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për turizëm, i cili, ndër të tjera, rregullon funksionimin e operimit të agjencive turistike, udhërrëfyesve turistikë dhe shërbime të tjera. Por deri më tani shteti nuk e ka të licencuar asnjë guidë.

“Manifesta 14” e “Sunny Hill” në kryeqytet, “DokuFest” në Prizren, e “Anibar” në Pejë, këtë vit e kthyen Kosovën në qendrën kryesore për atë që cilësohet si turizëm kulturor. Por pak ka infrastrukturë për këtë.

Së fundmi Unioni i Turizmit të Kosovës, i themeluar dy vjet më parë, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës për hapjen e një zyre informative dhe dy pikave mobile.

Baki Hoti, kryetar i Unionit të Turizmit të Kosovës, ka bërë të ditur se në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit është përcaktuar hapja e qendrës së informacionit për turistë që do të vendoset pikërisht në sheshin “Zahir Pajaziti”, dhe dy pika mobile ku njëra do të shërbejë në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe një tjetër në Stacionin e Autobusëve në kryeqytet.

“Me qëllim që të jemi sa më pranë të gjitha grupeve të vizitorëve që duan të marrin informata rreth vendeve atraktive, monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe aktiviteteve që zhvillohen jo vetëm në kryeqytet, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës”, ka thënë Hoti.

Sipas marrëveshjes, hapësira ku qendra do të ushtrojë veprimtarinë e saj do të përgatitet nga një organizatë zvicerane. Hoti është shprehur optimist se Unioni do të hapë këtë zyre brenda dy muajve të ardhshëm.

“Mund t’ua konfirmoj se është duke u punuar në këtë drejtim, është nënshkruar një marrëveshje edhe midis Komunës dhe organizatës zvicerane ‘Swisscontact’, e cila do të ndihmojë për ta ndërtuar një objekt i cili i plotëson kushtet dhe kriteret për një zyre informative”, ka thënë ai derisa ka njoftuar se sipas marrëveshjes, Unioni do ta menaxhojë këtë zyre.

Hoti ka dhënë detaje për këtë projekt, teksa ka njoftuar se objekti që do të zërë vend në sheshin “Zahir Pajaziti” do të ndërtohet prej xhami e druri me dimensione rreth 4 me 5 metra. Ajo do t’u ofrojë qasje të gjithë vizitorëve për ngjarjet, lokacionet e monumentet historike në kryeqytet e do të organizohen edhe shëtitje për grupet e vizitorëve.

Me “Swisscontactin”, Komuna e Prishtinës kishte bashkëpunuar edhe për kioskën që ishte inauguruar më 18 shtator të vitit 2016. Asokohe u konsiderua si hap pozitiv, por që shpërfaqi edhe neglizhencën e autoriteteve në raport me turizmin. Kioska ishte inauguruar pas pesë vjetësh prejse kishte zënë vend në shesh. Jo fort larg kioskës, në verën e vitit 2013, Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës bashkë me Komunën e Prishtinës, që asokohe udhëhiqej nga Isa Mustafa, kishte hapur një zyre informuese për turistë në “Hotel Grand”. Funksionoi rreth tetë muaj dhe u mbyll për shkak të mungesës së mbështetjes nga autoritetet komunale.

Baki Hoti ka thënë se edhe në kuadër të Agjencisë për Standardizim kanë punuar me qëllim të licencimit të guidave, por që prej kur është nënshkruar marrëveshja me Komunën shumë shpejt mund të ketë guida të licencuara në gjithë territorin e Kosovës.

Guida të ndryshme të certifikuara nga organizata të ndryshme operojnë në qytete si në Prizren e Pejë, por që në kryeqendrën e shtetit është braktisur kioska e vetme që ofronte vetëm harta e katalogë.

“Zyra informative e turizmit, sidomos në kryeqytet është jashtëzakonisht shumë e nevojshme, duke pasur parasysh rolin që një zyre informative e ka për të informuar turistë, grupe të ndryshme që e vizitojnë kryeqytetin”, ka thënë Hoti. Megjithatë, ai shprehet optimist për efektet e Ligjit për turizmin e ku është paraparë edhe licencimi i guidave turistike. Në bazë të Ligjit, po ashtu rregullohen edhe detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve publike në fushën e turizmit, si dhe kriteret e funksionimit, të drejtat dhe përgjegjësitë e agjencive turistike, tour- operatoreve dhe subjekteve të tjera të turizmit në Kosovë.

Kosova ka mjaft resurse turistike si për nga bukuritë natyre e objekte të trashëgimisë kulturore. Infrastruktura rrugore ka qenë ndër vite barrikadë e zhvillimit të saj, por që këto barriera janë zbutur e megjithëkëtë turizmi ende nuk ka arritur pikat kulmore për të tërhequr mjaftueshëm turistë të huaj, ndonëse sipas shifrave ka shënuar rritje sivjet. Në gusht, Hoti kishte thënë se ka rritje të numrit të turistëve për 25 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Guidat turistike luajnë rol kyç në industrinë e turizmit e ato janë krijuese të eksperiencave të vizitorëve.

Enes Toska nga asociacioni i guidave turistike të Kosovës “GuideKS”, është shprehur se turizmi nuk ka qenë prioritet dhe ende nuk është i tillë për institucionet qendrore e ato lokale. Ka thënë se mungesa e një qendre informuese në kryeqytet reflekton në turizmin ende të pazhvilluar kënaqshëm në vend.

“Deri më tani shteti nuk është marrë fare me këtë proces. Në Kosovë kemi guida të certifikuara nga organizata të ndryshme. Për shtetin nuk ka qenë prioritet të merren me guidat turistike dhe ne si organizatë po mundohemi në maksimum të punojmë në këtë drejtim të kemi guida të kualifikuara”, ka thënë Toska.

Më 27 shtator shënohet Dita Botërore e Turizmit, e në Kosovë nuk do të mungojnë aktivitetet për këtë ditë. Unioni i Turizmit të Kosovës do të organizojë shëtitje treditore me operatorët e udhëtimit nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi me qëllim të promovimit të turizmit në Kosovë.