Kulturë

Tre vjet jofunksional, propozohet shtatëshja për organin e trashëgimisë kulturore

Nga gjithsej 40 kandidatë që iu përgjigjen konkursit të sivjetmë, shtatë kanë kaluar kriteret e vendosura nga Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport. Kështu, Zanita Halimi, Arianit Buqinca, Sadik Krasniqi, Premtim Alaj, Valon Gërmizaj, Ifeta Nikoçeviq dhe Slagjana Boshkoviq janë shtatë emrat që mëtojnë të jenë në përbërjen e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore në rast se deputetët i votojnë gjatë javës së ardhshme. Në odiseadën që po zgjat prej verës së 2018-s, konsolidimi i KKTK-së është vlerësuar si një mundësi për të sjellë dinamizëm sa i përket procesit të shqyrtimit të monumenteve që duhet të vihen në mbrojtje të përhershme nga shteti

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë në dorë që Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore të ngjallet pas rrumbullak tre vjet jofunksionaliteti. Pas një procesi përzgjedhjeje e vlerësimi, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport në mbledhjen e së martës ka votuar listën e kandidatëve për anëtarë të KKTK-së.

Kështu, Zanita Halimi, Arianit Buqinca, Sadik Krasniqi, Premtim Alaj, Valon Gërmizaj, Ifeta Nikoçeviq dhe Slagjana Boshkoviq – nga 40 kandidatë që mësynë konkursin e hapur në fund të muajit prill të këtij viti – janë shtatëshja e cila është vlerësuar me më së shumti pikë.

Kryetari i Komisionit, Ardian Gola, e ka vlerësuar procesin e përzgjedhjes si të gjatë në kohë, por të mirë nga cilësia. Në fjalën e tij gjatë mbledhjes, ai ka thënë se çështja e kandidatëve është shoqëruar edhe me diskutime me anëtarët e Komisionit që ka në përbërje Albena Reshitajn, Fitim Ukën, Adriana Matoshin, Arijeta Rexhepin, Jahja Kokajn, Eliza Hoxhën, Memli Krasniqin, Vlora Dumoshin, Jasmina Dediqin dhe Enis Kervanin.

“Qysh në fillim i kemi identifikuar në mënyrë konsensuale të gjitha kriteret e mundshme prej atyre të konkursit e deri te krijimi i një formule të cilës i jemi përmbajtur rigorozisht deri në listën parafinale”, ka thënë Gola.

Siç është bërë me dije gjatë mbledhjes, “formula” e përzgjedhjes ishte: 50 për qind e pikëve nga intervistimi, 30 nga përvoja dhe 20 nga kualifikimi.

Sipas Golës, rangimi i shtatë kandidatëve është bërë në bazë të votës spoantane për kandidatët që janë konsideruar si më të mirët.

“Ka qenë një vlerësim objektiv dhe i motivuar nga premisat profesionale”, ka shtuar ai.

Deputetja nga radhët e LDK-së, Vlora Dumoshi, teksa e ka cilësuar poentimin të rregullt, ka ngritur si shqetësim faktin se disa nga emrat e përzgjedhur kanë edhe angazhime të tjera profesionale.

“E rëndësishme është që në këtë Këshill të emërohen profesionistë, sepse bëhet fjalë për një pjesë të pasurisë sonë trashëgimore e cila duhet të ruhet e të përpunohet tutje”, ka thënë Dumoshi.

Ish-ministrja e Kulturës i është drejtuar kolegëve të saj në Komision nëse është diskutuar se cila do të jetë “puna e parë” e të përzgjedhurve dhe nëse do të ketë konflikt interesi.

“Gjithsesi duhet të shkojmë tutje sepse është interes i të gjithë neve që ky proces të përshpejtohet e të konsolidohet ky Këshill”, ka shtuar Dumoshi.

Sugjerime të njejta ka bërë edhe anëtarja tjetër e Komisionit, deputetja e PDK-së Eliza Hoxha, e cila ka kërkuar që angazhimi në Këshill të mos mbetet dytësor nga ana e kandidatëve.

“Edhe brenga ime është që personat që janë direkt të kyçur në këtë fushë të mos i duplifikojnë angazhimet”, ka thënë Hoxha teksa ka kërkuar që procesi të përmbyllet me sukses.

Prej themelimit më 2009, obligimi më i rëndësishëm ligjor i KKTK-së është vlerësimi nëse një monument i mbrojtur përkohshëm ka vlera që të marrë status të mbrojtjes së përhershme. Gjatë funksionimit, për tre vjet, vetëm 23 asete kanë marrë mbrojtje të përhershme.

Në një prononcim për KOHËN, kryesuesi i Komisionit, Ardian Gola, ka thënë se beson që me këtë përbërje të re profesionale do të tejkalohet pengesa kryesore që e ka dëmtuar procesin e trashëgimiosë kulturore. Dhe këtë, sipas tij, e ka sjellë mungesa e komunikimit ndërinstitucional mes KTKK-së dhe Ministrisë së Kulturës.

“Besoj se ky kontakt i munguar do të rivendoset dhe monumentet në fazë të përkohshme të mbrojtjes do të shqyrtohen me një dinamikë të përshpejtuar”, ka thënë Gola.

Duke folur për votimin e së martës brenda Komisionit, ai ka theksuar se duhet të pritet edhe faza tjetër që është diskutimi dhe miratimi në Kuvend.

“Besoj që vullneti politik i Kuvendit do të reflektojë edhe vullnetin profesional të Komisionit, për shkak se në mënyrë konsensuale e absolute e ka ndërtuar metodën e formulën në bazë të të cilave ka dervuar kjo përbërje që u dërgua në Kuvend”, ka thënë Gola.

Ndërsa sa u përket shqetësimeve të ngritura në Komision për mundësinë e konfliktit të interesit për kandidatët që kanë angazhime edhe në fusha të tjera, ai ka vlerësuar se ligjet ekzistuese kanë shumë “kolizione” që reflektohen edhe në punët profesionale të Komisionit.

“Komisioni ka bërë këtë rangim ekskluzivisht sipas një formule që është rezultat i një konsensusi e vullneti profesional”.

Sipas Golës, Komisioni nuk ka pasur mekanizma ligjorë që të parandalojë çfarëdo aplikimi që bie ndesh me dispozitat ligjore dhe, sipas tij, këto kolizione do të trajtohen edhe në Ligjin për Zyrtarë Publikë që është në agjendën legjislative.

“Sidoqoftë të kemi parasysh faktin që Këshilli është organ profesional dhe natyrshëm që aty do të aplikojnë njerëz profesionistë nga fusha të caktuara, përfshirë edhe nga Universiteti. Askush më shumë se ata dhe njerëzit që merren me trashëgimi kulturore nuk mund t’i përfaqësojë më mirë çështjet profesionale në këtë Këshill”, ka thënë ai.

Pas dy konkurseve të vitit të kaluar dhe atij të vitit 2018, konkursi i sivjetmë, që u hap më 30 prill, është i katërti me radhë nëpërmjet të cilit synohet funksionalizmi i KKTK-së.

Pas shumë diskutimeve e kritikave për pazare e mosrespektim të kriterit gjinor, Komisioni parlamentar për arsim, shkencë, teknologji, inovacion dhe kulturë në dhjetor të vitit të kaluar kishte dërguar në Kryesi të Kuvendit shtatë emrat e të propozuarve për anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Por, me shpërndarjen e Kuvendit, procesi ishte kthyer në pikën zero. Kuvendi kishte dështuar që t’i zgjidhte anëtarët e KKTK-së më 21 shtator të vitit të kaluar. Asnjëri prej 13 kandidatëve të propozuar nuk i kishte marrë votat e nevojshme.

Por mosfunksionaliteti i KKTK-së nuk ishte i vetmi hall. Siç ka raportuar edhe më parë gazeta, ndonëse që prej verës së vitit 2018 nuk ka pasur anëtarë, Sekretariati i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore s’i ka ndalur shpenzimet as në vitin pandemik. Për paga e punë, që përfshijnë edhe promovim të trashëgimisë kulturore në rrjete apo avancim dhe përditësim të ueb-faqes zyrtare, kishte shpenzuar 147 mijë e 263 euro. Janë 11 veta në staf e mesatarisht secili ka pagë mbi 500 euro. Ata supozohet se duhej të kryenin punë administrative për shtatëshen e anëtarëve që nuk është emëruar për tre vjet radhazi.

Po ashtu, për “punë” jashtë orarit janë bërë pagesa deri në 400 euro në muaj. Prej shtatorit të vitit 2016, KKTK-ja është vendosur në kontejnerët afër ish-Pallatit të Shtypit.