Hulumtimi e studimi i mënyrës së varrimit, tipike e fisit dardan të ilirëve, bashkë me krejt gjetjet në tumat e Dollcit të Klinës janë përmbledhur në një botim të veçantë. Monografia “Varreza tumulare e Dollcit”, me autorë arkeologët Premtim Alaj, Sedat Baraliu e Bardhyl Rexhepi, botim i Institutit Arkeologjik të Kosovës, shpalos në detaje krejt çka iu përket këtyre tumave dhe kontekstit kohor. “Praktika funerale e këtij grupi kulturor ishte ajo e varrimit tumular, rit ky që filloi të përdorej në Iliri që nga epoka e bronzit të hershëm”, është njëri prej përfundimeve
Diku para afro dy mijë e 500 vjetësh disa të vdekur, në rrethin e Klinës së sotme, saktësisht në fshatin Dollc, do të varroseshin në kodrinën shkëmbore në lartësi mbidetare prej 543 metrash. Këta dardanë të parahistorisë do të vendoseshin përhershëm në tri varreza tumulare apo kodërvarre. Fillimisht do të digjej trupi i tyre – gjasshmërisht në ndonjë krematorium diku përreth – e më pas aty në tri varreza tumulare do të zinin vend 21 varre me mbetje nga djegia. Studimi për mënyrën e varrimit, tipike e fisit dardan të ilirëve, bashkë me krejt gjetjet në këto varre janë përmbledhur në një botim të veçantë.
Monografia “Varreza tumulare e Dollcit”, me autorë arkeologët Premtim Alaj, Sedat Baraliu e Bardhyl Rexhepi, botim i Institutit Arkeologjik të Kosovës, shpalos në detaje krejt çka iu përket këtyre tumave dhe kontekstit kohor. Varrezat tumulare kanë vlerë arkeologjike derisa nuk hapen; në momentin e hapjes e gërmimit, shkatërrohen si aset arkeologjik. Më e mira që mund të bëhet është dokumentimi i saktë i tyre për efekt studimor. E studimi i materialit të gjetur është kontributi kryesor që mund të jepet për atë lokalitet dhe për ritin e varrimit në atë zonë. Pikërisht këtë e kanë bërë Alaj, Baraliu dhe Rexhepi. Pos kësaj kanë vënë një standard – që duhet të vazhdohet – botimin e hulumtimeve që bëhen në arkeologji.
Më 2021 gërmimet do të bëheshin si intervenim emergjent. Kjo, pasi një prej tumave ishte dëmtuar nga një kompani private që kishte kryer shpime në shkëmbinj për arsye biznesi. Komuna e Klinës, sidomos kodrinat midis Dollcit, Dresnikut, Gremnikut, Përqevës, Gllarevës e Gjergjovikut të Madh, janë në presion nga gurëthyesit. Pikërisht ky aktivitet ka bërë që Varreza Tumolare e Dollcit nëpërmjet gërmimit arkeologjik të shkatërrohet, por njëkohësisht të shndërrohet në monografi në shqip e anglisht duke i ofruar shkencës një prej rasteve të kodërvarreve me rit varrimi me djegie.
Libri ndahet në gjashtë kapituj. Fillimisht jepet një përshkrim i mjedisit natyror e gjeografisë së Dollcit e i krejt sipërfaqes së Komunës së Klinë. Më pas nxirret në pah konteksti arkeologjik i asaj zone. Njihet për varrezat e shumta tumolare e po ashtu edhe për gjetje të vlefshme arkeologjike të shekujve të parë të erës sonë. Më pas ofrohen të dhënat për tri tumat, e për secilin varr veç e veç, analizohet materiali i gjetur dhe ofrohet një analizë dentare e mbetjeve mortore.
Skicimet janë bërë me pedanteri, përderisa studimi është përshkruar si shumë përmbajtjesor.
Në cilësinë e recensentit, arkeologu Shafi Gashi ka thënë se materiali arkeologjik është argumenti kryesor dhe në këtë rast prezantohet i tëri.
“Në kapitullin e parë autorët kanë bërë një vështrim të thellë mbi zonën e administrimit të Komunës së Klinës. Kjo zonë është e pasur sidomos me nekropole tumolare. Pas Luftës së Dytë Botërore janë gërmuar një pjesë e tyre. Fillimisht janë bërë hulumtime në vendbanimin e Qupevës e Deiçit për të vazhduar me gërmimet në nekropolin tumolar të Përqevës, ku më 1973 deri më 1975 janë gërmuar gjithsej nëntë tuma”, ka thënë ai. Ka përmendur se arkeologu Kemajl Luci ka hulumtuar në vitet ’80 në nekropolin e sheshtë të Gllarevës.
“Në kapitullin e tretë tregojnë procesin e gërmimit të tri tumave që dhanë 21 varre. Të gjitha varret janë me djegie dhe nuk është dokumentuar vend-djegia. Duket se trupi është djegur diku tjetër”, ka thënë Gashi. Sipas tij, nekropoli tumular i Dollcit është edhe një kontribut në ndriçimin e të dhënave mbi dardanët.
“Me botimin e këtij materiali kryhet një obligim në radhë të parë metodologjik”, ka thënë ai.
Arkeologu amerikan, profesor në Universitetin e Michiganit, Michael Galaty, ka thënë se Kosova duhet të jetë shumë krenare që Instituti Arkeologjik ka punuar shumë për të ruajtur të dhënat e trashëgimisë kulturore të vendit.
“Arkeologjinë në njëfarë forme e shuan zhvillimi. Shpesh hapen rrugë e bëhen investime të tjera dhe duhet punuar aty. Arkeologët shpesh duhet të punojnë shpejt duke pasur buldozerët pranë. Kjo është shumë e vështirë të bëhet. Kjo është prej arsyeve që ky libër është shumë i rëndësishëm. Aty është dashur të punohej shpejt, por është punuar profesionalisht”, ka thënë Galaty. Sipas tij, kur punohet shpejt është e vështirë edhe të ulesh e të shkruash.
“Andaj është tejet e rëndësishme që pas gërmimeve kemi këtë vepër. Është monografi me kualitet të lartë. Ka harta kualitative, fotografi, skica e të dhëna të tjera”, ka thënë ai.

Si përfaqësuese e Ministrisë së Kulturës, të pranishmëve në promovimin e librit në Bibliotekën Kombëtare të enjten u është drejtuar edhe Nora Arapi-Krasniqi, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Ka folur brenda “skicave” të shefit të saj, duke përmendur të arriturat që tregojnë se tash arkeologjia është duke u zhvilluar me të madhe. Njëkohësisht ka treguar se do të përkrahin gjithnjë punën e arkeologëve, gjë që e kanë detyrë ta bëjnë pasi Instituti është institucion vartës i MKRS-së.
Arkeologu Premtim Alaj, në emër edhe të dy kolegëve të tij bashkautorë, ka falënderuar krejt bashkëpunëtorët. Ka përshkruar se nuk ka qenë e lehtë të punohet në Dollc në verën e vitit 2021 në kohë pandemie e temperaturash të larta.
“Mbetet që publiku i gjerë ta vlerësojë atë që kemi bërë”, ka thënë Alaj.
Sipas asaj që shpjegohet krejt në hyrje të monografisë, gjykuar nga vlera shkencore dhe materiali i pasur arkeologjik, si dhe nga fakti se kanë pasur të bëjnë me rezultate tërësisht të reja arkeologjike, është parë e arsyeshme që këto rezultate të publikohen në një studim të veçantë. Krejt kjo me synimin që t’iu ofrohet studiuesve, por edhe publikut të gjerë, një studim përmbledhës e një panoramë e përgjithshme e organizimit të nekropoleve. Studiuesit kanë shpalosur se si shkaku i varrimit me djegie mbetjet kockore janë shumë të pakta. Mbetje dentare kishin dy tuma. Nga raporti dentar i tumës së parë është nxjerrë në pah se bëhet fjalë për varre individuale dhe të varrosur që ishin në moshë. Kurse te raporti dentar i tumës së tretë dalin në pah dy raste të varreve kolektive apo të dyfishta. Janë bazuar në ripërsëritje të dhëmbëve. Për varret ku janë gjetur dhëmbë ofrohen skica të sakta e numri i dhëmbëve të gjetur. Në raportin dentar të punuar nga Fatbardha Hoxha tregohet se dhëmbët ishin të lënduar nga higjiena e dobët apo edhe kequshqyerja.
Krejt në fund arkeologët kanë nxjerrë edhe përfundime.
“Nga të dhënat e deritanishme, përfshirë të dhënat e autorëve antikë, të kombinuara me të dhënat arkeologjike, mund të themi që territori i Kosovës në periudhën e hekurit zinte pjesën qendrore të Dardanisë antike. Studimet në këtë rajon kanë dëshmuar se kjo hapësirë bën pjesë në grupin etnokulturor Glasinac-Mat të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqëson një grup të veçantë të kulturës ilire përgjatë epokës së hekurit. Praktika funerale e këtij grupi kulturor ishte ajo e varrimit tumular, rit ky që filloi të përdorej në Iliri që nga epoka e bronzit të hershëm dhe vazhdoi pa ndërprerje gjatë bronzit të mesëm dhe atij të vonë, dhe gjatë gjithë epokës së hekurit, ku shtrihet në të gjitha trevat ilire”, shkruhet te përfundimet.