Kur shkruhet historia e muzikës zbavitëse në Kosovë, grupi “Trix” është i pashmangshëm. Emri i grupit lidhet me krejt vendin, veçmas me Ferizajn, i cili me festën e gjysmëshekullit të grupit festoi 150-vjetorin e themelimit të qytetit. “Një gjeneratë e re t'i këndojë këngët e viteve të ’70 nuk ka mrekulli më të madhe për një kompozitor dhe këngëtar”, ka thënë Veli Sahiti
Në sallën përplot dhe nën jehonën e këngëve ikonike, jubileu i grupit “Trix” është festuar bashkë me publikun. Këngët kanë jehuar edhe si dëshmi e për hitet që nuk zbehen dot. Madhështore qe mbrëmja në të cilën 14 këngë janë rikthyer nga solistë të ndryshëm, e me një ekip të madh, nën dirigjimin e Valton Beqirit kanë mbushur Ferizajn me vargje të njohura për tërë Kosovën.
Mbrëmja e së enjtes në palestrën e sporteve “Bill Clinton” ka ardhur si kapitull i grupit që ka qenë pjesë e pop-skenës kaherë, e ka shërbyer si një eksperiencë për shumë artistë të tjerë, që nuk i numërojnë aq vite sa ka grupi. Publiku ka kënduar si në kor tok me artistët në skenë, e kjo qe rikonfirmim se muzika jeton gjatë. “Trix” u themelua në pranverën e vitit 1974, fillimisht me tre anëtarët Veli Sahiti, Muhamet Bislimi dhe Nuredin Azemi, të cilëve iu bashkuan edhe dy anëtarët: Hil Prenk Palaj në daulle dhe Gjergj Prenk Palaj në harmonikë goje.
“I lumtur isha me ty”, “Pa lamtumirë”, “Princeshë e dashurisë”, “Ndarja në errësirë”, “Të mbuloftë reja” e “Zeshkania ime” qenë vetëm disa nga titujt që u thirrën për t’u kënduar në skenën në të cilën tashmë ishin ngjitur dhe po prisnin për paraqitje dhjetëra instrumentistë. Në krye me maestro Beqirin është shpalosur repertori me 14 këngë të rianranzhuara enkas për këtë mbrëmje. Secila është kënduar zëshëm nga publiku.
Erza Qerkini, Teuta Kurti, Shpend Hysaj, Betim Bekteshi e shumë të tjerë kanë rikthyer këngë të vjetra me një tis të ri.
Gala-koncerti, ashtu siç u quajt, riktheu rock n'roll-in shqip të viteve ‘70 në Ferizaj dhe kjo erdhi edhe si festë në 150-vjetorin e themelimit të këtij qyteti.

Koncerti e prezantoi për shumë të rinj treshen që themeloi grupin, e më pas edhe këngët ikonike. Muhamet Bislimi dhe Veli Sahiti u ngjitën në skenë për të qëndruar krenarë me arritje e për Nuredin Azemin homazhi s’u kërkua me një minutë heshtje, por një minutë duartrokitje.
Ndonëse mblodhi shumë njerëz në skenë, emocionet e të cilëve shiheshin në paraqitje, mbrëmja qe më e veçantë për njërin prej tyre.
Veli Sahiti, si solist i grupit dhe ai që njihet “ikonë e Trixave”, kishte kohë që po e priste këtë moment. Më të veçantë për të e bëri riorkestrimi i këngëve të tij, që tashmë numërojnë shumë vjet.
“Ajo që më kënaqi sonte ishte një performim dhe aranzhmane të reja të këtyre këngëve të cilat nuk mund të them që kanë qenë në pluhurin e harresës, por megjithatë sot më kanë dhënë një kurajë shumë të madhe këta solistë të shkëlqyer, të cilët kanë interpretuar këngët në objektivin dhe stilin e vet dhe kjo më gëzon mua më së shumti. Një gjeneratë e re t’i këndojë këngët e viteve të ’70 nuk ka mrekulli më të madhe për një kompozitor dhe këngëtar”, ka thënë Sahiti.
Patjetër që ky organizim, e këndimi i 14 këngëve e rikthyen Veli Sahitin shumë kohë prapa.
”Në këto 50 vjet ato zbatica dhe batica të këngës kanë qenë të pranishme, por na kanë mbajtur. Nuk kemi ndryshuar nëpër furtuna të ndryshme, nëpër stile të ndryshme. Kemi qenë në zgjedhjen tonë, në rock n'roll-in e suazave shqiptare. Kemi kënduar shqip dhe kemi frymuar në gjuhën shqipe”, ka thënë ai.
Prapa e ka kthyer ky koncert edhe Muhamet Bislimin, bashkëthemelues i grupit.
“Kam pasur shumë emocione dhe është normale sepse po kthehemi shumë vite pas. Punën që e kemi bërë po shihet. Nuk ka qenë e lehtë me këtë publik madhështor dhe me këta njerëz që ende e përkrahin muzikën e grupit ’Trix’ me Veliun. Kemi bërë një punë të madhe dhe me shumë vështirësi kemi arritur deri këtu. Prandaj për mua ka jo pak emocione, por nuk munda t’i shpreh para publikut sepse s’desha të bëhem frikacak", ka thënë Bislimi.
Barrën e madhe për këtë koncert mbi supe e ka mbajtur Valton Beqiri, i cili ka mbledhur dhe ka okestruar shumë këngë të grupit për ta bërë mbrëmjen ideale si një rikujtim.
“Natyrisht grupi ‘Trix’ ka një numër shumë të madh këngësh prej të cilave janë shumë të njohura. Ka edhe prej tyre që janë shumë të bukura por nuk janë dëgjuar shumë. Prandaj ka qenë një përzgjedhje e përbashkët edhe me Veli Sahitin. Jemi munduar që të kemi edhe këngë shumë të njohura, edhe këngë të cilat mund të themi se nuk janë interpretuar aq shpesh. Një përzgjedhje të stileve të ndryshme të këngëve të ndryshme në mënyrë që të kemi një laramani më të madhe të programit në këtë koncert", ka thënë Beqiri.
Për vështirësinë e zgjedhjes së programit ka treguar edhe vetë solisti i tyre.
“Ato 200 këngë të miat që i kam kompozuar dhe i kam kënduar, sepse janë 20 albume, po më thotë Valton Beqiri se duhet t’i përmbledh 14 këngë. Kjo ishte puna më e vështirë. Secila këngë e ka domethënien e vet. Por megjithatë arrita që disa këngë nga vitet e ’70 t’i marr dhe t’i fus në repertorin e këtij 50-vjetori’, ka thënë Veli Sahiti. Ka treguar se e ka një këngë në të gjithë repertorin që mund ta dallojë pak nga të tjerat.
“Por megjithatë unë them se letërnjoftimi i grupit ‘Trix’ është ‘Zeshkania’ dhe kjo mbetet një këngë e cila na i jep identitetin e grupit dhe mua si solist”, ka thënë ai.
Kjo mbrëmje pos që ishte e veçantë për grupin, ishte e veçantë edhe për ferizajasit. Bëhej e rëndësisë primare kur titulli i artistit dhe i ferizajasit takoheshin në një njeri të vetëm. Ashtu ngjau për Erza Qerkinin, e cila në mbrëmje këndoi “I lumtur isha me ty” dhe “Zeshkania ime”.
“Si ferizajase normalisht që është ndjenjë shumë e mirë, sidomos për 150- vjetorin e qytetit të Ferizajt, por edhe për 50-vjetorin e karrierës së ‘Trixave’. Ka qenë ndjenjë shumë, shumë e mirë. Normalisht që puna dhe ushtrimet janë sfiduese, por njëkohësisht të gjitha kanë qenë këngë që i kemi pasur në mendje dhe nëpër vesh çdo herë”, ka thënë Qerkini.
Organizimin kushtuar pesë dekadave punë të “Trixave” instrumentisti e dirigjenti Edon Ramadani e ka shfrytëzuar si thirrje për qytete të tjera. Sugjeron që të tilla organizime të bëhen edhe më shumë pjesë e vendit, për të nxjerrë në pah perlat që i rezistuan kohës.
“Iniciativa të tilla dhe me këngë të këngëtarëve dhe bendeve ikonike janë të mirëseardhura. Ka qenë një koncert i një formati pak më të madh, duke parë gjithë këta instrumentiste në skenë, me të gjitha ato orkestrime dhe këtë skenë. Kështu që i kisha inkurajuar edhe qytetet e tjera me e ndjekë rrugën e qytetit të Ferizajt, i cili nuk është hera e parë që e bën një gjë të tillë. Për mua është hera e dytë që marr pjesë në një koncert të një formati të ngjashëm në Ferizaj kushtuar artistëve të Ferizajt. Kështu që kënaqësi dhe shpresoj që të bëhen edhe koncerte të tilla për artist e tjerë, këngët e të cilëve këndohen dhe janë të pavdekshme”, ka thënë Ramadani.
Grupi “Trix” njihet në mbarë vendin si një i tillë që Kosovës i ka shtuar bagazhin e muzikës rock ‘n’ roll. Perlat që dolën prej 200 këngëve, ende mbesin hite edhe sot.