Ruajtja e fasadës origjinale dhe plotësimi me hapësira të reja të brendshme e të jashtme është emëruesi i përbashkët që nyjëton tri propozimet ideore për shndërrimin e godinës 49-vjeçare në të parën sallë koncertale në kryeqytet. Me 900 mijë euro, sa ka ndarë për këtë vit, qeverisja e Prishtinës synon që deri në javën e ardhshme të përzgjidhet projekti fitues për ndërtesën e ish-Shtëpisë së Mallrave. Pjesë e jurisë përzgjedhëse janë edhe emra të njohur ndërkombëtarë nga fusha e arkitekturës. “Secili prej propozimeve është zgjidhje më e mirë sesa që është sot”, ka thënë kryetari Ahmeti gjatë konferencës kur janë shpalosur përmes shifrash tri projektet ideore
Mohsen Mostafavi, Andrija Rusan dhe Han Tümertekin janë tre profesorët e shquar të arkitekturës që do të shqyrtojnë propozimet për investimin më të madh kulturor në kryeqytetin e Kosovës. Profesorët nga Harvardi, Zagrebi dhe Stambolli – krahas dy përfaqësuesve nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, një nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, si dhe një tjetër nga Komuna e Prishtinës – deri në javën e ardhshme do të përzgjedhin projektin fitues në konkursin ndërkombëtar për sallën koncertale në ish-objektin e “Gërmisë”.
Të premten pasdite, në një konferencë për media të mbajtur në ndërtesën e vjetër të Komunës së Prishtinës, janë shpalosur tri projektet ideore që janë në garë për përzgjedhjen përfundimtare.
Pa i përmendur emrat e kompanive, qeveria komunale ka shpalosur me video dhe makete projektet me kodet “1897”, “6636” dhe “6939”, ndërkohë që për të katërtin të ardhur nga Zvicra është kërkuar interpretim nga Komisioni i Prokurimit Publik.
Në bazë të paraqitjeve vizuale, të tri projektet synojnë shndërrimin e godinës 49-vjeçare në një sallë moderne koncertale.
“Duke ruajtur fasadën ikonike”
Në të parin projekt, me shifrën “1897”, është dhënë ideja e shndërrimit të ndërtesës së ish-Gërmisë me “ruajtjen e fasadës origjinale”, hyrje të reja, hapësira rekreative, hapësira ndërveprimi publike, si dhe auditoriumin kryesor me 800 ulëse. Sipas projeksioneve në video, ky koncept parasheh ndërthurjen e fasadës së kahershme të godinës me elemente moderne me xhama, brenda së cilës lartohet objekti rrethor i sallës.

Projekti i radhës me shifrën “6636”, i titulluar “One Roof – Germia for Concert Hall” – ka shpalosur konceptin e zhvilluar që i mëshon ruajtjes së “fasadës ikonike” dhe ndajshton pjesë të reja rekreative pranë ndërtesës aktuale.

Kurse projekti me shifrën “6939” është shpalosur vetëm nëpërmjet një maketi në të cilin janë zhvilluar edhe objekte shtesë në kuadër të kompleksit.

Ditë më parë KOHA kishte mësuar se në konkurrencë janë një konsorcium vendor, një kompani tjetër vendore në bashkëpunim me një nga Shqipëria, si dhe një studio projektuese nga Prishtina në bashkëpunim me një studio japoneze.
“Mendoj që janë zgjidhje fenomenale që të tri propozimet të para nga një vështrim laik”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në konferencën që parapriu shpalosjen e tri projekteve konceptuale për ish-Shtëpinë e Mallrave.
Ai ka thënë se ideja e Komunës ka qenë që të ruhen trashëgimia dhe identiteti i ndërtesës, e njëkohësisht të investohet brenda saj.
“Nuk është vendim për ndërtim, pasi që edhe po të fitojë më i miri propozim jo domosdoshmërisht do të përcaktohemi për të”, ka shpjeguar kreu i Prishtinës.
Duke folur për procesin e përzgjedhjes, Ahmeti ka theksuar se që në fillim është kërkuar që juria të mos jetë e Komunës, në mënyrë që përzgjedhja të jetë e mbrojtur nga “ndikimet politike”.
“Ne nuk i njohim as konkurrentët dhe as arkitektët, ndaj kjo është arsyeja pse kemi angazhuar profesorë me renome nga Harvardi, Zagrebi e Stambolli”, ka thënë kreu i kryeqytetit.
Kështu, sipas tij, shpërblimi i parë do të jetë 45 mijë euro për shtëpinë arkitektonike fituese, i dyti 25 mijë, si dhe i treti 15 mijë.
Derisa, sipas Ahmetit, ideja është përcaktimi për konceptin më të mirë, ai po ashtu ka paralajmëruar se Komisionit Evropian do t’i dërgohet zgjidhja përfundimtare për sallën.
Ndërkaq duke ndërmendur procesin e kalimit në pronësi të objektit të ish-“Gërmisë” dhe atij të Tulltores, Ahmeti ka vlerësuar se kjo është ndër herët e pakta kur një institucion publik ka blerë gjatë privatizimit pronat e ndërmarrjeve shoqërore.
“Që të dyja janë shumë të rëndësishme për Komunën tonë dhe kjo ishte mënyra e vetme për t’i shpëtuar ato”, ka shtuar ai.
“Shenjat e së kaluarës, shikimi drejt të ardhmes”
Ruajtja e elementeve të trashëgimisë kulturore dhe ofrimi i zgjidhjeve kreative brenda ndërtesës së ish-“Gërmisë” janë dy nga synimet kryesore të Komunës së Prishtinës. Këto qëllime ishin shpalosur qysh në nëntor të vitit të kaluar, kur ishte bërë e ditur se do të hapej konkurs ndërkombëtar për këtë projekt. Synohet që ndërtesa të adaptohet dhe të jetë një “landmark building”.
“Ideja është që të kemi një ndërtesë që i ruan shenjat e së kaluarës, por edhe shikon drejt së ardhmes”, kishte thënë asokohe kryetari Ahmeti.
Sipas propozimit të qeverisë lokale në Prishtinë, konkursi parasheh që brenda këtij kompleksi të ndërtohen dy salla. Salla kryesore do të ketë një kapacitet prej rreth 800 ulësesh, e krahas saj do të jetë edhe një tjetër më e vogël që është menduar si “salla e jazzit”.
Sa u përket financave, Komuna e Prishtinës për këtë vit ka ndarë 900 mijë euro për sallë koncertale.
Si pasojë e mosmarrëveshjeve midis nivelit lokal dhe atij qendror, Komuna e Prishtinës më 2019 kishte humbur mundësinë që të përfitonte 11.4 milionë euro për këtë projekt në kuadër të fondeve të Komisionit Evropian, “IPA 2019”. Ato ishin ridestinuar për dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”.
Në nëntor të vitit të kaluar Ahmeti kishte thënë se në rast se ndërtesa e adaptuar do të kushtojë 10 milionë euro, do ta kenë të nevojshme ndihmën e Këshillit të Evropës, por nëse ka kosto prej 5 milionë eurosh, Komuna do ta financojë vetë.
Qysh prej shtatorit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte përmendur ish-ndërtesën e “Gërmisë” si vend ku do të mund të ngrihej salla koncertale. Në tetor të atij viti, pas një debati të madh midis komunitetit të arkitektëve dhe atij të muzikës, Ministria e Kulturës e kishte përfshirë ndërtesën në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në atë rast kishte ndryshuar situata.
Më pas, në tetor të vitit 2018, nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale.
“Ndërtesës i ruhet pamja e jashtme në pajtim me Ligjin për trashëgimi kulturore”, shkruhej në pikën e tretë të vendimit të datës 23 tetor 2018. Më 19 mars të këtij viti, Qeveria e kishte ndryshuar vendimin. Kishte hequr pikën tre, duke hequr dorë nga ruajtja e pamjes së jashtme, edhe pse ekzekutivi nuk ka kurrfarë kompetence ligjore sa i përket ndryshimit apo jo të pamjes a çfarëdo ndërhyrjeje në monumente. Krejt kjo kishte bërë që fondet e KE-së të ridestinohen dhe të humbet mundësia që kryeqyteti të ketë një sallë koncertale që ndërtohej kryesisht me donacion. Prej vitit 2006 është dhënë ideja që ajo ndërtesë të shndërrohet në muze të artit bashkëkohor.