S’ka dëshmi më të fuqishme sesa imazhet, e historia e luftës në Kosovë nuk shkruhet dot pa fotografitë e Hazir Rekës, Alban Bujarit e Visar Kryeziut. Ata nuk i ndalën dot as flakët e luftës, armë e tyre qe fotoaparati, me misionin e tyre ia shfaqën botës tmerrin ndaj shqiptarëve, dhe Prekazi është vetëm një kapitull i veprimtarisë së tyre. Prej aty kanë nxjerrë 18 fotografi në ekspozitën e hapur të enjten mbrëma në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Në organizim, Komuna ka dështuar keqas në raport me fotografitë që tashmë kanë peshën e artefakteve
Në ditët e para të marsit 1998, edhe në atë që ishte “Korzo” e Prishtinës, tash bulevardi “Nëna Terezë”, nuk dilej bash lirshëm. E në zonat kur veç kishin nisur të bëmat e forcave serbe, nuk shkohej pothuajse fare. Por treshja e fotoreporterëve, Hazir Reka, Alban Bujari e Visar Kryeziu, qenë midis atyre që dokumentuan një prej ngjarjeve më të rëndësishme të luftës në Kosovë: rastin e familjes Jashari. Bashkë, nëpërmjet 18 fotografive, kanë sjellë “erën” e Prekazit të asaj kohe në qendrën e Prishtinës, në amfiteatrin pranë sheshit “Zahir Pajaziti”.
Në përvjetorin e 26-të të asaj që është Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tre mjeshtrit e fotografisë janë paraqitur me një rrëfim në ekspozitën e organizuar nga Komuna e Prishtinës. Kanë paraqitur një kronologji mbi dydekadëshe. Imazhet në dimensione të mëdha kanë pasur aromë lufte. Sakrifica e mbi 50 fëmijëve, grave e burrave të Jasharëve të Prekazit të Skenderajt më 5, 6 e 7 mars ka ardhur si një ilustrim më gjithëpërfshirës. Fotoreporterët e njohur në vend e ndërkombëtarisht kanë ilustruar Prekazin si fshat, fytyrat e frikësuara, pjesën e varrimit, shtëpitë e shndërruara në gërmadha e deri te dhimbja njerëzore. Janë aso pamjesh që plotësojnë mozaikun e sotshëm të Prekazit, ku vetëm shtëpitë kanë mbetur si gërmadha e shenjë e luftës. Fotografitë e tyre në një të ardhme do të ishin pjesë e dëshmive konkrete në ndonjë muze të luftës a të paqes.
Fotografitë që tashmë janë artefakte nuk kanë pasur hiç vend në një ekspozitë të organizuar më shumë se dobët nga Komuna e Prishtinës. Improvizimet kanë marrë hov keqas. Ekspozita është organizuar në momentet e fundit. S’ka qenë as diçka e rastësishme e as me ndonjë protokoll a koncept. Pa titull e pa kurator. Për katalog as që bëhet fjalë. Teknikisht ngjarja ka dështuar. Prej mosfunksionim të mikrofonit e deri te përzierja e sinjaleve të porosive të “Instagramit” e këngëve patriotike që janë lëshuar nga telefoni në altoparlant. Disa violinistë të shkollës së muzikës “Prenkë Jakova” i kanë dhënë pak finesë ngjarjes. Me fotografi të ofruara në shfrytëzim pa pagesë nga fotoreporterët, Komuna ka bërë krejt këtë zallamahi.
“Zjarret të cilat ndizen çdo vit ndërlidhen me flijimin e jetës së komandantit legjendar, heroit tonë kombëtar Adem Jashari dhe anëtarëve të familjes së tij”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të cilit mezi i ka punuar mikrofoni. Për violinistët, organizatorët kanë harruar ta aktivizojnë atë. Teknikët janë kritikuar mes vete për këtë.
“Flijimi i jetës së tyre ndezi një zjarr, një zjarr të madh i cili vazhdon të qëndrojë dhe të zgjerohet edhe më shumë në zemrat tona. Tash e tre vjet kjo është bërë traditë edhe në Prishtinë”, ka thënë kryetari Rama.

Sipas tij, të enjten mbrëma kur është hapur ekspozita gjurmët e zjarrit të asaj flake të Prekazit janë zgjatur dhe shtrirë në krejt vendin.
“Adem Jashari nuk pranoi të nënshtrohet duke zgjedhur që të ndezë një flakë që neve do të na ndriçonte përgjithmonë rrugën drejt lirisë. Guximi i tij ndriti si fanar në tokat e errëta e frymëzoi brezat e rinj”, ka thënë Rama.
I pranishëm ka qenë edhe gazetari britanik Vaughan Smith, i cili kishte filmuar pjesë të sulmit mbi familjen Jashari. Atë e kishin shënjestruar forcat serbe. E kishte kapur plumbi mbi telefonin celular dhe ky mjet ia kishte shpëtuar jetën. Pamjet e xhiruara prej tij kishin bërë xhiron e botës. Shfaqen edhe sot e kësaj dite. I është dhënë fjala në momentin e fundit. Edhe ai e ka përmendur këtë në foltore. Ka folur për shpresë.
“Kam parë shumë vuajtje të fëmijëve në luftë. Ndërsa në Prekaz dje kam parë shumë fëmijë që janë e ardhja e këtij vendi”, ka thënë ai. Kryetari Rama ka bërë thirrje që të ndizen flakadanët pranë fotografive si simbolikë e zjarrit dhe ndriçimit. Në këtë rast fotografitë ku edhe paraqiten shtëpitë e bëra shkrumb janë ndriçuar edhe në formë homazhi. Por autorëve të tyre nuk u është dhënë fjala fare. Ata me delikatesë dhe “si në fore” i kanë thënë kryetarit se duhet të thonë nga dy fjalë. Më pas me stilin e tij kryetari Rama ua ka ofruar mikrofonin tek pas ndezjes së flakadanëve, që në njëfarë forme e ka shpallur të hapur ekspozitën e përkohshme sa për mbrëmje.
{gallery}
Fotoreporteri Hazir Reka, punonjës i disa mediave vendore e më pas i agjencisë “Reuters”, fotografitë e të cilit janë botuar në mediat më prestigjioze në botë, ka thënë se vetë ka qenë më i vjetër sesa dy kolegët e tij.
“Për këta ka qenë edhe më e vështirë. Por këta nuk janë frikësuar sa unë pasi unë në bazë të përvojës e dija se çfarë mund të ndodhte. Sidoqoftë puna ka qenë shumë e mirë. Ngjarjet i kemi përcjellë shumë mirë”, ka thënë ai. Ka kujtuar se asokohe ishte tejet e vështirë të hyhej në Prekaz e po ashtu edhe të kthehen prapa.
“Nuk mund ta përshkruajmë se si kemi hyrë e kemi dalë nga këto ngjarje. Fatmirësisht i kemi këto ngjarje të arkivuara dhe është mirë edhe për Kosovën që i kemi këto materiale”, ka thënë Reka.
Fotoreporteri i “Kohës Ditore”, Alban Bujari, ka dokumentuar dhjetëra masakra në Kosovë. Në raport me Prekazin sikurse edhe kolegët e tij, kishin ndihmuar edhe në varrim të trupave. Edhe fotografitë e Bujarit janë publikuar në disa media prestigjioze. Nëpërmjet tyre bota njohu realitetin në Kosovë.
“Nuk ka qenë hiç e lehtë të përcillen këto ngjarje. Nuk është veç Prekazi. Janë edhe shumë masakra e luftime të tjera. Që të mos e zgjas, fotografitë flasin vetë”, ka thënë shkurt Bujari, siç edhe zakonisht flet në ceremoni të tilla.
Kurse Visar Kryeziu, fotoreporter i “Associated Press”, e një prej njerëzve që ka arkivuar imazhet e Kosovës në luftë, ka thënë se janë munduar ta ilustrojnë Epopenë me disa fotografi ku janë ngjarjet që kanë ndodhur në ato ditë dhe vazhdimësinë “bashkë me ringjalljen që ne kemi me qenë këtu edhe pas gjithë asaj tragjedie”.
“Nuk ka qenë vetëm kjo ngjarje dhe vetëm kjo familje, por me sakrificën sublime të familjes Jashari ka filluar dhe ka marrë kah tjetër. Faktikisht ka filluar procesi i Kosovës së lirë dhe të pavarur”, ka thënë ai.
Kosova e lirë dhe e pavarur rezulton edhe në fotografitë e paraqitura. Aty vijnë edhe imazhe të Prekazit të viteve të fundit. Të manifestimeve e nderimeve të familjes Jashari. Pamjet e “Natës së Zjarreve” që mbahet çdo 7 mars janë manifestim i lirisë në ato fotografi. Por materialet si këto duhet trajtuar ndryshe. Jo shkel e shko sikurse në ekspozitën e Komunës së Prishtinës, pasi paraqesin momente vendimtare të historisë së shtetit më të ri të Evropës.