“Zanat” me rrënjët e muzikës shqipe, “Minatori” me një kapitull hitesh nga koha kur rocku pushtoi edhe këto anë dhe “SYTË” me gjeneratën e rrymat e reja, kanë qenë menyja e koncertit të Pavarësisë, organizuar nga Komuna e Prishtinës në 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. I kufizuar vetëm në “Kino Aramata”, ndryshe prej planeve, ata që kanë pasur ftesa kanë pasur rastin ta shijojnë këtë gërshetim kohësh e tingujsh
Festë për kulturën e traditën, paraqitje e rinisë dhe së ardhmes, dhe një kujtim i zëshëm i së kaluarës. Këto kanë qenë stilet dhe tingujt me të cilët është festuar 14-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, në koncertin e mbyllur, organizuar nga Komuna e Prishtinës, të enjten.
Koncerti i këtij viti, që ishte paraparë të mbahej në ambient të hapur, për shkak të masave të COVID-it, u detyrua të mbyllej e të kufizohej në publik në “Kino Armata”.
Megjithatë, masa të tilla nuk ndikuan në performancat plot jetë të ansamblit “Zanat”, grupit sytë “SYTË” e atij veteran, “Minatori”. Një përzgjedhje e tillë, që në pamje të parë duken në kontrast me njëri-tjetrin, u kombinua për të krijuar një atmosferë që ngjalli duartrokitje të shumta nga publiku pjesëmarrës.
“Fokusi ynë ka qenë të marrim pop-muzikën tonë. Përgatitjet kanë filluar goxha herët, mirëpo për shkak të masave COVID ishte i mbyllur për njerëz, madje vetëm thirrje u kemi bërë zyrtarëve dhe artistëve. Ideja ka qenë të marrim edhe diçka tradicionale, edhe diçka më të kapshme për neve e pastaj të vazhdojmë me diçka rock. Paraqet edhe një rritje të Kosovës”, ka thënë Vesa Sahatçiu, koordinatore e koncertit nga Drejtoria e Kulturës.
Në kuadër të repertorit, hapja e koncertit u bë nga ansambli “Zanat”, i cili ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. I përbërë nga solistet profesioniste të Filharmonisë së Kosovës – Adelina Thaçi-Meta, Elida Kryeziu-Hoti, Diellza Sylejmani, Arstina Kelmendi, Albana Piperku – shoqëruar në piano nga maestroja Edon Ramadani, performanca e ansamblit mori ovacione nga publiku i limituar, gjë për të cilën artistet shprehën të lumtura, por me dëshirën që shpejt performanca të tilla të bëhen për një publik më të gjerë.
“Fatkeqësisht nuk ka qenë i hapur për publikun e Prishtinës. Do të doja që evente të tilla të jenë të hapura, megjithatë, edhe pse kishte audiencë në sallë, shumica prej tyre zyrtarë, që ishte kënaqësi që të interpretonim edhe për ta, por kisha pasur dëshirë që edhe qytetarët e tjerë ta shijojnë një koncert të tillë”, ka thënë Ramadani.
Duke krijuar një kontrast me “Zanat”, performoi në stilin indie-rock, në gjuhën angleze grupi i ri “SYTË”, i përbërë nga Nita Kaja, Drin Tashi, Fatlind Ferati dhe Granit Havolli, që u pritën po ashtu mirë nga publiku.
“Kemi një dashni të madhe për Komunën e Prishtinës, se shumë na ka mbështetur çdoherë. Kënga ‘Up in the air’ i kushtohet pikërisht Prishtinës”, ka thënë solistja e grupit, Nita Kaja, e cila është e lindur dhe e rritur në SHBA, mirëpo Prishtinën e quan si qytetin e zemrës.
E për të përmbyllur me një “bang” koncertin, e të pritur nga publiku me duartrokitje të forta, qe grupi “Minatori”. Këngët e tyre, të cilat u kënduan njëzëri nga i gjithë publiku, ndezën atmosferën brenda katër mureve të “Aramatës” dhe mbyllën natën e Pavarësisë nën tingujt e këngës “Të dua sa Kosovën”.
“Deri në momentin e fundit kemi pasur problem me i përzgjedhë këngët, sepse prej 9 albumeve, është problem me zgjedhë vetëm 5-6, mirëpo jemi përcaktuar për këngë që janë më argëtuese, këngë të bukura që janë shndërruar në hite”, ka thënë solisti i grupit, Naser Gjinovci.
Të ndarë të kënaqur me koncertin qenë edhe ata që patën rastin të zënë vend në publik. Gjatë koktejit pas përfundimit, disa prej tyre shprehën entuziazmin për performancat e grupeve.
Po aq i kënaqur me koncertin ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Për të koncerti ishte një ndërlidhje e traditës që shfaqte po ashtu një dritë dhe optimizëm për të ardhmen.
“’Kino Armata’ është një hapësirë retro e viteve ‘80, dhe në aspektin e dizajnit e mban historinë, kështu që në ndërlidhshmëri me të ishin edhe performancat sonte. Nostalgjia e kohës së kaluar dhe mbrojtja e kulturës, domethënë bazat e celulës sonë të muzikës të ndërlidhura në një hapësirë, pastaj në të njëjtën kohë me ‘Sytë’, tash ndërlidhen edhe me këtë të ardhmen”, ka thënë Rama.
Për kryetarin Rama, rritja gjatë 14 vjetëve të Pavarësisë u shfaq në këto performanca të cilat shfaqin potencial të madh, dhe të ardhme të ndritur të shtetit të Kosovës.