Pas hapjes madhështore të edicionit të 14-të me radhë me pianistin virtuoz nga Ukraina, Artem Yasynskyy, po aq magjike ka qenë nata e dytë e “Chopin Piano Festit”. Dyshja me baritonin tajlandez, Saran Suebsantiwongse, e pianisten Alberta Troni ka sjellë epoka të ndryshme të muzikës klasike. Veprat vokalo-instrumentale kanë magjepsur publikun në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. Programi është cilësuar si një gërshetim ekzotik, e interpretimi si zbërthim filozofik i veprave muzikore
Është mision i “Chopin Piano Festit” t’i japë vëmendjen kryesore njërit prej instrumenteve të pazëvendësueshme të muzikës klasike. Pianoja është kryefjala, edhe nëse nga Tajlanda e largët vjen një personalitet i shquar i botës operistike. Baritoni Saran Suebsantiwongse ka interpretuar vargjet e veprave nga periudha klasike, romantike e deri në neoklasicizëm. Me tingujt pianistikë të Alberta Tronit, veprat e Beethovenit, Brahmsit e Ravelit kanë bërë jehonë në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në kryeqytet.
Troni me lojën mjeshtërore të saj e ka bërë koncertin të kulmojë me interpretimin solo. Pjesë nga Franz Listz dhe Astor Piazzola kanë qenë veprat serioze e virtuoze me të cilat pianistja e ka bërë vendimtare lojën e saj që korrespondon me dedikimin e festivalit.
Baritoni tajlandez i skenave operistike botërore ka gërshetuar lojën melankolike e harmonike për vepra që rrallë janë dëgjuar në koncertet vendore.
Koncertin e ka hapur me “An die ferne Geliebte”, vepër ciklike me gjashtë këngë të Ludvig van Beethovenit. E luajtur pa ndërprerje, përbrenda ka qenë si revolucion tematik që shprehet nëpër emocionet e veprës. Interpretimi ngjan në dedikim dashurie që ndjenjat i identifikon nëpërmjet vibrimeve të theksuara të zërit.
Për herë të parë Suebsantiwongse u ka dhënë zë veprave vokalistike në Prishtinë. Repertorin e ka konsideruar të vështirë sa u përket teknikës e muzikalitetit.
“Kur po diskutonim se çfarë do të interpretonim së bashku, zgjodha pjesë nga tri periudha, për shembull Beethovenin nga periudha klasike, Brahmsin nga romantizmi dhe Ravelin nga romantizmi i vonshëm. Tri kohë të ndryshme i kemi bërë bashkë me pianisten Alberta Troni. Kurrë nuk jemi takuar më parë dhe normalisht se një gjë e tillë ka qenë disi sfiduese. Kemi punuar për disa ditë para koncertit. Ishte program i vështirë por ia dolëm goxha mirë së bashku”, ka thënë ai derisa ka konsideruar se koncerti ka rezultuar i suksesshëm.
Baritoni nga Tajlanda gjatë qëndrimit në Prishtinë të martën ka mbajtur masterklasë me studentët e Fakultetit të Arteve, gjë që ka rezultuar me marrëveshje midis tij dhe institucionit. Ai është shprehur se zërat e bukur të këngëtarëve të rinj vijnë biologjikisht, por edhe si rrjedhojë e ndikimit të kulturës.
“Fillimisht isha shumë i impresionuar me kualitetin e zërave të tyre. Mendoj se biologjikisht njerëzit nga Kosova kanë zëra kaq të bukur, të fuqishëm. Por gjithashtu ka të bëjë edhe me kulturën, siç është muzika folklorike, vendi që inspiron njerëzit të jenë të ndjeshëm, të bëjnë art me zërin. Janë të vetëdijshëm për këtë kualitet dhe me të shkëlqejnë. Përveçqë e kam kuptuar se kanë zëra të bukur, si askund në botë, ata janë studentë që kanë përvojë në këndim”, ka thënë baritoni tajlandez Saran Suebsantiwongse, i cili ka interpretuar në opera si “Donizetti”, “Das Rheingold”, “Cosi fan tutte” e “Flauti magjik”. Është diplomuar në Shkollën e Muzikës në Manhattan dhe ishte përfitues i “Chevening” në Kolegjin Mbretëror të Muzikës. Repertori i tij i koncerteve përfshin “Requiem” të Mozartit, “Paukenmesse” të Haydn, “Te Deum” të Charpentie dhe “Carmina Burana” të Carl Ordd. Ka interpretuar edhe “Mein Liebe ist grün”, “Von ewiger Liebe” dhe “Alte Liebe” të Johannes Brahms. Periudhën e neoklasicizmin e impresionizmit e ka prekur me veprat e Maurice Ravelit. Ka interpretuar pjesët “Chanson Romanesque”, “Chanson epique” dhe “Chanson a boire” nga “Don Quichotte a Dulcinee”.
Profesoresha Alberta Troni e ka vlerësuar si përzgjedhje filozofike programin që Suebsantiwongse e kishte kuruar për ta luajtur në Kosovë.
“Kur e kam marrë repertorin që do ta këndojë baritoni nga Tajlanda kam qenë pak e befasuar, sepse ka qenë një përzierje interesante. Pak më shumë filozofike, sidomos hyrja me këngët e Beethovenit dhe mbyllja me të Ravelit. Një kombinim mjaft ekzotik dhe interesant. Më pas unë jam ndërlidhur me Franz Listz dhe me një rapsodi të Astor Piazzolla, që është mjaft e dashur për mua dhe të cilën e kam studiuar”, ka thënë Troni e cila është e njohur për performancat e saj ekspresive dhe tërheqëse. Ka qenë muzikante e dalluar qysh në fillimet e saj, me paraqitje në koncerte të shumta në ish-Jugosllavi, Gjermani, Itali, Francë, Holandë, Austri, Kroaci, Bullgari, Luksemburg, Izrael dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka specializuar në Accademia Musicale Chigiana në Siena të Italisë, “Tel Hai Internacionale Piano Master Classes” në Tel-Aviv të Izraelit, “Accademie Internacionale d’Ete” në Nice të Francës e të tjera.
Programin e ka ilustruar me dy pika si soliste. Fillimisht me “Trois etudes de concert” të Franz Liszt ka sjellë pjesët “Un sospiro” dhe “La leggerezza”. Para se baritoni tajlandez ta përmbyllë koncertin me veprën e Ravelit, Troni ka luajtur “Tango – Rhapsody” nga Astor Piazzola. Kjo e fundit ka qenë thekshëm më serioze e më virtuoze.
Për veprat solo në program, Troni ka thënë se janë mjaft të dashura për të, por edhe sfiduese.
“Këto janë vepra me kërkesa mjaft të larta teknike pianistike. Duan koncentrim, përkushtim, punë të madhe, hulumtim në tingull, në ngjyrë, në filozofi, në psikologji. Sepse arti muzikor është art dëgjimi, mjaft i komplikuar, i ndjeshëm, delikat. Në fund shpërfaq shpirtin e secilit, të brendshmin, intuitën e artistit”, ka thënë ajo.
Drejtoresha artistike e “Chopin Piano Festit”, Lejla Pula, ka thënë se ndihet e lumtur që publiku ka pasur rast të përjetojë çaste të magjishme të muzikës klasike nëpërmjet lojës në piano e ngjyrave vokalistike.
“Me një ngjyrë jashtëzakonisht të bukur si bariton na ka përcjellë porosi nga tre kompozitorë të famshëm të historisë së muzikës klasike. Këto kanë qenë vepra që ma merr mendja që publiku për herë të parë ka pasur mundësi t’i dëgjojë. Po ashtu, profesoresha Alberta Troni është munduar të na sjellë një vepër premierë të Piazzolas. Ishte e bukur edhe me motivet e Lisztit. Kishte laramani dhe atmosferë të bukur sonte. Ajo është veçantia e secilës mbrëmje, secila ka sharm dhe bukuri të veçantë”, ka thënë Pula.
Pianistja Melisa Ibrahimi ka veçuar lojën solo të pianistes Alberta Troni, në klasën e së cilës edhe kishte ndjekur studimet.
“Sonte ka qenë një koncert shumë i mirë, i uroj të gjithë për këtë edicion, posaçërisht profesoreshën. Ka pasur disa pjesë solo të cilat i ka zotëruar në mënyrën më të mirë të mundshme. Ka qenë çdo gjë e jashtëzakonshme dhe shumë e mirë. Edhe programi i zgjedhur në përgjithësi për koncertin ka qenë mjaft i vështirë për nga ana teknike muzikale”, ka thënë Ibrahimi.
“Chopin Piano Fest” sjell opusin shqiptar dhe atë botëror për piano në koncertin e radhës, të premten me pianistin Kosti Deti në të njëjtën adresë.