Kulturë

Tre vjet pas shembjeve në Kalanë e Novobërdës, pa afat për riparime

Ani pse punimet për sanimin e dëmeve në Kalanë e Novobërdës ishin cilësuar si emergjente, as tre vjet prej se nisën problemet pas restaurimit prej një milion eurosh nuk ka afat që kompania nga Beogradi të rikthehet në vendpunishte. “Ne jemi të vetëdijshëm për emergjencën e situatës dhe e kemi shprehur këtë shqetësim në UNESCO dhe në BE dhe shpresojmë që të marrim përgjigje sa më shpejt”, është përgjigjja e Ministrisë së Kulturës

Këtë muaj bëhen dy vjet që kur u ndërprenë punimet në Kalanë e Novobërdës e tre vjet prej se u paraqitën problemet pas restaurimit të këtij monumenti ku u investuan një milion euro. Zvarritja do të vazhdojë. Asnjëra prej palëve të përfshira në këtë projekt nuk ka afat se kur do të rinisin punimet në një prej aseteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore që ka Kosova.

Gjendja sa vjen e rëndohet. Shembjet e fasadës së gurtë janë të përditshme, e nga ajo që shihet me sy muret e fryra paralajmërojnë probleme të tjera.

Maji i këtij viti ishte parë si kohë e mundshme që punonjësit e kompanisë beogradase “Koto” të ngjiten në një prej pikave më të larta të Novoberdës për të sanuar dëmet. Por planifikimet kanë ngelur në kuadër të shkresave elektronike.

Rifillimi i punimeve nuk është i sigurt pasi varet edhe nga rrethanat e krijuara nga pandemia. E numri i të infektuarve ditëve të fundit në Kosovë nuk është aspak shpresëdhënës për përmirësim të situatës, përderisa nga e hëna kanë hyrë në fuqi edhe masat e reja kufizuese ndaj COVID-19. Puna ndërtimore nuk përmendet në asnjërën prej 72 pikave të vendimit për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

Kompania beogradase që kishte kryer restaurimin e konservimin e strukturave të qytetit të epërm në Novobërdë gjatë viteve 2015 dhe 2016 e ka për obligim sanimin e dëmeve. Këtë kishte tentuar ta bënte në shtatorin e vitit 2019. Por ndërhyrja e kompanisë punëkryerëse “Koto” me buldozer kishte alarmuar institucionet, duke ia ndërprerë punën e ishte ngritur edhe një kallëzim penal. Prej atëherë nuk është gjetur ndonjë rrugëdalje, me përjashtim të disa ditëve të vitit të kaluar, kur puna e rinisur u ndërpre për të mos filluar më.

Mjetet e investuara ishin ndarë nga Komisioni Evropian, përderisa me procedurat e prokurimit dhe mbikëqyrjen ishte marrë Zyra rajonale e UNESCO-s në Sarajevë.

Kompania punëkryese prej prillit të këtij viti më nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS.

Sipas sqarimeve që i kishte dhënë në pranverë Darko Gligorijeviq nga Departamenti ligjor i “Kotos”, vitin e kaluar është bërë shumë pak punë në pastrim, pasi pandemia ka ndikuar shumë keq në dinamikë.

“Përvoja nga vitet e mëparshme na ka treguar se për shkak të kushteve të motit në periudhën para majit, mund të kryhen vetëm punime përgatitore, dhe vetëm nga maji punime në murim dhe aso që përfshijnë përdorimin e llaçit. Po ashtu, vazhdimi i punimeve për rehabilitimin e mureve të sapondërtuara varet nga marrja e lejeve të nevojshme për vazhdimin e punimeve përmes UNESCO-s nga institucionet në Prishtinë, por edhe nga zhvillimi i situatës me virusin, pasi fatkeqësisht nuk ka indikacione se pandemia do të qetësohet së shpejti”, kishte thënë Gligorijeviq.

Kishte sqaruar se i gjithë komunikimi me institucionet e Kosovës bëhet nëpërmjet UNESCO-s. Pos në një rast.

“I vetmi kontakt i drejtpërdrejtë me institucionet nga Prishtina është procedura gjyqësore e filluar kundër kompanisë sonë nga institucionet në Prishtinë, të cilën ne e konsiderojmë si një keqkuptim fatkeq, dhe që shpresojmë të përfundojë shumë shpejt, në mënyrë që të kapërcejmë këtë pengesë për vazhdimin e punëve”, kishte thënë ai.

Më 2019 ndaj “Kotos” ishte ngritur kallëzim penal shkaku i punimeve me buldozer për shembje të fasadës së plasaritur.

Ministria e Kulturës të mërkurën ka treguar se ka pasur komunikim me UNESCO-n dhe ka kërkuar që në afat sa më të shkurtër të fillojnë punët konsoliduese në Kalanë e Novoberdës dhe gjithashtu ka kërkuar planin dinamik të punimeve.

“Ekipi i UNESCO-s ka qenë në vizitë në këtë lokalitet dhe pas vizitës ende nuk kemi marrë përgjigje për planin dinamik dhe fillimin e punimeve. Ne jemi të vetëdijshëm për emergjencën e situatës dhe e kemi shprehur këtë shqetësim në UNESCO dhe në BE dhe shpresojmë që të marrim përgjigje sa më shpejt”, shkruhet në përgjigjet që i ka dhënë KOHËS, Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Sa i përket UNESCO-s, gjithçka është administruar nga selia e Ballkanit me qendër në Sarajevë, që udhëhiqet nga Sinisha Sheshum. Ai asnjëherë nuk iu është përgjigjur pyetjeve të KOHËS.

Kishte qenë Sheshum, i cili nëpërmjet një e-maili në fillim të prillit të sivjetmë ia kishte sqaruar Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve se kompania punëkryese sapo të krijohen kushtet meteorologjike do të kthehet për të filluar punën.

“Do t’ju mbajmë të informuar për hapat në vazhdim. A mund të na konfirmoni se autorizimi i lëshuar në tetor të vitit 2020 mbetet valid, në mënyrë që kompania të merret me intervenimet sipas imputeve të fundit të profesorit Pekoviq”, kishte shkruar Sheshum. I ishte referuar projektit për ndërhyrje që e kishte përgatitur vitin e kaluar autori i projektit fillestar, kroati Zhelko Pekoviq. Sipas korrespodencës, Sheshum ka marrë përgjigje nga Ismet Hajrullahu, drejtor i IKMM-së. Ai e ka falënderuar Sheshumin për informacionet e dhëna dhe ka konfirmuar se autorizimi i lëshuar në tetor të vitit të kaluar është valid. Por kishte shtuar edhe diçka.

“Për më tepër ju informoj se situata në muret e Kalasë është përkeqësuar (disa pjesë të mureve kanë kolapsuar) si pasojë e motit dhe masave preventive që nuk janë marrë!”, shkruhet në këtë shkresë.

Brenda ditës Sheshum ishte përgjigjur edhe një herë.

“Faleminderit për e-mailin dhe konfirmimin për validitetin e autorizimit. Siç jeni në dijeni, kontraktori është i obliguar që t’i riparojë të gjitha dëmet, përfshirë ato që kanë ndodhur që nga nëntori i vitit 2020”, kishte shkruar Sheshum.

Më 2015 në Novobërdë kishin zbarkuar punonjës e mjete të kompanisë “Koto”. Projekti restaurues e konservues u shpall i përfunduar në fund të vitit 2016. Me kontratën e UNESCO-s, që është përgjegjëse për punimet, kishin nisur të ngrinin skele. Por asokohe Instituti Arkeologjik i Kosovës i kishte ndërprerë punimet. U ishte thënë se duhej të prisnin leje. Pas dy javësh restauruesit e konservuesit kishin nisur t’i kryenin detyrat. Por vjeshta e vitit 2018 kishte nxjerrë në pah se jo gjithçka kishte shkuar mirë. Kishin filluar shembjet.

Në kuadër të fondeve IPA, Bashkimi Evropian kishte ndarë 1 milion euro për këtë projekt. UNESCO-ja ishte përgjegjëse për kontraktimin e kompanive projektuese e të asaj punëkryese. Hartimi i projektit konservues e restaurues ishte bërë nga kompania “Omega Engineering” nga Dubrovniku, që kishte bërë edhe mbikëqyrjen bashkë me përfaqësues të “Kotos” së Serbisë, të UNESCO-s, Bashkimit Evropian e të institucioneve vendore. Në shkurt të këtij viti Ministria e Kulturës kishte përmendur edhe mundësinë e ndërhyrjes nga institucionet vendore.

“Kemi biseduar për të parë nëse për një periudhë të shkurtër nuk do të kemi përgjigje nga UNESCO-ja ose nga operatori ekonomik, të ndërhyjmë në sanimin e dëmeve që janë në Kala”, kishte thënë Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë së Kulturës në MKRS.