Kulturë

Treshja e Këshillit të Qendrës Historike të Prizrenit përplas politikën

Opozitarët në Prizren gjatë seancës së fundit të Kuvendit të Komunës kanë shprehur qëndrimin se zgjedhja e tre anëtarëve të Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit nga shoqëria civile është realizuar me parregullsi. Por, bartësit e këtij procesi kanë kundërshtuar këto pretendime duke u shprehur të gatshëm që të japin përgjegjësi morale e ligjore

Shqyrtimi i vendimit për emërimin e tre anëtarëve të Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës është shoqëruar me akuzat e opozitës se procesi ka pasur parregullsi. Sipas tyre, këto parregullsi kanë filluar prej krijimit të Komisionit ad-hoc e shpalljes së konkursit dhe deri te procesi i përzgjedhjes së kandidatëve, pasi si në Komision ashtu edhe te kandidatët e përzgjedhur ka shërbyes civilë, përderisa legjislacioni në fuqi kërkon që ata të jenë pjesë e shoqërisë civile.

Por, këto pretendime janë kundërshtuar nga bartësit e procesit, të cilët kanë bërë thirrje që kësaj çështjeje mos t’i jepet konotacion politik.

Kuvendarët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se procesi nuk ka qenë i rregullt pasi, sipas tyre, njerëz jokompetentë, që nuk janë të fushës, kanë marrë pjesë në testim e intervistim të kandidatëve.

“Dhe i gjithë ky proces me aq sa jam unë dëshmitar ka qenë i organizuar dhe i orientuar që një individ i caktuar të dështojë”, ka thënë Gashi, duke shtuar se në këtë mënyrë nuk është përfillur ekspertiza e gjatë në trashëgimi kulturore e njërës prej kandidateve.

Ndërkaq Dafina Alishani nga e njëjta parti ka kritikuar futjen në përbërje të shërbyesve civilë nën petkun e aktivistëve të shoqërisë civile.

“Nuk e di si mund ta sillni në lajthitje Kuvendin dhe t’i fusni personat që janë shërbyes civilë edhe të bazohen në emër të OJQ-së. Tash çelësi është tepër i qartë në ligj dhe tregon se kush duhet të jetë pjesë e komisionit”, ka deklaruar Alishani.

Edhe kuvendari nga radhët e LDK-së, Marin Përgjoka, ka kërkuar sqarime nëse është respektuar legjislacioni në këtë proces.

“A ka shërbyes civilë të cilët janë të përzgjedhur si anëtarë? Nuk e dini?”, ka pyetur Përgjoka.

Mirëpo kryesuesi i Komisionit ad-hoc, Bariu Zenelaj, duke u përgjigjur në pretendimet e opozitarëve ka theksuar se procesi ka qenë i rregullt dhe ka kërkuar që trashëgimisë kulturore të Prizrenit mos t’i jepet kuptim politik.

“Po më vjen shumë keq që këtij Komisioni po mundohet t’i jepet një konotacion politik. Absolutisht jam kundër dhe jam i gatshëm në çdo rrethanë edhe moralisht, edhe ligjërisht me ju përgjigj”, është shprehur Zenelaj.

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Antigona Bytyqi, ka pohuar pranimin e një ankese nga një kandidate lidhur me këtë proces dhe ka shtuar se shqyrtimi i ligjshmërisë do të bëhet nga niveli qendror.

“Edhe dua t’ju njoftoj që nga një aplikante e kemi edhe një ankesë. Edhe pse ne i kemi dërguar një përgjigje që nuk jemi organ që i shqyrtojmë ankesat, por MAPL-ja. Dhe ankesën do t’ia bashkëngjisim edhe vendimit, edhe raportit përmbledhës të cilin e paraqiti kryesuesi për ta dërguar në MAPL, që do të merret me shqyrtimin e ligjshmërisë”, ka thënë Bytyqi.

Listës së tre kandidatëve më të poentuar nga Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit i prin Veron Tara, i pasuar nga Edin Gështenja dhe Haxhi Seferqaj. Ndërsa bashkësitë fetare nominojnë tre anëtarë të tjerë të Këshillit dhe anëtari i shtatë nominohet nga Zyra komunale për kthim dhe komunitete.

Ditë më parë KOHA ka raportuar se si lista me kandidatët potencialë për t’u përzgjedhur si anëtarë të Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit është kontestuar me pretendimet për shkelje procedurale dhe ligjore.

Ish-kryesuesja e KTK-së, Artnet Haskuka, që kishte aplikuar sërish për të qenë pjesë e këtij Këshilli, kishte bërë të ditur se ka dorëzuar ankesë në organet komunale meqë konsideron se ka shkelje procedurale e ligjore gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit. Sipas saj, më datë 26 tetor 2022, Kuvendi i Komunës ka shpallur konkursin për anëtar të KTK-së me kriteret që aplikuesit duhet të jenë ekspertë në fushën e trashëgimisë kulturore, me kualifikim ose me përvojë profesionale dhe të jenë anëtarë të shquar të shoqërisë civile që kanë përvojë në ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

“Procesi i shpalljes së konkursit deri te procesi i përzgjedhjes së kandidatëve ka qenë në kundërshtim me ligjin nr.04/L-066 për Qendrën Historike të Prizrenit dhe me Udhëzimin Administrativ nr. 12/2014 të MMPH-së”, kishte thënë Haskuka. Ajo kishte shtuar se neni 5 i Udhëzimit Administrativ përcakton kriteret për Komisionin ad-hoc, ku ceket se komisioni duhet t’i ketë dy anëtarë nga partitë politike dhe tre nga shoqëria civile.

“Komisioni në rastin konkret ka qenë me dy anëtarë të partive politike, dy nga shoqëria civile dhe një shërbyes civil (nga MKRS), gjë që paraqet shkelje dhe është në kundërshtim me UA nr. 12/14”, kishte deklaruar Haskuka. Sipas saj, ndonëse kërkohet që komisioni vlerësues të jetë njohës i fushës, “një pjesë e madhe e anëtarëve të Komisionit nuk kanë qenë njohës apo profesionistë të fushës së trashëgimisë kulturore dhe gati asnjëri anëtar aktiv i shoqërisë civile që vepron brenda Qendrës Historike të Prizrenit apo hartues të ndonjë dokumenti apo pjesëmarrës në projekte për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”.

Haskuka pretendon se me gjithë përgjigjet e sakta dhe përvojës shumëvjeçare, është nënvlerësuar respektivisht ka marrë pikë minimale, ndërkohë që është përzgjedhur një kandidat që, sipas saj, është pjesë e shërbyesve civilë. Por pretendimet e saj janë hedhur poshtë nga kryesuesja Bytyqi, që e ka vlerësuar procesin si të rregullt.

Sipas dispozitave të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, roli i Këshillit është që të vëzhgojë dhe këshillojë rreth aktiviteteve në Qendrën Historike të Prizrenit për ruajtjen e trashëgimisë së saj kulturore.