“2+1 dokumentarë mbi arkitekturën moderne në Kosovë” është triptiku që ndalet te tri objekte ikonike. Por nuk sjell thjesht historinë e tyre. Hyn brenda dhe prej aty nxjerr rrëfimin e shfrytëzuesve dhe paralelisht shpërfaq vlerat dhe rëndësinë e arkitekturës së kësaj periudhe në Kosovë. Është një lloj prekjeje e kujtesës kolektive
I mjaftojnë tri objekte për ta kundruar arkitekturën moderne në Kosovë. Në fakt, historisë së tyre ua bashkon kujtimet. “2+1 dokumentarë mbi arkitekturën moderne në Kosovë” është përtej dokumentimit të strukturave ndërtimore. Ai prek kujtesën kolektive. Arkitektja Flaka Xërxa-Beqiri me këtë projekt synon që t’i sjellë këto objekte shumë të njohura për secilin qytetar të Kosovës nëpërmjet përjetimit të tyre. Në dokumentarë, protagonistë janë punonjës të kahershëm të këtyre institucioneve, arkitektë e inxhinierë.
Cikli “2+1...” nis me dokumentarin e titulluar “Ngjyrat”, për “Bankosin” e Pejës. Kur punëtorët e bankës u zhvendosën në objektin e ri, gjithçka ishte më ndryshe për ta. Një ndërtesë me ngrohje e ashensor ishte larg asaj se çfarë mund të paramendonin. Edhe jashtë objektit vërehej se diçka krejt e re kishte ardhur në qytetin e tyre. Reklama, e cila me shkronja në lëvizje tregonte për shërbimet që banka i ofron, ishte atraksion edhe për kalimtarët e rastit. Kështu përshkruhet ajo periudhë nga ish-punëtorët e “Bankosit” në dokumentarin 15-minutësh.

Feti Islami, ish-drejtor i “Bankosit”, është njëri prej protagonistëve. Ndërtimi i objektit për të cilin guri themeltar qe vendosur më 1978, do të finalizohej prej vitit 1984 deri më 1986 kur ai erdhi në krye të këtij institucioni.
“Kur filloi të ndërtohej, dhjetë vjet ka mbetur në konstruksion betoni. Pasi erdha unë drejtor i bankës, fillova ta shqyrtoj materialin, u mor vendimi që të vazhdohet me përfundimin e objektit. Pas dy vjetëve u ndërtua me mundime të mëdha”, rrëfen Islami në dokumentarin i cili me mënyrën se si është realizuar, sjell ndjesinë brenda objektit. Pamjet me lidhje të ngadalta harmonizohen mjeshtërisht me rrëfimet e protagonistëve. Sipas rrëfimtarëve, objekti do të inaugurohej më 1988.
“Ka qenë surprizë e madhe”, thotë në “Ngjyrat” Muharrem Rizvanolli, ish-konsullor devisor në “Bankos”, ku u punësua më 1982.
Pikërisht në objekt, Fetije Basha, ish-konsullore e lartë e punëve me qytetarë në “Bankos”, kthen kujtimet.
“Kur kemi ardhur këtu, kemi qenë, si të them, ambasadorë të Pejës. Shumë na kishin xhelozi, vinin ta shihnin objektin”, ka thënë Basha.
Krejt ky përjetim shpie në vitet ’90 kur masat e dhunshme i larguan nga puna. Një numër i vogël i punëtorëve shqiptarë që mbetën në punë, u ndien në faj tërë rrugën për atje. Rrëfimi në dokumentar përmbyllet me keqardhjen e shprehur nga protagonistët për gjendjen aktuale të objektit.
Një rrëfim tjetër vjen edhe nga pamjet e dokumentarit të cilat njëra pas tjetrës paraqesin shkatërrimin që ndërtesa ka pësuar si brenda, ashtu edhe jashtë. Titullin “Ngjyrat”, arkitektja Flaka Xërxa-Beqiri ia vendosi dokumentarit për “Bankosin” e Pejës për shkak se ishte e para ndërtesë moderniste e realizuar me ngjyra.

Cikli vazhdon me “Vijat” për Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. I ndërtuar në mes viteve 1976 e 1982, projektuar prej arkitektëve Zhivorad Jankoviq, Halid Muhasiloviq dhe Sretko Eshpek, Pallati i Rinisë ishte konceptuar si qendër multifunksionale. Se sa pak e gati aspak është ruajtur koncepti bazë, flasin vetë arkitektët e inxhinierët në dokumentar. Sallat e mëdha të dedikuara për të gjitha sportet dhe për koncerte, hapësirat për patinazh e ekspozita janë ato që do duhej të ishin pjesë e Pallatit të Rinisë. Kështu përshkruhet gjendja aktuale në dokumentarin “Vijat”.
“Ajo që më së shumti më lidh ky objekt është galeria e arteve që ka qenë poshtë te pjesa e qendrës tregtare, një motiv pse të vish në këtë objekt”, ka thënë me nostalgji arkitekti, Lulzim Nixha, njëri prej protagonistëve të “Vijat”.
“Kupolat” për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës e përmbyll triptikun. Për çdonjërin, objekti i BKK-së është më larg nga i zakonshmi. Objekti i projektuar prej arkitektit kroat, Andrija Mutnjakoviq, u hap në vitin 1982 dhe qe një kthesë historike jo vetëm në aspektin arkitekturor.
Për funksionet brenda objektit flasin vetë personazhet e dokumentarit. Që prej asaj kohe Biblioteka transportin e librave e kishte të mekanizuar me skedarët në afërsi me të gjitha sallat e leximit. Mënyra se si librat janë bartur nga kati në kat edhe sot mbetet e veçantë, ani pse ka kohë që projekti i digjitalizimit të shërbimeve konsiderohet i domosdoshëm.
“Ditën e parë kur kam ardhur, më është dukur ëndërr. Thosha: ‘Kena me u humbë në këtë objekt, qysh kemi me u gjindë”, rrëfen bibliotekistja Fahrije Selmoni. Ajo dhe koleget e saj e shpijnë shikuesit nëpër bodrumet e hapësirat e veçanta të Bibliotekës.
Nostalgjia me të cilën e përshkruajnë punën e tyre bën thyerjen midis përshkrimeve të thjeshta për objektet, që edhe sot mbesin ikona të modernizmit, ani pse jo pak objekte të asaj periudhë janë tjetërsuar.
Arkitektja Flaka Xërxa-Beqiri ka thënë se me “2+1...” ka synuar të sjellë një rrëfim jo vetëm dydimensional.
“Në fakt ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për arsye se unë jam vetë arkitekte me profesion dhe si arkitektë ne jemi shumë të koncentruar pas pjesës grafike të objekteve, gjithçka shohim eventualisht në mënyrë dydimensionale, nëpërmjet imazheve. Ka qenë një tendencë e imja që ta shpërfaq një realitet tjetër, atë të shfrytëzuesve edhe të ecim në hapësirat të cilat rëndom janë të paqasshme për vizitorët”, ka thënë Xërxa-Beqiri, pas shfaqjes së dokumentarit të saj, të martën mbrëma në “Kino Armata”.

Shfaqja e dokumentarit ka pasuar me panel diskutimi, ku, pos autores, ka qenë edhe arkitekti Ilir Gjinolli, i cili ka thënë se dokumentari i koleges së tij, Flaka Xërxa-Beqiri, dëshmon se arkitektët nuk bëjnë vetëm punën e projektimit.
“Dokumentimi me video është njëra prej mënyrave për me e nxitë edhe vëmendjen për mbrojtjen e arkitekturës, ose të trashëgimisë arkitektonike të cilësdo shkallë, por te ne është shumë me rëndësi përkushtimi që të mbrohet arkitektura moderniste sepse ajo ka një domethënie simbolike për Kosovën”, ka thënë Gjinolli.
I asaj periudhe është edhe objekti i “Kino Armatës”, ku u mbajt kjo ngjarje. Në sallën me kapacitet prej 300 ulësesh, jo pak kanë qëndruar në këmbë. Arkitektja dhe autorja e dokumentarëve ka vlerësuar se dëshira dhe misioni me të cilin e nisi projektin është përmbushur edhe më, nga prania e studentëve të rinj dhe interesimi i tyre.
“Ka qenë me të vërtetë emocionuese për mua ta shoh në një sallë me kapacitet për 300 personash të jetë e mbushur plot. Për mua kjo është një arritje shumë e madhe, edhe përçim i mesazhit fillestar të këtyre dokumentarëve. Dëshira edhe misioni ka qenë që të dokumentojmë pjesëza nga arkitektura moderne, për arsye se këta tre dokumentarë kanë trajtuar vetëm tri objekte të arkitekturës moderne. Është fjala nga vitet ’70 deri në ’90”, ka thënë autorja e dokumentarit të mentoruar prej Veton Nurkollarit.
Si objekti i “Bankosit”, Pallatit të Rinisë e Bibliotekës Kombëtare ka edhe të tjera në Kosovë. Video-dokumentimi i secilit nga to është i pamundur nga vetëm një individ. Arkitektja, e cila ka doktoruar në Universitetin e Lubjanës në temën “Konstruimi i Arkitekturës Moderne në Kosovë 1970 – 1980”, ka marrë shembull një projekt të ngjashëm të realizuar në Kroaci. Për të ishte angazhuar një ekip i Radiotelevizionit Kroat.
“Duke u bazuar në rastin të cilin unë e kam marrë si shembull dhe që e kam pasur si ide fillestare që ta realizoj për Kosovë. Kemi të bëjmë me dokumentarë që janë realizuar për objektet moderniste të Kroacisë. Ata për shembull i kanë realizuar në formë të video-dokumentimit nga televizion kombëtar”, ka thënë autorja, duke shpresuar se dikush do ta vazhdojë rrugën të cilën ajo e ka nisur.
I pari dokumentar, ai për Bibliotekën Kombëtare ishte realizuar në vitin 2017 e dy të tjerët katër vjet më vonë.